Procedurat si të merrni fishat e diabetit falas

Elena Tase

Ndryshojnë procedura e ndarjes së fishave të diabetit për fëmijët dhe të rinjtë që do të përfitojnë nga skema e rimbursimit. Pacientët diabetikë deri në moshën 25 vjeç tashmë do t’i marrin fishat e diabetit  falas (rimbursim në masën 100 për qind), ndërkohë që nuk do jetë më e nevojshme që të vijnë disa herë drejt Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për ndjekjen e procedurave përkatëse. Kjo pasi ndarja e fishave për këtë kategori nuk do të bëhet çdo muaj, por çdo 6 muaj. “Fëmijët dhe të rinjtë deri në këtë moshë që vuajnë nga diabeti, mund të tërheqin 2 herë në vit sasinë e plotë të fishave falas për matjen e glicemisë, duke i kursyer çdo familjeje 12 mijë lekë të reja në muaj. Tashmë ka nisur shpërndarja e fishave të diabetit falas edhe për studentët dhe të rinjtë deri në 25 vjeç të prekur nga kjo sëmundje”, ka konfirmuar gjatë ditës së djeshme, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, teksa ndoqi nga afër procedurën e rimbursimit të fishave për studentët.

Procedura për tërheqjen e fishave

Për të lehtësuar pacientët, fishat e diabetit mund të tërhiqen për 6 muaj, duke ju shkurtuar rrugëtimin pacientëve, të cilët do të paraqiten vetëm dy herë në vit pranë QSUT, ose spitaleve rajonale të zonave ku ata jetojnë. Lidhur me kushtet se si do të përfitohen fishat nga kjo kategori, bëhet e ditur se :”Procedura e rimbursimit të fishave për matjen e glicemisë fillon tek mjeku i familjes, ku pacienti tërheq formularin për rimbursim dhe më pas paraqitet në farmacitë e rimbursimit, të cilat ndodhen në çdo spital rajonal dhe në spitalin universitar “Nënë Tereza” në Tiranë, për të bërë tërheqjen e sasisë së nevojshme për periudhën 6 mujore”. Ministrja Manastirliu ka deklaruar më tej se vendimi i Qeverisë për rimbursimin e fishave për matjen e glicemisë i kursen çdo familjeje që ka fëmijë apo të rinj me diabet, 1.6 milionë lekë në vit.“Pas rimbursimit të fishave të diabetit për fëmijët deri 18 vjeç, tashmë fishat për matjen e glicemisë janë falas edhe për studentët dhe për të gjithë të rinjtë me diabet deri në moshën 25 vjeç. Jo vetëm i kursejmë çdo familje 12 mijë lekë të reja në muaj, por sigurohet një cilësi më e mirë jete për këta fëmijë dhe të rinj”, vuri në dukje ministrja Manastirliu.

Konsultat online për rrethet

Një tjetër vendim i rëndësishëm që ka lehtësuar pacientët me diabet është ai i konsultave të specializuara online, nëpërmjet sistemit të Telemjekësisë. Me këtë sistem, pacientët nga rrethet nuk kanë më nevojë të vijnë në Tiranë për konsultën për përfitimin e penave të insulinës falas, duke siguruar shërbim afër vendbanimit dhe kujdes shëndetësor në kohë dhe me cilësi. Sipas procedurave të përcaktuara, konsultat online mbi trajtimin terapeutik dhe sasinë e penave të insulinës nga 8 deri në 12 pena në muaj, do kryhen nga mjeku endokrinolog në QSUT dhe mjeku endokrinolog në spitalet rajonale, nëpërmjet telemedicinës, në prezencën e pacientit. Mbi 340 pacientë e kanë marrë tashmë shërbimin afër vendbanimit, pa pasur nevojë të regjistrojnë datën për konsultë dhe më pas të merrnin firmën dhe vulën në QSUT për të përfituar penat e insulinës falas, kur bëhej fjalë për mbi 8 pena insuline. Në të gjithë vendin janë mbi 32 mijë pacientë që trajtohen me insulinë në rang vendi, e cila rimbursohet në masën 100 për qind nga shteti.

Dy analizat që konfirmojnë diabetin

Diabeti mellitus apo sëmundja e sheqerit është një sëmundje kronike që karakterizohet nga rritja e nivelit të glukozës apo sheqerit në gjak, për arsye se organizmi nuk ka mundësi të prodhojë insulinë, ose prodhimi është i pamjaftueshëm apo ka pamundësia të veprimit të insulinës në qelizat e organizmit. Sheqeri, që është burim energjie, për t’u përdorur ka nevojë për insulinë. Nëse insulina nuk prodhohet ose nuk funksionon mirë, sheqeri nuk thithet dhe rritet niveli i tij në gjak. Diabeti i sheqerit është në fakt një sëmundje e vetme, dhe karakterizohet nga çrregullimi i prodhimit të insulinë. Diagnoza e diabetit kërkon kryerjen e dy analizave laboratorike. Matja e glukozës, sheqerit në gjak para ngrënies(esëll) në mëngjes dhe Testi i tolerancës së glukozës,ku mbasi merret nga goja të 75 gr sheqer, matet niveli i sheqerit në gjak çdo 2 orë,ose një ripërsëritje mbas një dite e matjes së glukozës në gjak esëll. Ndërsa matja e hemoglobinës së glukozuar, Hba1c, përdoret kur është diagnostikuar diabeti dhe përdoret për të kontrolluar atë në 2-3 muajt e fundit

Zgjerohet skema e rimbursimit të barnave për 2019-n, përfituesit kryesor të saj do jenë pacientët me sëmundje kronike

Skema e rimbursimit për sëmundjet kronike

Gjatë takimit me të rinjtë që përfitojnë falas fishat e diabetit, ministrja e Shëndetësisë, u shpreh se do të vijojë zgjerimi i përfitimeve nga skema e rimbursimit, për të sëmurët kronikë që do të përfitojnë nga lista e re e barnave e vitit 2019, listë e cila pritet të hyjë në fuqi në datën 1 korrik. Nga ndryshimet bëhet e ditur se do të përfitojnë të gjitha kategoritë, veçanërisht pacientët me sëmundje kronike, siç janë diabetikët, të sëmurët kardiakë, pacientët që vuajnë nga veshkat,apo sëmundjet e gjakut, fëmijët, pensionistët, etj. Një tjetër kategori që do të përfitojë maksimalisht nga zgjerimi i listës së 2019-s janë edhe pacientët që vuajnë nga sëmundjet malinje.  Për të përfituar shërbimet shëndetësore nga skema e sigurimeve shëndetësore, duhet të jeni të pajisur me kartën e shëndeti. Karta e shëndetit, është mjeti i vetëm që identifikon të siguruarit dhe me anë të saj përfitohen shërbimet shëndetësore të skemës së sigurimeve shëndetësore në të gjitha nivelet. Pra, nëse jeni pensionistë, invalidë, veteranë, të punësuar, të vetëpunësuar, të siguruar vullnetarisht, fëmijë, gra shtatzëna, persona që trajtoheni me ndihmë ekonomike, punëkërkues etj, me anë të kartës së shëndetit mund të përfitoni nga skema e sigurimeve shëndetësore, duke filluar nga recetat e rimbursueshme, shërbimi te mjeku i familjes, te mjeku specialist, në qendrat spitalore, pra në të gjithë sistemin tonë shëndetësor publik.

Rimbursimi i plotë dhe i pjesshëm

Edhe për këtë vit, shkalla e rimbursimit për çdo përfitues të listës do të jetë e plotë, ose e pjesshme. Megjithatë, në asnjë rast nuk mund të jetë më e ulët se sa 50 për qind e vlerës së ilaçit përkatës. “Masa e rimbursimit të barnave do të jetë e përshkallëzuar nga 50 deri në 100 për qind të çdo medikamenti. Mbulohen në masën 100 për qind, barnat e listës për fëmijët 0-12 muajsh, invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët, për veteranët me sëmundje kronike dhe invalidët e luftës. Përfitimi me rimbursim në masën 100 për qind i këtyre barnave shkon edhe për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, sklerozë multiple, talasemisë major. Ndërsa për pjesën tjetër, barnat do jepen me rimbursim të pjesshëm, por jo më pak se 50 për qind të çmimit. Por, në çdo rast për të përfituar këto barna, pacientët duhet të jenë pajisur më parë me recetën e rimbursimit nga mjeku i tyre i familjes”, bëjnë me dije specialistët e dikasterit të shëndetësisë.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *