Si duhet trajtuar inkontinenca urinare?

Leda Hysa

Mosmbajtja dot e urinës është një problematikë që haset shpesh tek shumë persona. E njohur ndryshe në gjuhën mjekësore si inkontinenca urinare, kjo gjendje mund të bëhet mjaft shqetësuese. Janë një sërë faktorësh që ndikojnë në shfaqjen e inkontinencës urinare, një pjesë e të cilëve janë edhe të modeifikueshëm. Mjekja Ilda Xhelili tregon në vijim të shkrimit se shkaqet më të shpeshta të kësaj problematike, simptomat dalluese, testet dhe ekzaminimet që duhet të kryeni për të përcaktuar diagnozën e saktë, si dhe këshillat në lidhje me trajtimin që duhet të ndiqni.

Çfarë është inkontinenca urinare?

Ky term i referohet mosmbajtjes së urinës, pra rrjedhjes së pavullnetshme të saj. Urinimi është një akt i vullnetshëm që realizohet nga çdo njeri i shëndetshëm. Edhe pse të dyja gjinitë janë të prekura nga kjo patologji, ekzistojnë disa faktorë unikë për gratë që e rrisin rrezikun e shfaqjes së inkontinencës urinare tek ato. Mosmbajtja e urinës është më shumë se një shqetësim shëndetësor. Ajo prek njerëzit në një nivel social, psikologjik dhe emocional. Njerëzit që kanë këtë problem mund të shmangin vende, ose situata të caktuara për të mos u vënë në siklet. Disa studime sugjerojnë se rreth 31 për qind e grave të moshës mbi 75 vjeç janë të prekura nga ky fenomen.

Cilët janë shkaktarët kryesorë të inkontinencës urinare?

Shkaktarët e mosmbajtjes urinare ndahen në dy kategori kryesore. Së pari, irritimi i mukozës së brendshme të fshikëzës është një shkak themelor dhe së dyti është humbja e kontrollit frenues të sistemit nervor të kontraktimit (tkurrja) të fshikëzës. Kushtet neurologjike, si goditja, sëmundja e Parkinsonit, skleroza e shumëfishtë dhe dëmtimi i palcës kurrizore mund të dëmtojë nervat që kontrollojnë fshikëzën dhe të çojnë në inkontinencë. Nervat mund të dëmtohen gjithashtu edhe nga diabeti, apo edhe medikamentet diuretike (që nxisin urinimin). Po ashtu dobësia e muskujve të legenit (bacinit) dhe indeve ku mbështetet vezika urinare dhe tubat e urinës janë një tjetër faktor që çon në inkontinencë urinare. Këta muskuj dhe inde mund të dobësohen nga shumë faktorë.

A mund të mbahen nën kontroll këta faktorë?

Disa nga faktorët që kontribuojnë në këtë çrregullim janë të modifikueshëm dhe disa nuk janë. Për shembull rritja e moshës dhe gjinia femërore e rrisin rrezikun. Gjithashtu, kirurgjia në zonën e legenit, dëmtimi i nervave përkatës gjatë operacionit, kollitja kronike, pirja e duhanit, obeziteti (mbipesha), shtatzania dhe lindja janë shkaqe të mundshme. Gratë që kanë shtatzani të shumëfishta janë në një rrezik edhe më të madh. Mosmbajtja e urinës mund të ndodhë edhe në moshat e reja si pasojë e gjendjeve të forta stresante. Po ashtu edhe infeksionet e rënda të rrugëve urinare, veçanërisht ato të fshikëzës së urinës mund të shoqërohen më inkontinencë urinare.

Me çfarë shenjash klinike shoqërohet kjo patologji?

Është e qartë që klinikisht inkontinenca urinare shoqërohet me mosmbajtje të saj, pra rrjedhje jo në kohën dhe vendin e duhur të urinës. Por kjo mund të shoqërohet edhe me shenja të tjera, si për shembull ndjenja e një nevojë të fortë për të urinuar menjëherë (urgjenca) dhe pastaj rrjedhja e saj pa arritur të shkohet në tualet. Urinimi mund të shoqërohet me djegie, dhimbje ose edhe me gjak në urinë (këto në varësi të shkaktarit të gjendjes). Prandaj është e rëndësishme të evidentohet saktë situata për të bërë të mundur evidentimin e shkaktarit në kohën e duhur.

Cilat janë ekzaminimet e nevojshme për përcaktimin e diagnozës?

Përveç historisë së sëmundjes që tregon pacienti dhe ekzaminimit fizik që kryen mjeku janë të rëndësishme edhe një sërë ekzaminimesh që duhet të kryeni. Për të vendosur diagnozën e saktë të kësaj gjendjeje, mjeku juaj mund të kërkojë që të bëni ekzaminimin e urinës (mikroskopik dhe kulturë) për praninë e gjakut, proteinës, mikrobeve. Po ashtu e nevojshme mund të jetë edhe një ekografi për të ekzaminuar të gjithë aparatin urogjenital. Në raste të caktuara mund të nevojiten edhe testet  kimike të funksionit të veshkave, si dhe testi i stresit që përfshin kollitjen e sforcuar. Ndërsa cistoskopia- është ekzaminimi që lejon vëzhgimin e mureve të brendshme të vezikës urinare nëse ka dëmtime. Është gjithashtu e rëndësishme që pacienti të mbajë një ditar për disa ditë për të evidentuar më mirë se si ndodh konkretisht ky proces dhe nëse ka faktorë stimulues.

Çfarë u rekomandohet pacientëve për ta minimizuar problemin?

Raste të lehta të inkontinencës urinare mund të ndihmohen me ndryshime të thjeshta të stilit të jetesës. Ka disa gjëra të thjeshta që mund të ndihmojnë në zvogëlimin e simptomave të mosmbajtjes së urinës. Së pari janë të njohura ushtrimet e Kegelit. Fillimisht duhet të siguroheni që vezika urinare është bosh. Mund të ushtroheni ulur në karrige, ose shtrirë në shpinë me gjunjët e mbledhur duke shtrënguar muskujt e të ndenjurave (sikur do mbani urinën) për 3 deri në 5 sekonda dhe relaksohuni po 3 deri në 5 sekonda. Kjo rekomandohet deri në 10 herë. Përsëritni këto ushtrime tre herë në ditë. Gjatë ushtrimit merrni frymë thellë dhe kujdesuni të mos shtrëngoni muskujt e stomakut dhe të kofshëve. Rekomandohet për 4 deri në 6 javë.

Krahas këtyre ushtrimeve, çfarë mund të këshillojmë tjetër?

Përveç këtyre ushtrimeve të dobishme rekomandohet shmangia e kafesë, coca-cola, alkoolit, çajit,duhanit pasi nxisin urinimin me urgjencë. Trajtoni kapsllëkun pasi zorra e mbushur ushtron presion mbi fshikëzën. Hani sa më shumë fibra për trajtimin e konstipacionit. Marrja e fibrave ndihmon në lëvizjen e zorrëve dhe minimizimin e rrezikut të inkontinencës. Shumica e të rriturve duhet të synojnë marrjen e rreth 25 deri 30 gramëve fibra në ditë (thjerrëza, fasule,bishtaja, articoka, avokado, manaferra, fiq), etj. Fibrat dhe uji ndihmojnë në shëndetin e zorrëve dhe në minimizimin e konstipacionit. Të qenit konstipativ rrit presionin në të gjithë barkun, rrjedhimisht edhe në fshikëzën e urinës. Edhe reduktimi në peshë do të ndihmojë në uljen e presionit që i bëhet fshikëzës së urinës.

Po në lidhje me trajtimet mjekësore çfarë mund të themi?

Sa i përket trajtimit mjekësor gjithçka do të varet sigurisht nga shkaku themelor. Nëse ka dëmtime nervore mund të jenë të pakthyeshme. Trajtimi i diabetit merr rëndësi të veçantë për të parandaluar këtë patologji. Për gratë gjatë menopauzës mund të ndikojë edhe trajtimi hormonal sipas këshillimit të mjekut specialist. Po ashtu, mjekët specialistë urologë mund të rekomandojnë preparate që zvogëlojnë tensionin e fshikëzës së urinës, duke pasur parasysh edhe efektet anësore të tyre. Në varësi të shkaqeve të inkontinencës mund të jenë të nevojshme edhe ndërhyrje kirurgjikale që kryhen nga mjekët specialistë urologë.

Ekzaminimet dhe testet e rekomanduara

  • Histori e sëmundjes që tregon pacienti dhe ekzaminimit fizik që kr
  • yen mjeku.
  • Ekzaminimi i urinës (mikroskopik dhe kulturë) për praninë e gjakut, proteinës, mikrobeve.
  • Një ekografi do të ishte e nevojshme për të ekzaminuar të gjithë aparatin urogjenital.
  • Testet kimike të funksionit të veshkave.
  • Testi i stresit që përfshin kollitjen e sforcuar.
  • Cistoskopia, ekzaminimi që lejon vëzhgimin e mureve të brendshme të vezikës urinare nëse ka dëmtime.
Share This Article
1 Comment
  • Nji keshille e mrekullushme praktike asht per ato mashkujt qe vuajne per te urinuar dhe shkojn tash e pare ne banjo i keshilloj qe te ulen e te urinojne sic urinon seksi femen.Sepse ka disa etapa urinimi te njimbasnjishme 2 -3 apo 4 here deri ne shkarkimin e plot te fshikzes nga urea.Mbas keti vaktit qendron edhe 2 – 3 apo rastise dhe 4 ore pa shqetesime urinimi.Urinimin e ndihmon shume shkarkimi i gaznave nga anusi.Kjo ule dhe ngritjen nga gjumi nga 4 – 5 here ne nate deri ne 2 – 3 here apo dhe vetem njihere(kjo kuptohet ne ndonji rast)Jo ne menyre absolute.
    Pershendetej.
    Une jap keshilla te sakta dhe kam deshire qe njerzit te jene sa ma mire shendeterisht.
    Nese nuk shkon kjo keshille pres mendimin e urinologes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *