Në këto momente dikush është i ngujuar prej gjakmarrjes, dikush nuk ka të hajë, dikush nuk ka ku të fusë kokën etj. Dikush duhet të mendojë për ta.
Shansi ‘Blair’
Ndonse në parim prioritetet qeverisëse nuk përzgjidhen sepse të imponohen, ‘Delivery Unit’ i Tony Blair ofron një shans më shumë në përcaktimin, përmbushjen dhe ndjekjen e prioriteteve përballë trashëgimisë problematike pafund. Sa kohë objektivi është racionaliteti në qeverisje, gjetja e burimeve financiare dhe vlerësimi realist i performancës, është domosdoshmëri ‘filtrimi’ në kohë dhe në hapësirë i prioriteteve që të panumërta siç janë, provokojnë deri konfuzion.
Kjo nënkupton si: (a) kriteret e përkufizimit të prioriteteve ashtu dhe (b) renditjen sipas rëndësisë. Prioritetet lidhen me nevojat dhe sipas Maslow,evoluojnë nga ato bazike apo të mbijetesës – uria, etja etj, drejt sigurisë (strehimi, siguria fizike etj), sociale (nevoja për të tretë), egos (kulti e imazhi personal) deri tek ato sublime të ‘amëshimit’ apo vetiluminimit (hulumtimit dhe gjetjes së vetvetes). Në këtë paradë nevojash, emergjente janë ato të mbijetesës e sigurisë (e drejta i jetës i jep jetë çdo të drejte). Të tilla ka plot mes nesh por mjerisht, llogaritë politike, elektorale, deri klienteliste në tranzicion, i kanë nënvleftësuar deri më sot.
Misioni ‘karroatrec’
Prioritetet mund të shihen si prioritete(a) zhvillimi (mund të ngërthejnë terma afatgjatë realizimi, investime të konsiderueshme dhe ofrojnë përgjithësisht përfitime direkte për mbarë shoqërinë (zhvillimi i turizmit, ngritja e korridoreve rrugore, hekurudha, spitale e shkolla të reja, forcimi i rendit etj), apo prioritete (b) emergjence (shpëtimi) – të ngujuarit nga gjakmarrja, uria kronike, banesa në rrezik, të sëmurë që kurohen vetëm jashtështetit etj. Edhe brënda një kategorie, psh. strehimi, prioritetet ndahen me ndikim direkt në interesin e (a) mbarë shoqërisë (strehimi i familjeve të reja etj) apo (b) kategorive të caktuara (banorët në shtëpi me pronar, romët, ish të përndjekurit) etj.
Ciladoqoftë zgjedhja, sfida mbetet kosto oportune dhe implikimet morale, politike, sociale, monetare apo elektorale. Ndërkohë, sa kohë strategjitë e shpëtimit mbeten akute, qeveria e rilindjes duhet të bëjë ‘karrotrecin’, pavarësisht ‘sikletit’ të imazhit për një vënd NATO dhe aspirant në BE (asistenca ushqimore është sfidë për mjaft syresh edhe në vetë perëndim).
Në finale, sesa seleksionimi i prioriteteve, thelbi mbetet gërshetimi i tyre. Aq sa dikush kërkon të mbijetojë, po aq kemi të gjithë nevojë për një ligj zgjedhor që mundëson votë të lirë, president që nuk i bën duva të shkuarës (jo vetëm unitetin e kombit por as unitetin e PD nuk po simbolizon), njohje të çështjes çame dhe arvanitasve, kufi detar tek ‘thana’, arsim që mban ‘era’ perëndim, turizëm pa ‘getozim’, luftë drogës dhe Lazarat normal, pushtete të pavarura, promovim të vlerave të familjes dhe ‘çensurë’ ndaj antivlerave (arrestohen prostituta ndërkohë që massmedia bart dhunë dhe pornografi), buxhet pozitiv, infrastrukturë moderne, hapjen e dosjeve etj.
Prioritet për kë!
Ndryshe nga tranzicioni, prioritet e rilindjes duhet të nisen nga morali dhe jo pragmatizmi elektoral. Me adresim prioritar emergjencat e mbijetesës për të cilat nuk mban më ujë ‘pilafi’ dhe ato të ngjizjes së besimit tek ligji me hap të parë vënien e drejtësisë së munguar gjatë.
Ky adresim mund të bjerë ndesh me ‘marketingun’ politik apo qasjen ‘pragmatiste’ të tranzicionit por, edhe nga pozitat e ‘pragmatistit’ elektoral, prioriteti ndaj pakicave elektorale (romët, të pastrehët e nxjerrë nga shtëpitë e pronarëve, fëmijët e ngujuar, të uriturit etj) nuk të lë pa ‘gjë’ teksa, pavarësisht votave të pakta prej efektit direkt në këto komunitete (deri që nuk votojnë apo votojnë gjetiu), ka dhe një efekt indirekt afatgjatë për mbarë shoqërinë. Kjo, sepse kujdesi për pakicat sociale dhe mesazhi se askush nuk braktiset në hallin e tij cilidoqofshin rrethanat, gjeneron publicitet efektiv dhe perceptim pozitiv tek publiku që konsolidon besimin se me këtë qeveri e ardhmja ofron siguri dhe drejtësi pa dallim. Dhe kjo reflekton në votë.
Mensa falas, liri prej ngujimit, ligji ‘Sofia’ për strehim
Në terma afatgjatë, po aq sa efekt elektoral ka mbarimi i Unazës së Re, ka edhe strehimi i qytetarëve në rrugë të madhe ‘kortezi’ e Aktit Normativ Berisha, sa efekt ka furnizimi me ujë dhe energji, ka dhe ngritja e mensave falas për të varfërit, po aq sa efekt ka rikthimi i projektit për qëndrën e Tiranës, ka dhe dhënia fund e gjakmarrjes etj.
Në finale, kriteri përzgjedhës mbetet kosto nëse ato lihen pas dore. Çdo ditë që kalon nuk peshon njëlloj për qytetarin që kërkon park të shlodhet dhe atë që fle në stol sepse nuk ka banesë, për atë që pret rritje pensioni dhe atë të ngujuar nga gjakmarrja, të papunin që merr asistencë sociale qesharake (të punësuarit e shtuar në organikën e ulët në shtet marrin një rrogë që duhet ta merrnin minimalisht si asistencë) dhe të sëmurin në pritje të operacionit jashtështetit, të përndjekurin që pret bursë studimi për fëmijën dhe të përndjekurin që fle në bodrum, qytetarin që pret shërbim urban më të mirë dhe atë që ka emrin në lista dyqanesh etj.
Tragjedia e nënë Sofies që dha shpirt në qiell të hapur, është peng i shoqërisë dhe shtyn për reflektim. E drejta e pronës nuk ka prioritet ndaj të drejtës së jetës ndaj është urgjente një ligj që garanton zgjidhje dinjitoze për banorët në shtëpi me pronarë. Strehimi ndërkohë për romët, qytetarët me pak të ardhura, ata në shtëpi me pronarë etj, duhet të evitojë ‘getozimin’apo marzhinalizimin e diskriminimin me pasoja sociale ndaj dhe për romët, ish-reparti ushtarak duhet të shihet si zgjidhje kalimtare për më tepër nëse bart edhe probleme pronësie (edhe në monizëm strehimi nuk krijonte ‘geto’ apo izolim komunitetesh).
Disa prioritete emergjente të kësaj natyre kanë fatura financiare të mëdha; ndoshta duan edhe kohë por mbetet jetike, në mos zgjidhja definitive sot, futja në rrugën e zgjidhjes pakthim.
Emergjenca e shpresës për rilindje
Por nëse dikush është keq për bukë, të gjithë jemi keq për besim në ligj. Me shpresën luks në tranzicion, është përgjegjësi e qeverisë ta ringjallë atë me sipar drejtësinë ndaj abuzimit qeveritar pa dallim. Çdo vonesë, zhgënjen dhe kompromenton vetë drejtësinë teksa qeveria, duke qënë vetë subjekt kritikash (pavarësisht sa me vënd apo jo), do të paragjykohet ndaj çdo atakimi të abuzimit të djeshëm duke i dhënë mundësinë PD të spekulojë se gjithshka është luftë politike për të shmangur vëmëndjen nga problemet e ditës.
Prioritetet janë të shumta, tundimet politike po ashtu. Por, kur për syresh një ditë është një vit – i ‘murosuri’ prej gjakmarrjes, ai që nuk ngop dot barkun me bukë, ai që nuk ka një çati mbi kokë etj, për një qeveri të rilindjes veç dilema nuk mund të ketë. Është sfida e saj, është vetë rilindja.
