SKANDALI / Dita ha bukën e frëngut dhe bën duanë e Moskovit, thotë shashka.al!

redaktor

Një report special dhe shumë serioz mbërriti ditët e fundit në redaksinë e portalit të çquar lajmeshashka.al, i cili siç e shpjegon dhe vetë emri origjinal dhe i pakopjuar asgjëkundi, e ka zakon që haberet shumë sekrete që mbledh, t’i çpërthejë me çpërthim të pakomanduar.

Haberi ishte çqetësonjës sepse vinte direkt nga ekspertja me famë të përbotshme, Olivia, e cila sipas burimeve në lartësinë e shashkës, është bashkëshortja e Popait, marinarit që ka bredhur dynjanë dhe i di mirë këto punë.

Sipas materialit çpërthenjës pra, kishte indikacione të forta se gazeta Dita nuk e honepste dot Aleancën Veriatlantike dhe shkruante haptaz kundër NATO-s.

Kaq anti-NATO ishte kjo fletushkë, saqë kishte angazhuar për të shkruar rregullisht në faqet e saj, armiqtë e betuar të Aleancës, Janusz Bugajskin dhe Shaban Muratin, për të përmendur vetëm dy prej autorëve.

Janua dhe Shaba, siç lexuesit të Ditës i kujtohet fare mirë vjellin vrer nga mëngjes në darkë kundër Amerikës dhe nuk lënë rast pa ftuar Beligradin dhe Moskovin të vijnë në Tiranë dhe ta shpëtojnë këtë vend qyqar nga nofullat e imperializmit.

Kështu pra, Dita ishte në krye të listës së mediave shqiptare, që sipas studimit të Olivias – e cila e kishte lënë materialin te dera e shashkës me shënimin “është bombë fare” – bëjnë dezinformim në dëm të NATO-s.

Jo vetëm kaq, por Ditasit mezi ç’presin që Ballkanin ta pushtojë Hordhia e Artë e Khanatit të Krimesë ose më mirë akoma, ndonjë aleancë tataro-uzbeke, që më në fund të shohë edhe ky vend një ditë të bardhë.

Menjëherë pas Ditës, në listë vinin një imam dhe një historian pro-sulltan, çka e bën edhe më të rëndë ngjarjen. Kjo ishte pika që e derdhi kupën.

Paskëtaj, në redaksinë e gazetës filluan disa hetime bombastike, që zbuluan se vërtet, një prej gazetarëve kishte çfaqur në të kaluarën një dobësi dyshuese për imam-bajalldinë, ndërsa një gazetare e online-it kishte patur një stërgjyshe që kishte lindur në Stamboll dhe u kishte mësuar gjithë grave të lagjes sesi bëhej sulltan-bakllavaja.

Këto indicie i hodhën poshtë dyshimet fillestare, krejt të pabazuara, se Olivia e Popait mund të kishte zgrapsur një raport të thelluar Albanez për të justifikuar edhe gjashtë muaj rrogë dhe kishte rënë rehat, ndërsa hanëmja e shashkës, Anulla Masha ishte përdorur si Mashë.

Jo, këto dyshime u Anulluan.

Por andej nga fundi i mbledhjes ku gati treçereku i stafit të Ditës po bëhej gati të mblidhte plaçkat dhe t’ja mbathte për në Ashkabad, dikush u ngrit e tha:

“Më falni, mos autoresha ka dashtun me thanë që Dita mban qëndrime jo anti-Nato, por Anti-Nata?”

Kjo u la për t’u parë, me shpresë se shashka.al do përdorë edhe ndriçime alternative për të parë realitetin, përveç flakëzave që lëshojnë shpërthimet e veta mediatike….

*****

SHËNIM: Gojët e Liga është rubrikë satirike që nuk ka asgjë kundër nisjes së ditës me raki, nëse kjo ndihmon për të botuar lajme të kthjellëta. Por deri tani, shkenca nuk është dakord…

Share This Article