ESE / Monologjet e Vagonit

redaktor

Situata që po kalojmë është në fakt është një situatë e pazakontë, në një kohë të pazakontë të vitit, kur zakonisht gëlojnë prenotimet e turistëve të huaj nga Rusia, Turqia, India, nga miqtë tanë bjellorusë, dhe në një moment të pazakontë për familjen rilindase, e cila ka përgjegjësinë të kujdeset për shtëpinë e madhe të shqiptarëve, domethënë shtëpinë time.

Unë do doja të ishte ndryshe. Për shembull, do dëshiroja që në zgjedhje përveç Partisë së Gjelbër, Partisë Demokracia Europiane, Ardhmërisë Shqiptare, Partisë së Emigrantëve të Periudhës 1995-2002, Partisë me Aftësi të Kufizuar etj, të merrnin pjesë edhe parti më të qenësishme të spektrit politik shqiptar, si Aleanca për Ballkanin Perëndimor (e Rindërtuar), Partia e Kulaçit dhe Kërbaçit, Partia e Minatorëve të Nxjerrë në Asistencë në 1992-1999, Lëvizja për Moderimin e Socialistëve të Ristartuar etj.

Por ata nuk deshën të marrin pjesë në zgjedhje. U tërhoqën, sepse e kuptuan se Reforma e Riformatuar e Riformatos në Drejtësi është e pandalshme. E kuptuan se kjo ëndërr e shqiptarëve më në fund do të realizohet dhe nuk ka gazetë gjermane që ta ndalojë, e as mushkonjë Divjake që ta pickojë.

Aq më keq për ta. Ata le të angullijnë, vagoni ynë do të ecë përpara.

Hapat revolucionarë që u hodhën që kur disa horra vdiqën në burg se nuk kishin paguar dritat, që kur një zv.ministre që ende nuk kishte ngrohur vezët u pushua nga puna se kishte një muaj pa paguar dritat e apartamentit në Velipojë (borgjezka, na paska pasur dhe shtëpi të dytë), që kur 35 katundarë u rrasën në hapsanë pse po vinin tjegulla pa leje në çatinë që u pikonte, që u rëntë pika jarebi, dhe 35 mijë të tjerë morën plevitin atë dimër, sepse nga frika nuk vunë asnjë rrasë guri në çati… këto hapa pra, nuk mund të mbesin në mes të rrugës.

Do t’ua bëjmë shtetin shqiptarëve, duan apo nuk duan shqiptarët. Dhe do t’ua çojmë kudo që të kenë ikur, në Gjermani, Suedi, Britani të Vogël, Britani të Madhe, Francë, Austro-Hungari, Sicili, Australi, Prapa Diellit etj.

Kemi bërë edhe gabime, nuk e mohojmë. Si të padalë, në fillim kemi dashur t’ua çojmë shtetin shqiptarëve me copa të vogla, me skafe dhe avionë të vegjël, ndonjëherë dhe me kamionë. Dhe i pata thënë Sajmes: Mos u lodh kot, se nuk ta kuptojnë shtetin këta derra, kur ua dërgon copa-copa. Nuk më dëgjoi. Mirë kjo, po desh ta çonte edhe me atë Audin që e mori në qafë. Ti me postin që ke, duhet të jesh strateg, i thashë, të hartosh politika. Mos u përzje me mikro-menaxhim. Donte të dukej duarartë, medemek i zë dora gjithçka, kupton ti? Këtej rregullonte priza e portollampa, andej vinte gjoba për kalim semafori apo mungesën e kutisë së ndihmës në makinë, andej e ngiste skafin vetë… Lëni mër kto çikërrima, i thashë, por think big.

S’u bë që s’u bë ai djalë. Po ky mision historik që po kryejmë do ketë edhe Kurbanet e veta. Si i thonë, Rilindja ha bijtë e vet. Haha, sa e bukur: Ata që rilind, i riha! Jam i madh, ta shkruaj diku këtë se do ta harroj…

Ja, ka lezet Damiani. E kapi që në fillim panoramën e gjërave. Pale, kur deshi të ma fuste me CEZ-in, negociatori i madh, merr vesh ti… Por nejse, ja fala sepse ka bërë plot punë të mira. Dhe është masovik, dreqi, di të përshtatet dhe të punojë me njerëzit: Mendo, Damian himarioti, shkon e bën mrekulli në Dibër!

Rëndësi ka që gjërat të ecin. Këta palo gjyqtarë e palo prokurorë e palo politikanë të krimbur në para dhe të lidhur kriminalisht me krimbin e krimit, në fund do ta paguajnë. Sepse kanë 30 vjet që e kanë shtrydhur këtë popull, me leje ndërtimi, me rryshfete, me aksione kompanish, me përqindje, me marifete, o Mete për vete, ç’i ke këto muhabete, u trete Gjolekë u trete, sos për të tjerë por për vete. Vodhën vota që vidhnin pushtetin që të vidhnin Shqipërinë që të vidhnin vota për të vjedhur pushtetin… Një sekondë, m’u morrën mendtë nga kjo hajdutëri.

Kështu pra, kështu. Se mos harroj: Nuk ka bir kurve që të kërkojë në xhepat e mi paratë e tija, sepse kryeministri e di ku i pikon çatia, dhe po të mos qenë forumet, partia, askush nuk i qan hallet e mia. Le pastaj që unë s’kam xhepa fare, se nuk e di ç’ngjyrë kanë këto paratë e sotme. Më ka thënë doktori, mos i prek se kanë mikrobe. Jo Saliu, jo, por një doktor tamam. Ndaj jam marrë vetëm me transferta elektronike, aksione, avokatë. Maksimumi me PPP. Ky popull nuk e ka luksin t’i sëmurem unë.

Ehhh, çfarë rruge do dilte ajo Unaza e Re. Po nuk e deshën derrat, injorantët, anti-estetikët. Sepse luftonin për tepsinë, ndërsa ne luftojmë për Shqipërinë. Ne luftojmë që ta ndriçojmë këtë hiç të zymtë deprimues që ndryn brenda vetes energji të pashpërthyera importesh zulmëmëdha të bananeve ekuadoriane të stiluara me një vlagë latine që të ndërmend Bolivarin. Se s’ke ç’i bën, edhe do varen ato të shkreta, e kanë për natyrë.

Kështu pra, në vijim të sa më sipër, më 31 qershor, qameti më 1 korrik, askush nga administrata të mos duket në punë pa gishtin e ngjyer më bojë dhe një fotografi të votës. Juaji, Evdini

 SHËNIM: Gojët e Liga është rubrikë satirike, por jo këtë herë

Share This Article
4 Comments
  • Ata që i rilind, i riha ?

    Hahaha e forte. Kjo mener me thon rilindje i ngjason tamam kermijve cullake (keshtu quhen ata pa guaske). Kanibale kuqalashe qe kollofisin njeri-tjetrin pasi jane ngopur me seks.

    Per pará nga fitorja ne fitorje.

    Yxhym laskare ne rresht para tutorit me date 1 korrik. Se me gishtin e mesit te lyer gjithe mjalt (nga ai qe s’thuhet), apo me resmen para kutise se votimit, kjo pak rendesi ka.

    Kricat le te angullijne, vagina rilindjotase do ecë për pará

  • Idiotet veprimet kane, ja per shembull vagoni kerkon te behet lokomotive ndonese punon akoma me qymyr. Edhe qymyri ofendohet sepse nuk eshte ne vendin e duhur, ne rrjesht te pare nderkohe keta te vagonit as e vrasin mendjen si ta heqin qymyrin-fengjillin e zbuluar qe i ka mbire ne vagon dhe nuk i lejon te bejne zgjedhje brenda per te gjetur nje zgjidhje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *