VENDI I SHQIPONJAVE / Vende të reja pune, BE-ja ka nevojë për mallkuesit profesionistë shqiptarë

redaktor

Në një kohë kur reportazhet e gazetarëve patetikë për zanatet e vjetra që po shuhen, ndjekin njëra-tjetrën, një profesion i lashtë në këto troje jo vetëm që është rikthyer, por po përhapet me sukses dhe është shumë i kërkuar edhe në tregjet e huaja.

Nuk është fjala për saraçët, bakërxhinjtë, nallbanët, shajakpunuesit, farkëtarët etj.

Jo jo. Dikur, ky zanat i veçantë vlerësohej aq shumë sa edhe sulltani i Stambollit mbante pranë vetes disa të tillë. Munxadhënësit, ose në terminologjinë moderne, mallkuesit profesionistë, ishin ata që nëmnin me rrënjë e me degë armiqtë e perandorisë para çdo fushate ushtarake. Më të shkëlqyerit prej tyre, bëheshin drejtues dhe merrnin gradën e kryemunxadhënësit.

Me rritjen e kërkesave nga tregu vendas dhe ai i huaj, mallkuesit hasen gjithnjë e më shpesh në Shqipëri.

I pari, dhe në njëfarë mënyre pioneri i Rilindjes së mallkimit shqip mbetet përmetari me origjinë gjermane, Hazbi von Këlcyra. Nëmat e tij origjinale dhe aq të qëlluara kanë kapërcyer kufijtë e vendit dhe punët e tij artistike kërkohen në mbarë rajonin.

Aristokrati i njohur është angazhuar me kohë të pjesshme edhe në fushatën e beftë elektorale greke për zgjedhjet e parakohshme, jo vetëm me SYRIZA-n e Alekos por edhe me Demokracinë e Re të Miços.

Do të mbeten në histori dy thëniet e tij lapidare. Ajo kundër të djathtëve grekë: “Kush voton Miçon e zëntë kapsllëku për dy muaj rresht dhe plastë në vend ditën e Shënmërisë së gushtit”, dhe kundër të majtëve, “Kush voton Aleko këllirën, i rëntë një diarre akute e kombinuar me rubeolë post-elektorale dhe e spërkatur me shenja të forta fruthi. Të shoqërohet me verë të bardhë”.

Por Hazbiu ishte vetëm lulja e parë që lajmëroi pranverën, ose ajo temperatura e lehtë që paralajmëron gripin e shpezëve. Të tjerë mallkues po shkëlqejnë në Shqipëri, mes tyre edhe personazhe nga sfera që pakkujt do t’ja merrte mendja.

“Unë vërtet në profesion jam politikan arkeologjik, por mallkimin e kam patur hobi që në rini. Unë në kohën e lirë mallkoja rregullisht, atëherë kur shokët e mi bënin sporte ose luanin letra, ose i binin ndonjë vegle,” thotë për Gojët e Liga i moshuari Nerican Tekja. “Që mos arrifshin e mos bofshin hajër, jarebi,” shtoi ai me elokuencë.

Një tjetër mallkuese me perspektivë është gazetarja Hazëre Xhevapi. Përvojat e para me mallkimin ajo i ka patur pasi u kthye një ditë nga tregu i perimeve dhe vuri se pjepri që kishte blerë, ishte zverdhur si limon.

“Ishte një e verdhë e shpifur, që ç’të të them,” rrëfen kolegia Hazëre Xhevapi, “Ndaj iu thafshin duart gjer më rrëzë atij fshatarit që e ka mbjellë, fermerit që e ka mbledhur, grumbulluesit të shumicës, si dhe tregtarit të pakicës me gjithë familje, që mos pafshin ditë të bardhë”.

“Aaa, se harrova, edhe shoferit që e transportoi dhe familjes së tij, nëse ka, apo në mungesë të saj, të afërmve të brezit të dytë,” shtoi ajo me takt.

Ekspertiza e mallkuesve, munxadhënësve e sharësve shqiptarë tashmë ka tërhequr vëmendjen. Së pari, të politikës së të gjithë krahëve, që kërkon të ketë shërbimet e më të mirëve. Por edhe të tregjeve të huaja. Kurset e përgatitjes së mallkuesve janë shtuar së fundmi dhe kërkesat janë të mëdha në institutin “Kolloqithja”.

“Vetëm Gjermania kërkon 10 mijë mallkues brenda vitit,” pohon koordinatorja e institutit Sarmonela Veremi, “dhe nuk e dimë a do t’i plotësojmë kërkesat”.

Nga ana e tij, kryeministri Edir Ama i përgënjeshtroi totalisht zërat e opozitës se largimi masiv i mallkuesve të kualifikuar, po krijonte një vakum të rrezikshëm në vendin e shqiponjave.

“Munxadhënësit shqiptarë natyrisht që mund të lëvizin edhe jashtë vendit, sepse për këtë ditë luftuam. Por ama vendi nuk ka boshllëqe. Madje qeveria ime miratoi ligjin që promovon me pagesë dyfish, mallkuesit që shkojnë të shërbejnë jashtë Tirane. Kush shpif për të kundërtën, mos u gdhiftë e mos paftë prapë diell me sy, inshallah!,” shtjelloi Edir Ama.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Kush e kupton ndryshe, e zëntë alergjia e kikirikëve jarebi

Share This Article
1 Comment
  • Nejse, se shumica janë mësuar me bythëputhjen ka edhe si këta që bëjnë kërkojnë të bëjnë bythëlarje publike

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *