Për të qenë pjesë e skemës së përfitimeve të invaliditetit, qofshin këto të plota, të reduktuara, apo të pjesshme, personi që plotëson kushtet e përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, duhet të paraqitet pranë Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendbanimit të tij për të bërë kërkesën e përfitimit. Kjo kërkesë duhet të shoqërohet me dosjen e dokumenteve të detyrueshme dhe atë shtesë, për të gjitha kategoritë e përfitimeve që përfshin kjo skemë. Në skedën e detajuar në vijim gjeni edhe institucionet që janë përgjegjëse për lëshimin, apo sigurimin e këtyre dokumenteve të përcaktuara. Sipas kushteve të përcaktuara në ligj, pension invaliditeti ka të drejtë që të sigurojë çdo person që bëhet i paaftë, për çdo veprimtari ekonomike dhe ka gjymtime të forta e dëmtime fizike, duke përfshirë këtu edhe verbimin.
Kontrolli mjekësor
Dokumentacioni i detajuar fillimisht i dorëzohet mjekut të ekspertizës, i cili pas verifikimit të nevojshëm njofton datën për të kaluar në vlerësimin e Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), ose i kthen mbrapsht dokumentet për pasaktësi. Komisioni në mbledhjen e tij shqyrton paraprakisht dokumentet, njofton dhe ekzaminon të sëmurin, merr vendimin përkatës jo në prani të tij, dhe kryetari i KMCAP-it ia komunikon zyrtarisht të sëmurit gojarisht dhe nëpërmjet vërtetimit tip. Kundër këtij vendimi i sëmuri, ose invalidi mund të ankohet tek komisioni epror. Ankesa duhet të bëhet me shkrim dhe të dorëzohet në DRSSH përkatëse.
Vlerësimi i invaliditetit
Në vartësi të shkallës së humbjes të aftësisë për punë, invaliditeti mund të jetë i pjesshëm, kur personi i siguruar humbet aftësinë për punë në profesionin apo punën e tij të fundit, por mund të kryejë punë të tjera sipas përcaktimit të vendimit të KMCAP-it, i plotë kur personi i siguruar bëhet i paaftë për çdo punë, si dhe invaliditet i plotë në kushtet e nevojës për kujdestari.
Vjetërsia kontributive e kërkuar
Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror. Personi, që është në kushtet e invaliditetit të plotë, por që nuk plotëson periudhën minimale të sigurimit, ka të drejtë për pension invaliditeti të reduktuar, në masën që rezulton nga raporti i periudhës së tij të sigurimit me periudhën e duhur për pension të plotë invaliditeti. Personi që përfiton pension për invaliditet, kur plotëson moshën, ka të drejtë të kërkojë pension pleqërie, nëse ky do të jetë më i favorshëm për të. shuma e pensionit të invaliditetit të plotë llogaritet në të njëjtën mënyrë si pensioni i pleqërisë. Shuma e përgjithshme e pensionit të plotë nuk mund të jetë më e vogël se 75 për qind e pagës minimale neto në shkallë vendi.
Përfitimet shtesë
Kur përfituesi i një pensioni të plotë të invaliditetit bëhet i paaftë dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme nga një person tjetër, sipas përcaktimit të KMCAP-it, atij i jepet një pagesë shtesë prej 15 për qind të bazës së vlerësueshme. Një person i siguruar i paaftë, që merr pension invaliditeti të plotë, sipas nenit 35, të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe ka fëmijë në ngarkim deri në moshën 18 vjeç, ose deri në moshën 25 vjeç kur vazhdon studimet e larta me shkëputje nga puna, do të marrë një të ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 për qind të pensionit bazë, por jo më shumë së 30 për qind e tij.




