Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijoi kontrollet rigoroze të Operatorëve të Biznesit për të garantuar përmbushjen e kërkesave ligjore të sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe interesat e konsumatorëve.
Në përfundim të këtyre kontrolleve, në Tiranë, Fier, Korçë dhe Shkodër, 5 subjekte janë ndëshkuar me 2.4 milion lekë për shkeljet ligjore, 2 prej tyre do u ndërpritet edhe aktiviteti. Në të njëjtën kohë, do të asgjësohen edhe 49 ton prodhime bujqësore.
- Kontrolli i ushtruar nga AKU Tiranë evidentoi se në subjekt ushtronte aktivitetin “Prodhim dhe tregtim tё produkteve tё pastiçerisё” pa licencë përkatëse dhe pa regjistër shitjesh. Gjithashtu, u konstatuan 225 kg produkte me etiketa tё pa notifikuara dhe qё nuk përmbushin kërkesat ligjore (suxhuk me arra, llokume). Për shkeljet e konstatuara ndaj subjektit u morën masa administrative: a). Gjobë 1,000,000 lekë për ushtrim të aktivitetit pa disponuar licencën përkatëse, b). gjobë 100,000 lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, c). gjobë 100,000 lekë për etiketim në kundërshtim me ligjin, d). bllokim për asgjësim i 225 kg produkte ushqimore dhe e). ndërprerje e aktivitetit.
- Kontrolli i ushtruar nga AKU Fier në qytetin e Lushnjës evidentoi tregtim të mallrave me afat të kaluar përdorimi (amareta, djath, kroasan, kek, çarja, çokollata, pije energjike, vafer etj). Për shkeljet e kontatuara ndaj subjektit u mor masa administrative: a). gjobë 300,000 lekë për tregtim të mallrave të cilëve u ka kaluar afati i përdorimit dhe b). bllokim për asgjësim te mallrave me afat përdorimi të kaluar.
- Kontrollet e kryera nga AKU Korçë evidentuan mospërmbushje të kërkesave ligjore për treguesit e sigurisë së ushqimit nga dy subjekte. Për shkeljet e konstatuara ndaj secilit prej subjekteve u mor masa administrative: a). gjobë 300,000 lek për ushqim të pasigurtë dhe b). bllokim për asgjësim te sasisë 500kg djath i papërshtatshëm për konsum.
- Kontrolli i ushtruar nga AKU Korçë në një tjetër subjekt evidentoi kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare. Për këtë shkelje AKU mori masat administrative: a) gjobë ne vlerën 300,000 lekë për mungesë të kushteve higjieno-sanitare dhe b). Ndërprerja e aktivitetit deri në plotësimin e këtyre kushteve.
- Drejtoria Rajonale e AKU Shkodër në kuadër të masave administrative të marra gjatë kontrolleve të kryera, ka bërë asgjësimin e rreth 48.7 ton farë misri të papërshtatshme për mbjellje. Procesi i asgjësimit u krye me pjesëmarrjen e inspektoreve të AKU, të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe të Drejtorisë të Tatimeve.
e.ll./dita
