Veliaj ftohet nga BERZH për vijimin e investimeve në Tiranë

Edona Llukacaj

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka filluar punë në mënyrë energjike menjëherë pas rikonfirmimit të mandatit të dytë në krye të kësaj bashkie. Veliaj u ftua nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Londër për të diskutuar për vijimin e investimeve në Tiranë.

Me të pranishmit në takimin e organizuar nga BERZH, ku merrnin pjesë personalitete nga e gjithë bota, Veliaj tregoi progresin në disa prej iniciativave të suksesshme, si në pastrimin dhe gjelbërimin e Tiranës, ndërtimin e rrjetit ujësjellës, mbjelljen e 250 mijë pemëve nga 2 milionë që është objektivi deri në 2030, ndërtimin e 40 km korsi të dedikuara për biçikleta, krijimin e qendrës së qytetit pa makina, ndërtimin e 46 këndeve për fëmijë etj.

Në takimin për “Qytetet e Gjelbra” të organizuar nga BERZH, Tirana është vlerësuar si një ndër qytetet model për transformimin që ka pësuar, veçanërisht për sa i përket nismave konkrete për një qytet të gjelbër.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se fushata e mbjelljes së pemëve, e cila fillimisht u pa me skepticizëm dhe prit si shaka, tashmë është fakt, ndërsa theksoi se ka filluar puna për një mandat të dytë energjik për transformimin e qytetit. Veliaj u shpreh: “Jam shumë i lumtur që fillojmë këtë mandat të dytë energjik në Tiranë me një vizitë tek partnerët tanë të BERZH-it, ku Tirana është cilësuar si një ndër qytetet model për transformimin që ka pësuar, kryesisht me iniciativat tona të gjelbra, duke filluar nga Pylli Orbital, diçka që nisi si me shaka, një pemë këtu, një pemë atje, por tani është bërë një lëvizje ngjitëse tek fëmijët e çdo familjar që është përfshirë në gjelbërimin e Tiranës”.

Si një nga partnerët më të besueshëm të BERZH, Tirana ia doli që brenda një mandati të zgjidhë problematikën me rrjetin e kanalizimeve, ndërkohë që përmirësime pësoi edhe furnizimi me ujë të pijshëm i kryeqytetit.

Kreu i Bashkisë u shpreh se tashmë ka ardhur koha qëTirana të kalojë në 24 orë ujë të pijshëm. Veliaj theksoi: “Si klientë të BERZH-it, që financohemi për rrjetin tonë të ujit, jam shumë i lumtur që brenda këtij mandati zgjidhëm të gjithë problematikën që kishim me rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza, me kreditorët tanë japonezë rifillojmë së shpejti aty, kurse me kreditorët tanë të BERZH po bëjmë dyfishimin e impiantit të Bovillës dhe dyfishimin e furnizimit të ujit në Tiranë. Kaluam në mandatin e parë nga 6 orë në 14 orë; ka ardhur koha që nga 14 orë në 24 orë dhe besoj që me financimet dhe investimet që po bëjmë, ditët më të mira edhe për ujin në Tiranë, i kemi përpara”.

Një prej nismave të suksesshme të ndërmarra nga Bashkia është edhe rrjeti i biçikletave për një mjedis më të pastër dhe me më pak makina, që Veliaj u zotua ta maksimalizojë me fjalët: “Edhe me rrjetin minimal të biçikletave e nisëm shumë modestisht, por ja ku jemi sot! Tirana ka një rrjet minimal që duhet të shkojë në një rrjet maksimal të biçikletave”.

e.ll./dita

Share This Article
3 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *