Hanah Arend

Leda Hysa

Nga Moikom Zeqo

Rrallë mund të ketë në shekullin XX dhe rrallë në historinë e njerëzimit një femër që të ketë lënë gjurmë kaq të thella në kulturologji dhe politikologji si Hanah Arend.

Femra me origjinë hebraike, e lindur në Gjermani Hanah Arend, pati një fat të skalitshëm dhe të paharruar.

Ajo është e para studiuese në Evropë dhe në botë, që shtjelloi me guxim, mendjemprehtësi dhe dituri të lartë analizën për totalitarizmin nazist, si dhe totalitarizmin komunist, që kishte formuar një perandori të tërë, ndonëse është edhe e vetëdijshme për shumë dallime ideologjike dhe sociale midis tyre, por pa mohuar analogjinë e etatizimit të politikës, idenë e shtetit total mbi gjithçka, madje dhe mbi intimitetet njerëzore, ndaj e quan totalitarizmin si një eksperiment monstruoz të historisë, krejtësisht të spjegueshëm për rrethanat historike, për logjikën e pushtetit që politikanizon gjithçka, të politikës që është larguar përfundimisht nga autenticiteti i saj.

Filozofja, politikologia, kulturologia dhe kritikja e artit lindi në Gjermani në vitin 1906 dhe vdiq në Amerikë në vitin 1975.

Pas ardhjes në pushtet të Hitlerit dhe të nazizmit, ajo pati fatin të largohet dhe t’i shpëtojë katastrofës makabre të Holokaustit. Në fillim, emigroi në Paris, pastaj shkoi në SHBA, ku ishte me statusin e Profesorit të Filozofisë Politike në Universitetet e famshme të SHBA-së.

Në vitin 1951, Hanah Arend botoi librin e saj të jetës “Origjinat e totalitarizmit”.

Në 1973, librin “Konditat njerëzore”.

Po në 1973, një tjetër libër të rëndësishëm “Njeriu në kohët e errëta”.

Librat, artikujt dhe studimet e saj, kanë një shtrat kulturor të hatashëm dhe refernxca të pafundme.

Shumë të rëndësishëm janë edhe studimet për artin dhe personalitetet e artit.

Në thelb, krijimtaria e Hanah Arendit, nyjëzohet, qendërzohet në paradigmën e njeriut në politikë dhe e politikës si liri e njeriut.

Duket e formuluar shumë thjesht, por çdo gjë në këtë formulim është esenciale.

Sipas Hanah Arendit, politika është sferë e lirisë, në të cilën liria është realitet i gjallë, jo nocion (abstraksion).

Nga kjo del se liria e njeriut, mund të realizohet në jetën publike, çërkatësisht në politikë, duke u bërë kështu politika e vetme qënie e autenticitetit të lirisë njerëzore.

Për Hahah Arendin, politika është një çështje aq serioze sa me të drejtë, nuk mund të jetë objekt monopolizues,  pra vetëkufizues, atribut vetëm i politikanëve dhe i shkencëtarëve.

Profesionalizmi i politikës merr kështu një karakter konvencionalm, kufizimi i ushtrimit të politikës nuk është gjithçka dhe për më tepër, nuk mund të përfaqësojë gjithçka.

Për Hanah Arend, politika është gjithëpërfshirëse, duke shfrytëzuar të gjitha atributet e intelektit njerëzor.

Ajo e sulmoi pozitën tradicionale të varësisë së jetës aktive (vita activa), nga jeta kontemplative (vita contempaltiva).

Këto janë të kundërta të jetën njerëzore, por jo edhe të ndara përfundimisht.

Kështu, Hanah Arend, mbështet tezën se jeta apo lëmia që zgjedh filozofi për veten e tij, nuk është gjithë aq sipërore (por as  e nënrenditur, as e mbirenditur mbi jetën politike).

Në 1933, kur Hanah Arend ishte 27 vjeç, u takua me filozofin e madh gjerman Karl Jaspers. Në këtë takim, u bë fjalë që ajo të shkruante një studim origjinal, të quajtur “Hyrje në politikë”.

Idetë e Arendit, duhet të kishin jë karakter zbulimor të esencës së asaj që quhet “politikë”, gjë që ishte tepër e vështirë, pothuaj e rrezikshme për të dështuar pas asaj që kanë shkruar pëer politikën emblema të tilla të mëdha dhe të pashlyeshme të mendimit njerëzor si Platoni, Aristoteli, Makiaveli, Monteskje ,Marksi,Veberi,

Situatat e reja politike, sidomos shfaqja e nazizmit të etatizuar, me instrumentarium militar dhe agresiv, shtronin problemin jo vetëm për riformulimin e ideve politike, por sidomos për të gjetur sekretin e “pse”-ve, të dukurive tragjike të historisë, në lidhjet shkakore me politikë.

Në fillimet e saj, Hahah Arend, ishte midis filozofisë dhe historisë së artit.

Një nga librat e saj më të bukur i kushtohet kritikut dhe kulturologut më të madh të gjysmës së parë të shek. XX Valter Beniaminit (1842-1940).

Valter Baniamini bëri epokë me analizat e tij brilante. duke qenë me origjinë hebreje, ai vrau veten nga dëshpërimi dhe kjo bëri një përshtypje të madhe ndërkombëtare.

Bertold Brehti, kur e mori vesh vdekjen e Beniaminit, e quajti “humbja e parë më e madhe dhe reale që i shkaktoi Hitleri letërsisë gjermane”.

Në librin e Arend për Valter Beniaminin, ajo shkruan: “Fama, kjo hyjneshë aq e lakmuar, ka larmi fytyrash.

Llojet dhe përmasat e saj janë të shumta – që nga nami jetëshkurtër i ngajrjes së ditës, deri tek shkëlqimi i një emri të përjetshëm.

Fama pas vdekjes, është një produkt më i rrallë dhe më pak i dëshiruar, ndonëse më i garantuar dhe zakonisht më i vlefshëm sesa llojet e tjera, sepse rrallëherë sigurohet si një mall i thjeshtë”.

Kjo vlen jo vetëm për artistët, por edhe për politikanët. Arend citon Ciceronin: “Si vivi vicissent qui morte vicerunt” (“Sikur ata që jetuan pas vdekjes, të ishin që në gjallje fitimtarë!”).

Hanah Arend e shkroi studimin e saj, kaq shumë të studiuar nga studiues të politikës sot “Hyrje në politikë”. Eshtë e habitshme që Hanah Arend, nuk e botoi këtë dorëshkrim.

Arsyet mund të jenë të ndryshme. Arsyeja kryesore është që Arend bënte një tjetër prerje konceptuale, orogjinale për politikën, gjë që mund të keqkuptohej, ndaj nuk e botoi sa ishte gjallë.

Tashmë, në të gjitha universitetet dhe katedrat e politikologjisë, veora “Hyrje në politikië” studiiohet posaçërisht. Eshte e dobishme për opinionin publik shqiptar por edhe për politikën shqiptare që t’i shtjellojmë disa nga idetë kryesore politike të Arendit.

Hanah Arend nuk mund t’i shmantet zanafillave të historisë, për të “Polisi grek do të vazhdojë të jetë trualli i ekzistencës sonë politike – që do të thotë fundi i detit – për aq kohë sa ne do përdorim fjalën “politikë” (që vjen nga fjala – polis), kjo është ajo çka nuk kuptojnë semantistët, që me të drejtë e sulmojnë gjuhën si bastionin prapa të cilit fshihet e kaluara, konfuzioni i saj, siç thonë ata.

Ata kanë absolutisht të drejtë: në analizë të fundit, të gjitha problemet, janë probleme gjuhësore, por ata nuk kuptojnë rrjedhimet  e asaj që pohojnë”.

Kjo do të thotë që për emra të veçantë, njerëz të ndtyshëm të ketë kuptimshmëri të ndryshme.

Ndryshe e kupton politikën një totalitarist, ndryshe njeriou i lirë, ndonëse fjala /”politikë” mund të shkruhet gjuhësisht njëlloj për të gjitha palët.

Nga kjo pikëpamje, Arend citon Valter Beniaminin për të cilin “gjuha nuk eshtë zbulesë e sferës akustike, metafizike, është thelbi i botës, e njeriut që lindi dhe u bë  njeri prej të folurit” sepse në kolektivitetin njerëzor, kanë kuptim edhe nocionet, pa komunikimin kolektiv të gjitha nocionet do të humbisnin.

Kjo është shumë e rëndësishme.

Hanah Arendin mund ta kuptojmë nëse vihemi në gjurmët e rrënjëve antropologjike të teorisë së saj.

Në “vita activa” ajo dallon tre forma të sjelljes njerëzore: të punuarit me qëllim sigurimin e jetës, të punuarit i cili krijon “një botë artificiale sendesh”, që “i rezistojnë deri në njëfarë mase natyrës” dhe së fundi – dhe kjo është më e rëndësishmja – të vepruarit. Kjo e dallon njeriun nga kafsha, sepse “vetëm të vepruarit është një privilegj absolut i njeriut, as kafsha dhe as Perëndia nuk janë të afta të veprojnë.”

Këtu lind dallimi që zbuloi Arend. “Në fakt, jo njeriu është krijuar për të vepruar, por njerëzit.”

Kësaj i kushton rëndësi Arend, ajo e quan të vepruarit vetëm atë veprim të mundshëm, vetëm aty ku njerëzit janë së bashku, aty ku njerëzit flasin me njëri-tjterin, zihen dhe mund të bindin njëri-tjterin.

Një të vepruar të tillë, i cili ka si kusht pluralitetin e mendimeve, të vlerësuarit kontravers, të ndikuarit e  njërit tek tjetri, të kërkuarit së bashku të rrugës së drejtë, për Hanah Arend, është “politikë”.

Prandaj politika mund të mendohet vetëm me ndërmjetësinë e gjuhës, pa komunikim nuk ka politikë. Nëse prishet dhe deformohet ky raport, jeta njerëzore bëhet monstruoze.

Sipas Arend, politika nuk fillon tek njeriu, por mes njerëzve.

Njeriu nuk është, siç mendonte Aristoteli, një kafshë politike në vetvete, por mund të bëhet “politik”, kur takohet me të tjetër, kur shkëmben mendime me ta dhe së fundi, kur bien dakord.

Por vetëm kur ato ndodhen në liri.

Të vepruarit dhe politika, janë të mundshëm vetëm në liri.

Të vepruarit në liri, përbën mundësinë më të lartë të njeriut.

Vetëm kështu mund të arrihet te kuptimi universal i politikës.

Duke vepruar dhe folur, njerëzit bëjnë të qartë se cilët janë, tregojnë në mënyrë aktive veçoritë vetjake të qënies së tyre, hipin së bashku në skenën e botës ku më parë ishin të padukshëm.

Askush më parë nuk e ka universalizuar politikën, si bashkësi dhe kolektivitet të gjallë, si Hahah Arend.Aftësia për politikë,. është për Hanah Arendin, një nga dhuntitë më fisnike të njeriut, shprehja adekuate e lirisë së tij.

Prandaj, ajo bën një përkufizim habitërisht të thjeshtë. “Kuptimi i politikës, është liria”.

Liria nuk është qëllimi i politikës, politika nuk zhvillohet vetëm me qëllim mundësinë e lirisë.

Ajo çka nënkupton Arend, është që politika dhe të verprimi politik realizohen nga liria ose të qënit i lirë, duke arritur kështu autencitetin e vetë lirisë.

Pra, duket si e pazakontë por sipas arend, liria njerëzore ndodh fillimisht, e para së gjithash në të vepruarit, pra në politikë.

Politika është fushë e lirisë.

Ky konceptim nxjerr disa rrjedhime shumë të mprehta, disa principe.

Sundimi është për Hanah arendin thjesht e kundërta e politikës. Aty ku urdhërohet dhe pastaj vjen bindja, nuk ekziston politika. Për këtë arsye, totalitarizmi me teorinë e të cilit u mor Arend, nuk përbënte thjesht politikë të keqe, apo të gabuar, por “fundin e politikës”. Për Arend, dhuna nuk ishte, si për shumë të tjerë, një formë e paqëndrueshme dhe primitive e pushtetit.

Por e kundërta e tij.

Në aspektin politik, nuk është e mjaftueshme të thuash se pushteti dhe politika nuk janë e njëjta gjë. Pushteti dhe dhuna, janë dy antagonizma: Aty ku njëra sundon në mënyrë absolute, tjetra nuk ekziston.

Dhuha shfaqet aty ku pushteti është në rrezik.

Kur nuk është më bindja, si institucion mbarënjerëzor. Dhuna lakuriq shfaqet aty ku pushteti është humbur. Zgjidhja e pushtimit rus të Çekisë, tregoi qartë humbjen e pushtetit të regjimit rus.

Dhuna hyn në përdorim, kur nuk ekziston bindja, logjika e politikës.

Ky koncept, është jashtëzakonisht i gjerë, nuk mund të akuzohet si iluministo-centrik.

Për fat të keq, ky syshikim universal i Arend, ende dhe sot nuk kuptohet nga politikanët, opinionbërësit, filozofët e politikës.

Arend: “Pushteti është në fakt pjesë e qënies së cdo forme shtetërore orgazimi. i të gjitha grupeve të organizuara në njëfarë mënyre, kurse dhuna jo”.

Nëse do të shfaqet dhuna, atëherë kemi “vdekjen e politikës”.

Për Arend, është një rrugë e gabuar kur “politika duhet të justifikohet me qëllime të larta, të cilat gjenden jashtë saj”.

Mësimi për botën, për njerëzit dhe jo për njeriun e vetëm – pikërisht shqetësimi për një botë të krijuar, në një mënyrë ose në një tjetër, është thelbi i politikës, e cila e bën të denjë jetën për t’u jetuar.”

Hanah Arend është përpjekur t’i rikthejë dinjitetin politikës pas gjithë perversitetit dhe shkatërrimit që iu bë politikës.

Ajo i ka caktuar politikës një vend shumë të lartë, shumë më të rëndësishëm kuptimshmërisht sesa të tjerët. Arend e përshtirosur nga realiteti i neveritshëm politik i shekullit XX, sidomoss nga totalitarizmi, mendon se politikës ende nuk i është rikthyer statusi që i përket.

Dhe ja disa mendime brilante të Arend: “Aty ku urdhërohet dhe nuk ka bindje, nuk ka politikë, por vetëm administrim.

Por administrata nuk është ende politikë e vërtetë është instrument.

Politika zhvillohet vetëm në rrafshin e bindjes dhe të debatit ku vlerat, mendimet dhe idetë, ndeshen natyrshëm me njëri-tjetrin për të arritur në të vërtetën si një konsensus rezultativ”.

Arend është kundër të vepruarit mekanik apo burokratik në politikë.

Të vepruarit si politik, është diçka e ndryshme edhe nga kryerja e detyrimeve objektive.

Të vepruarit politik nuk mund të jetë mekanicist çka në kohën tonë do të bënte që kompjuteri të zëvendësonte politikanin.

Të vepruarit politik e tregon veten vetëm atëherë kur nuk i pranon “zhvillimet” në mënyrë pasive.

Eshtë mjaft kuptimplote që Hanah Arend na kujton këtë aspekt të lirisë.

Hanah Arend është sot e famshme, ndonëse për famën mund të citohet proverbi latin i Senekës: “Ad gloriam non est sotis unius opinio” (“për famën, nuk mjafton vetëm një opinion“).

Por për Arend, ka ardhur koha e një ore pas vdekjes, e studimit dhe ristudimit të librave të saj të mrekullueshëm. Idetë e mësipërme, në ballfaqimin me politikën shqiptare, ka rrezik jo vetëm të mos kuptohen, por më e keqja të vulgarizohen tmerrësisht.

Për fatin e mirë,  janë botuar deri më sot 2 vepra të Arendit, por është e nevojshme të shqipërohet korpusi i saj. Analizat e saj për totalitarizmin, janë shumë të dobishme për totalitarizmin monist të shqipërisë, por edhe për trashëgimitë konceptuale në periudhën post-totalitariste.

Kthimi i pushtetit në një vullnet subjektiv për t’u urdhëruar, kthimi i Njëshit të Ekzeklutivit në njëfarë Mesie,ose i Njeshit te Opozites si nje dublim, apo sozie, pa marrë parasysh bindjet ndaj të tjerëve, argumentimin e veprimeve të vërteta politike, dhe jo të politikanizuara skajshëm, tregojnë problematikën e rëndë dhe shqetësuese të politikës shqiptare.

Ai që ka sy, mund të shikojë, ai që ka veshë mund të dëgjojë dhe ai që ka mendje mund të kuptojë.

****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjeshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

Share This Article
3 Comments
  • More ish komunisti i thekur moikom, te keshilloj lere politiken e merru me hallet e tu te moshes. Mos u bej i peshtire per ato qytetare tek te cilet kishe krjijuar nje fare respekti, por msa duket po kerkon te kthehesh ne origjine.

  • Te pa ditur jemi shume, Po te pakten te kuptojme vlerat e dijetareve dhe mos tregohemi kaq hapur cinike dhe nihiliste, aq sa te na vije era SI njerez te ndyre.

  • Eshte nen nivel kjo. (ka bere kalkulime teorike poliktike)
    Dhe se me beri pershtypje : “Per famen nuk mjafton nje opinion”. (duhen 2 – pastaj varet cfare fame zgjedh, se per shembull ne rastin e nje sage te mjafton edhe nje opinion qe mos te te njohin.)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *