Letër Makabe Zaharisë për poezinë

Elena Tase

Zëri i tjetrit, i demonit flet gjithmonë tek dikush; zëri që nuk mund të vdesë, sepse tashmë i ka mbijetuar vdekjes – poeti i vdekur rron tek dikush. – në fazën e mbrame, poetët e fuqishëm mëtojnë t’u ngjiten të pavdekshmëve, duke jetuar tek poetët e vdekur, të cilët gjëllojnë në ta. Ky Rikthim i vonë i të Vdekurit na grish të njohim motivin zanafillor të katastrofës së mishërimit poetik.

Harold Bloo

Dear Makabe,

Aventura e Poezisë më ka drobitur, poeti është arketipi i Jobit biblik parahamletian, ose siç shkruan Soren Kierkegard: “çfarë është poeti? – një Fatkeq, që përjeton tortura të rënda shpirtërore, klithmat dhe rënkimet shndrohen në buzët e tij në muzikë madhështore dhe demoniake.

Shortin e tij mund ta krahasosh me shortin e atyre njerëzve, të cilët i digjnin për së gjalli në një zjarr të ngadaltë brenda demit të bakërt të Falarisit: flitë nuk arrinin ta trondisnin veshin e tiranit me klithmat e tyre, që për të tingëllonin si kumbi i një muzike të ëmbël”.

Dyzimet, silepsjet, mospranimet, skepticizmi grotesk, urrejtja ndaj poetit janë të vetëkuptueshme, ekzistenciale.

Kësaj thagme nuk i shpëton askush, absolutisht.

As unë.

Vetvetja e poetit dhe vepra e tij nuk janë e njëjta gjë, identiciteti është në bigëzim fluid me një vetëdije dhe ritëm orakullor.

Krahasimi delikat dhe i vështirë i  Ezra Paundit i lirikës imazhiniste me ideogramin kinez më ka torturuar intimisht, duke e pohuar jo pa ironi dyshuese dhe argëtuese.

Logosi është instrumenti i poetit, jo Fjala.

Është një ndryshim konceptual, ndonëse koncepti i Fjalës është përafërsisht i pazëvendësueshëm, por poezia është shumë më tepër se substanca linguistike, tingëllore dhe grafike.

Poezia e tejkalon teologjinë e teknikave prozadike si një ikonoklasti e rrezikshme e strukturave pitagorike muzikore dhe numerologjike.

Por edhe mitizmi suksesiv i vargut të lirë, ose i psalmologjisë nuk është absolut e përjashtues i alternativave të panjohura.

Eskatilogjia e të shkruarit apokaliptik e universalizon qytetërimin e imazheve.

Sipas Derridase destruktivizmi krijues i tekstit, ose i intertekstit është kapërcim i “gardhimit logocentrik”.

Këtu ftillëzohet një risi e patjetërsueshme e poezisë së fosilizuar nga kujtesat dhe përvojat mijëravjeçare.

Makabe, miku im, në email-in ,-që më dërgoje nga Singapori, ku gjendeshe në Kongresin Botëror të Arkitekturës Alternative, më shkruaje skeptikisht, si gjithmonë, vërejtjet e tua të pamëshirshme për dorëshkrimet e mia poetike 1995-2000, me pezm dhe delikatesë alegorike, për një nxitim krejt të pajustifikueshëm nga ana ime.

E prap se prap më artikuloje vërejtjet e tua:

“1) Poezia është makina më e ndërlikuar e intelektit njerëzor. Fuqia sinkronizuese e metaforës (dhe metonimisë) është e pafund in infinitus.

2) Maksimalizmi është kur punon edhe me poezinë si formë të mbyllur edhe me poezinë si formë të hapur, asnjë teknikë nuk e përjashton apriori arritjen poetike, ashtu siç nuk ka asnjë që e garanton automatikisht ky është një sekret i madh.

Moskuptimi i këtij sekreti është dështim i sigurt.

2) Po struktura simetrike nuk është gjithçka.

Poezia është udhëtim i gjatë (edhe pas vdekjes) drejt vetëzbulimit.

3) Të pajtosh botën me imagjinatën do të thotë se poezia është një botë e tretë më siperane.

4) Poezia është prova dhe potenciali i intelektit njerëzor ashtu si dhe shkenca, por edhe ndryshe, shkenca dhe poezia nuk përbëjnë një simetri, por më shpesh një asimetri.

5) Ezra Paund – ka thënë: nëse poezia e një kombi pëson rënie, kombi atrofizohet.

Edhe tërë planeti!

6) Poeti e çon gjuhën (leksikun or dhe gramatikën) jo vetëm në skajet më të largëta të kuptimshmërisë, por shumë shpesh dhe përtej saj.

Kjo është vështirë të kuptohet, akoma më pamjaftueshmërisht të përcaktohet.

7) Përsëri Ezra Paund: “poezia përfaqëson trajtën më të përqendruar të shprehjes verbale”.

8) Kur përdoret një fjalë në poezi, ka thënë Dana Gioja, ajo duhet të jetë shuma (sinteza) e gjithë historisë së saj të përgjithshme, të përshtatshme, potenciale, që është bërë konkrete dhe adekuate në kontekstin individual të autorit.

9). Poezia e shpërthen çdo korse parnasiane, e shkatërron dekorativitetin, qoftë edhe simbolik.

Mineralizimi i shkrimit bën që të humbasë lëvizja e mendimit të gjallë.

Midis stilit lapidaresk dhe stilit shpërthyes ripërtëritja është që në gjenezë vullkanore.

Ambiguiteti i jetës është edhe ambiguiteti i poezisë, misteri është një marramendje kinetike, imazhpllenuese.

10) Çelësi i artë është origjinaliteti, çelësi i vetiaktë.

Këtu është dilema dhe paradoksi kolosal tmerrues.

Kaosi i pamëshirshëm na tjetërson, kulti i parasë është një duel për jetë a vdekje me poezinë.”

Makabeu im, idetë e tua më ngazëllojnë, por edhe më trembin, sepse përgjegjësia e vetëdijes bëhet gati kozmike, përderisa ekzistencialiteti detyrimisht shndërrohet në një poetikë shpëtimtare.

Sipas rikthimit të homo poeticus, fjalët na zbulojnë heshtjen e amshuar, si ekologji të shpirtit.

***

Poezitë e viteve 1995-2000 janë një plotësim, ku kronologjia kalendarike depoziton kristalet e dhimbjes, nostalgjisë dhe revoltës, por ama në pakohësi të paklasifikueshme.

***

Në çastin e botimit libri s’është më imi dhe jam krejtësisht i pambrojtur, deri në pafundësi.

***

Lukreci ka shkruar:

Est etiam magnis Heliconis montibus arbos

Floris odore hominem teatro consueta necare

Në shqip kjo profeci e përkorë tingëllon kështu:

Pranë Helikonit, rrotull Kodrës së Diturisë

Rriten pemë që mbytin Njeriun me lulen e tyre.

Është e kuptueshme Makabeu im, se të shkruash poezi është të familjarizohesh me vdekjen dhe se meditimi poetik është një stilizim i vetëvrasjes.

Më përpara këtë gjë nuk e kam ditur, kurse tani e kuptoj në thelb, por s’kam ç’bëj, nuk tërhiqem dot më. Shumë të fala. (Tiranë 6 tetor 2007).

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *