Nga Bedri Islami
Nga redaksia e gazetës DITA, lidhur me shkrimin tim të djeshëm, “Zgjidheni ose shporruni”, më lajmëruan se mes postimeve dhe komenteve të ndryshme, njëri nga lexuesit më kishte dërguar disa pyetje, të cilave kishte dëshirë t’i bënte sy më sy, por kishte gjetur këtë rrugë dërgimi.
Si çdo njeri i mediave, unë i respektoj të gjithë ata që marrin kohën dhe lexojnë shënimet e mia, pavarësisht nëse i pëlqejnë apo jo, pavarësisht se shumë prej tyre janë anonimë.
I lexova të gjitha pyetjet, si dhe shënimin në fund të tyre “ jam kurioz të di se çfarë përgjigje do më jepje ose çfarë analize do të bëje. Me dorë në zemër ama dhe me sinqeritet, që fatkeqësisht tek e majta dhe tek e majta mungon”.
Për sinqeritetin që mungon tek “e majta” dhe për sinqeritetin me bollëk tek e djathta, do të shkruaj në fundin e këtij shënimi.
Por le të nisi me pyetjet dhe mendimin tim vetjak.
1.Çfarë analize do të bëje nëse në pushtet do të ishte Berisha dhe do të eliminonte Gjykatën Kushtetuese?
Gjykata Kushtetuese, në përbërjen e saj më të madhe, ishte krijesë e Berishës. Me përjashtime të vogla aty u dërguan militantë besnikë të tij, të cilët, nisur nga përkushtimi si beze për të fshehur makutërinë e tyre, u bënë të padenjë për të qëndruar aty.
Sot në Gjykatën Kushtetuese ka vetëm një njeri, të gjithë të tjerët u shkarkuan nga Vettingu ose ikën para se të niste ky proces, çka do të thotë se e dinin se çfarë kishin bërë.
Të kesh gjykatës kushtetues të mbytur në pasuri të pashoqe, të kthyer në oligarkë të gjyqësorit dhe të paprekshëm nga askush, do të thotë që fillimisht të kërkosh ndjesë përse i ka deleguar këto njerëz në shkallën më të lartë të sistemit tonë të drejtësisë.
Mund të mos jesh dakord me Edi Ramën apo me politikën e tij, por nuk mund të jesh i një mendje dhe të ndjehesh i qetë me një sistem drejtësie nga i cili janë larguar deri tani thuajse 40 për qind e kësaj trupe.
A nuk është paradoksale që të gjithë këto gjykatës e prokurorë kanë marrë dhurata dhjetëra e dhjetëra mijëra eurosh, jo rrallë qindra mijërash, nga nëna, motra, vëllai, kunati, vjehrra, vjehrri, kanë blerë apartamente të stërmëdha me shifra minimale, kanë prona të patundshme? Njëri prej tyre deklaronte dhurata nga motra në një vend të huaj prej gati 300 mijë dollarësh, kur motra vetë ishte pastruese shkolle dhe kunati administrator pallati e jetonin për vete me qira?
Gjykata Kushtetuese, por edhe Gjykata e Lartë, që është sot jashtë funksionit, kanë mbi vete barrën e rëndë të devijimit të sistemit të drejtësisë, të pazareve të turpshme me vrasës dhe krimin, vendime të cilat do të jenë në analet e turpshme të historisë së drejtësisë.
Kush mund ta mendonte disa vite më parë, as gjyqtarët nuk e menduan këtë, se do të vinte një ditë dhe një gjyqtar oligark do të largohej nga sistemi si hajdut i zakonshëm, përvetësues, por edhe pjesë e krimit.
Kush mund të mendonte se kishim një prokuror të përgjithshëm latifondist tokash, që bënte pazare me njerëz të dënuar për vrasje, ndërsa dosjet e tjera i ruante për ditë të këqija politike?
Nëse në dhjetorin e vitit 2016 kishim një prokuror të përgjithshëm – vegël të opozitës, përse ai nuk analizoi, hetoi dhe dërgoi për gjykim krimet e votimeve në Dibër apo në Durrës?
2.Do të kërkonte shkarkimin e Presidentit..
Është ditur që në fillim se presidenti Meta do të ishte kockë e vështirë për të majtën në pushtet. Politika e Ramës ishte që, duke e dërguar në pallatin presidencial të shkëpuste lidhjet e tij me lësëistët. Kërkesa për shkarkimin e tij është nga ngutjet politike inatçore, mes dy njerëzve që, ashtu si kanë bërë pazare bashkë, ashtu kanë edhe mëritë e tyre. Është luftë mes dy njerëzve të cilët e kanë parë dhe e shohin Shqipërinë si bahçen e tyre, dhe, duhet thënë, nuk ka asgjë të përbashkët me principet, idetë apo me vizionin për kombin. Meta është politikan pasionant, që, ndryshe nga ajo që deklaron, me qetësi e dashuri, shpërthen dhe hip mbi tavolina, bën thirrje se unë kam ardhur këtu me miqtë e mi dhe nuk e duron dot hijen e Ramës, hije të cilën dikur e ka rritur vetë.
Kërkesa për shkarkimin e tij është pasojë e jo shkak. Në cilin nen të Kushtetutës presidenti mund të anulojë zhvillimin e zgjedhjeve vendore, për të cilat ka afate të përcaktuara qartë, ligje e rregulla të ditura?
Zhdekretimi i zgjedhjeve sjell pasojën e rritjes së mosbindjes qytetare, e ndërsimit mes njerëzve, e përplasjes së mundshme, e krijimit të klimës së frikës dhe të pasigurisë, e një pamje krejt ndryshe të vendit. Ky ka qenë edhe qëllimi i zhdekretimit dhe lojërat me fjalë nuk të çojnë drejt zgjidhjes, por anti-zgjidhjes.
Të dy, njëri nga e majta e supozuar dhe tjetri nga e majta përfituese, i kanë bërë mirë llogaritë. As Rama nuk do e shkarkojë Metën dhe as Meta nuk do e shpërndajë parlamentin.
E gjitha do të jetë një stuhi në gotë.
3.Do të zëvendësonte opozitën e vërtetë me opozitë servile e palaço?
Të gjithë deputetët e tashëm janë të listës. E gjithë lista është bërë nga liderët e opozitës. E mban mend në vitin 2017 të pandashmen: Basha listën e kandidatëve për deputetë e dërgoi në katër seri; një herë një listë, pastaj shto edhe pak, pastaj edhe disa të tjerë, ndërro vendet, hiq këtu e shto aty. Shumë nga këto kaluan më parë nga zyrat e kunatit dhe të bashkëshortes, sa që një ish deputet i njohur, Ruli do të thërriste “nxirrni me shkelma nga zyra”.
Asnjëri në listë nuk është vendosur nga shumica. Shumë prej tyre kanë paguar për të qenë në listë. Ka pasur edhe paradokse të tjera, kur sekretari i përgjithshëm, njeriu i dytë në parti, vendosej i treti apo i katërti në listë dhe një biznesmen i pari.
Lista e liderëve opozitarë tregon se cilët kanë futur, si e kanë partinë e tyre, sa i përkohshëm është militantizmi, sa lehtë blihen dhe shiten tek ne politikanët, sa i josh ideja e pushtetit, përfitimi.
Duhet të ketë një ndryshim konceptual kolosal. Duhet hequr roli i Nëshit, si një gricë e historisë, që nuk ka tagër mbi vetë historinë.
Tek ne, mjerisht, Njëshi duhet të qytetërohet nga të tjerët, nëse, për arsye fatkobe nuk e posedon këtë qytetari të domosdoshme.
Ne i kemi bërë Njëshat mbretër. Më saktë, ata e kanë bërë veten, ndërsa ne heshtim. Këto Njësha e mbushin listën me cilët të duan, si të duan. I vendosin në radhë jo nga mendja, por nga pasuria, bukuria, përbetimi, besnikëria. Harbutët janë para mendjes. “Trimat” janë para të mençurëve. Të shitshmit janë para atdhetarëve. Hajdutët kanë zënë vendin e të ndershmëve. Atëherë, pse habiteni kur skalioni i dytë i ngjet të parit? Mos ju është dukur më i mirë skalioni i parë? E dëgjuat një deputet erotik, Salianji, që pak ditë më parë kërkonte 400 të vrarë në protestën e 21 janarit? E dëgjuat fjalorin e deputetëve të majtë dhe ish ministrit? I dëgjoni thirrjet molotoviste të opozitës dhe kërcënimet me prerje kokash?
Të gjithë janë zgjedhur nga Njëshi përkatës!
Këto Njësha e kanë mbushur parlamentin me rrugaçë, me njerëz të paditur, që nuk lexojnë, me vajzurina që punën e parë e kanë deputetllëkun e që pastaj flasin si të jenë trimat e botës.
Lista nuk është e shumicës, është e opozitës dhe ajo duhet të mësojë nga faji i saj.
Në Shqipëri nuk është e vështirë të blesh një deputet, aq më tepër kur ai ka paguar të jetë në listë.
Krijimi i një opozite falso është dëshmi se vetë opozita edhe skalionin e parë e ka të tillë.
Nëse nuk ndryshohen që në themel ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, këtë parlament do të kemi.
4.Do të hynte në zgjedhje pa opozitën, do të kishim një parlament monopartiak, do të kishim një pushtet vendor tërësisht monopartiak?
Askush, edhe sot, nuk e di pse opozita dorëzoi mandatet dhe braktisi parlamentin! Kjo është enigma edhe e vetë demokratikasve.
Parlamentarizmi në Shqipëri ka patur ditë më të rënda, por askush nuk është larguar. Përse?
Doli se zgjedhjet e vitit 2017 u vodhën, kur kishe gjysmën e qeverisë, që nga ministri i brendshëm, i drejtësisë, i arsimit, i shëndetësisë, një zëvendëskryeministre që do i bënte nder çdo qeverie, minzra të tjerë, institucione të rëndësishme, plus nja 15 milionë euro për pallatin e vjehrrit?
Historia e vjedhjes së votave, përvetësimit, ndryshimit, blerjes, shitjes ka një zanafillë: vitin 1996. Pas humbjes së referendumit për Kushtetutën mbretërore-presidenciale, ku humbja ishte e pabesuar, qëndrimi në pushtet erdhi si rrjedhë e masakrës së majit 1996.
Historitë janë të njohura. Edhe, si duket, do të jenë. Sa më shumë që afron dita e krijimit të SPAK-ut, aq më shumë ashpërsohen tonet e politikës. Sa më tepër që mendohet se në shtator do të vijnë një elitë juristësh të huaj, jo vetëm si konsulentë, aq më tepër ndizen gjakrat.
Opozita bëri gabimin fatal të largimit nga parlamenti. Edhe po ta kishte paguar Edi Rama, Basha nuk do i kishte bërë nder më të madh. Nga i pa faktorizuar, e bëri faktor. Nga shkuarjes drejt mosbesimit, e bëri pikën më të besuar të politikës. Nga njeri i papritur, e bëri nyjen që mund të lidhte besimin.
Precedenti Basha, me largimin nga parlamenti nuk mund të ligjërohej nga askush. Kur ikën, mos e kthe kokën pas. Vjehrri nuk ka më pallat që të shembet dhe të dëmshpërblehet. Qeveria nuk ndahet më në gjysmë. Mund të vësh kushte në shtëpinë ku të kanë deleguar të sundosh, se liderët tanë janë sundues, por jo në shtëpinë e tjetrit.
Opozita nuk doli nga parlamenti dhe nuk bojkotoi zgjedhjet në vitin 1997, kur në gjysmën e Shqipërisë nuk shkeli këmba e saj, ndërsa tani po “voltanizohet” dhe “molotovizohet”.
Ta zëmë se u shtynë zgjedhjet. Opozita nuk e do këtë. Kërkon rënien e qeverisë, largimin e Ramës, qeveri teknike, burgime etj.
Kush je ti ? Opozita mund të mos dojë zgjedhje vendore edhe dy vite të tjera dhe, në fakt, nuk i do, por shteti nuk është vetëm opozita.
Presidenti e di fare mirë se opozita nuk do zgjedhje, sepse gjysmën e opozitës e ka në shtëpi, por do kokën e Ramës.
Nuk bëhet qameti nëse Rama largohet, por bëhet, edhe njëherë, Kushtetuta si një copë leckë e pavlerë.
Kështu, lexues i panjohur!
Në fund: ndoshta e kujton një seancë parlamentare pas shpërthimit të Gërdecit, ku u vranë 26 vetë, u plagosën nja 300 të tjerë dhe e di besoj se kush qëndronte pas tyre.
Ish shefi i qeverisë po lexonte emrat e të vdekurve dhe kur erdhi tek baxhanaku i tij, e lexoi ndryshe.
Sinqeritet i jashtëzakonshëm!
E majta e sotme në Shqipëri nuk është e djeshmja, kur figura të shquara e përbënin atë dhe që kanë ngritur një histori të pashoqe.
Por, përsëri, ajo është forca më dinjitoze në Shqipëri, më e përkushtuara dhe më e spikatura në momentet kyçe të vendit.
Këtë duhet ta mësosh.
