Sot është bërë modë që nga një pjesë e opozitës të artikulohen monstruozitete nga më të pabesueshmet për Ramën, por të mos harrojmë se në këta vjet tranzicioni, Bashkia e Tiranës e nisi me Sali Kelmendin e PD-së dhe u mbush me kioska, e vijoi me Brojkën për pak kohë dhe pa asnjë shenjë, për fat të keq. Të gjithë e kanë harruar, por Edi Rama në krye të Bashkisë bëri transformimet që kemi sot dhe Tiranën metropol. Lulëzim Basha për katër vjet shkatërroi dhe nuk ndërtoi asgjë.

Ndërsa punët e Erion Veliajt në vetëm një mandat është e paimagjinueshme se si janë bërë. Ky mandat i parë i Erion Veliajt na ka treguar se Shqipëria ka të rinj të talentuar dhe me integritet moral e politik që do ta shpëtojnë këtë vend dhe do ta çojnë më larg. E kam përmendur edhe herë të tjera, edhe nga PD-ja ka pasur administratorë të zotë. Arqile Gorreja, fjala vjen, do të mbahet mend për modernizimin dhe transformimin që i bëri Postës Shqiptare. Mirëpo, në gjithë këta vjet, ligjërimi

publik nuk ka qenë kurrë i drejtuar për nga evidentimi i punëve. Ligjërimi ynë publik vuan reminishencat e totalitaritzmit dhe politika shihet më së shumti si një veprimtari kriminale dhe jo si një veprimtari e rëndësishme e jetës së shqiptarëve. Opozita shqiptare që ka institucionalizuar ligjërimin kriminal dhe që i vizaton kundërshtarët e saj me ngjyrat më të errëta, harron se kështu po i përgatit vetes të njëjtin fat.

Ajo po ndërton me shpejtësi modelin e shkatërrimit të kundërshtarit më shpifje, më insinuata dhe me akuza monstruoze duke marrë rolin e porkurorit dhe gjykatësit. Në këtë klimë të rënduar, ne të gjithë harrojmë të evidentojmë edhe punët që bëhen mirë në këtë vend dhe edhe modelet që duhen nxitur e inkurajuar. Erion Veliaj është investimi më i madh i PS-së dhe i shoqërisë sonë. Të gjithë do të dëshironim që edhe nga opozita të nxitej dhe të inkurajohej një model i tillë dhe të kishim kështu një garë të denjë për një kryeqytet si Tirana.

Mirëpo kjo nuk ndodh. Erion Veliaj ka si kundërshtar politik këtë radhë përfaqësuesin e « Bindjes », kandidat i respektuar dhe gara është garë. Mirëpo Erion Veliaj, për hir të së vërtetës, duket se nuk ka kundërshtar. Tirana ka gjetur njeriun e duhur dhe ritmi në punët që nis ai është me të vërtetë impresionant. « Pazari i Ri », Sheshi « Skënderbej », pastrimi, gjelbërimi dhe ndërhyrja thuajse në të gjithë territorin e kësaj super bashkie, në vetëm një mandat, e ka bërë Erion Veliajn jo vetëm pasardhësin e denjë të Ramës në Bashkinë e Tiranës, por edhe një frymëzim më shumë për kryqytetin tonë. Urime Erion !