Nis aplikimi për universitetin, hapat që duhet të ndiqni

Elena Tase

Nis zyrtarisht konkurimi për studimet e larta. Maturantët dhe kandidatët e viteve të shkuara tashmë mund të iniciojnë procedurat e aplikimit për garën e pranimeve në institucionet e arsimit të lartë (qofshin këto publike, apo private) për vitin e ri akademik 2019-2020. Autoritetet e dikasterit të Arsimit bëjnë me dije se ka filluar procedura për shkarkimin dhe konfirmimin e pagesës për plotësimin e formularit A2, ku secili kandidat do të listojë dhjetë degët me të cilat konkuron për të fituar studimet e larta përgjatë 2019-s. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar grafikun dhe kalendarin e aplikimit për studimet në universitet. Të drejtën për të konkuruar për studimet e larta për 2019 e kanë maturantët dhe kandidatët e tjerë që: “Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme, plotësojnë kriterin e notës mesatare së gjimnazit, plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurojnë, si dhe nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer.

Hapat që duhet të ndiqni

Aplikimet do të zhvillohen online në portalin U-albania, sipas grafikut të përcaktuar nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit. Hapi i parë që duhet të bëjnë maturantët është hyrja në portal, duke bërë identifikimin nëpërmjet numrit personal të ID së maturës. Më tej procedura e aplikimit vijon me printimin e faturës së regjistrimit të preferencave. Pasi të shkarkoni këtë faturë, ju duhet të paraqiteni në një nga bankat e nivelit të dytë, si dhe Postës Shqiptare për të shlyer tarifën prej 2,000 lekësh. Afati për shlyerjen e pagesës do të jetë deri në datën 25 korrik. Banka do t’ju pajisë me mandatin përkatës, ju duhet gjithashtu të ruani gjysmën tuaj të faturës, të cilën do ta paraqisni në shkollën tuaj. Në përmbajtje të kësaj fature është edhe kodi identifikues i juaji që do të përdoret për të konfirmuar aplikimin tuaj në sistemin online. Hapi i radhës ka të bëjë me konfirmimin e pagesës. Këtë procedurë duhet ta kryejë mësuesi juaj, pasi ju të keni dorëzuar gjysmën e faturës së marrë në bankë, si dhe mandatin e shlyerjes së pagesës së përcaktuar. Mësuesi hedh të dhënat në sistemin online.

Përzgjedhja e 10 preferencave

Vetëm pasi të jenë përfunduar të gjitha këto procedura ju do mund të vijoni me plotësimin e formularit A2 me 10 preferencat e përzgjedhura si në universitetet publike, ashtu edhe në ato private. Regjistrimi i preferencave për raundin e parë do mund të bëhet vetëm në datat 31 korrik deri në datën 5 gusht. Sistemi do të lejojë vetëm regjistrimin e preferencave sipas kushtit të mesatares. Çka do të thotë se nëse ju nuk keni mesataren e duhur, nuk mund të aplikoni për atë program studimi edhe pse mund të jetë një ndër më të preferuarit tuaj. Më herët, qeveria ka përcaktuara se në garë për studimet universitare kanë të drejtë të hyjnë vetëm maturantët dhe kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme duke nisur nga nota 6.5 e në vijim. Në degët e mësuesisë, mesatarja e hyrjes në konkurim do të jetë edhe më e lartë. Kështu në garë për studimet në degët e mësuesisë do të përfshihen kandidatët që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 7.5 e më lart. Ndërsa për degët e mjekësisë mund të garojnë vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 8. Kjo mesatare ndryshon në varësi të programit të përzgjedhur. Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar. Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë do të përllogaritet si mesatare e thjeshtë e dy treguesve, që janë: mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.

Përfundimi i aplikimit dhe shpallja e fituesve

Pas përzgjedhjes së preferencave, mbetet edhe hapi i fundit që maturantët duhet të bëjnë, e që është konfirmimi i aplikimit. Në këtë rast duhet të bëni kujdes sepse pas konfirmimit përfundimtar të aplikimit ju nuk keni më mundësi që të ndryshoni preferencat për studimet. Kjo do të thotë se do të mund të konkurroni vetëm me këto degë të përzgjedhura. Ndërkohë që ndryshimi i preferencave mund të bëhet vetëm në raundin e dytë të aplikimeve që do të zhvillohet në muajin shtator, sipas afateve të përcaktuara. Lista e fituesve të raundit të parë do të zbardhet në datën 30 gusht. Ndërsa fituesit  e këtij raundi do të regjistrohen në 7 faza 48-orëshe që do të zhvillohen ndërmjet datave 2 deri në 15 shtator, ku secili maturant duhet të paraqitet në sekretarinë përkatëse të fakultetit që preferon për të bërë regjistrimin me dokumentet përkatëse. Çka do të thotë se vija e fituesve do të spostohet me përfshirjen e fituesve të rinj për çdo fazë 48-orëshe të mbylljes së regjistrimeve. Kështu çdo aplikant fitues duhet të paraqitet pranë institucionit të arsimit të lartë ku është shpallur fitues për të bërë regjistrimin si student brenda 48-orëve. Në të kundërt e humbet degën e studimeve që ka fituar.

Regjistrimi i fituesve

Për secilin raund për regjistrim si fitues kërkohet ky dokumentacion : “Dokument identifikimi (pasaportë ose kartë identiteti). Në dosje mbahet vetëm fotokopja. Gjithashtu duhet të dorëzohet edhe fotokopja e noterizuar e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave, deklarata që duhet ta printoni dhe plotësoni te sekretaritë e degës së studimit ku do të regjistroheni. Pas deklaratës së shkruar bëhet regjistrimi menjëherë në portalin U-albania dhe firmoset nga sekretarja dhe aplikanti në dy fotokopje formulari i printuar nga sistemi, një prej të cilave i jepet aplikantit.

Ndërrimi i degës së studimit

Fituesi i raundit të parë, pasi ka bërë regjistrimin me dokumentacion dhe ka nënshkruar në regjistër, ka të drejtë që të çregjistrohet në datat e përcaktuara për të vijuar sërish aplikimin në raundin e dytë. Për këtë ai duhet të paraqesë një kërkesë për çregjistrim pranë sekretarisë mësimore të fakultetit ku dhe është regjistruar, duke tërhequr dokumentet e dorëzuara. Nëse nuk e kryen këtë proces brenda aftit të vendosur, ky kandidat nuk ka më të drejtë që të ndryshojë degën e studimit për vitin e ri akademik.

Kujdes!

  • Afati i konfirmimeve në shkollë për shlyerjen e tarifës së aplikimit për Formularin A2, do jetë 27 qershor- 25 korrik.
  • Afati i aplikimit në formularin A2 ku duhet të përzgjidhni dhjetë degët e preferuara do jetë data 31 korrik-5 gusht.
  • Në përmbushje të kritereve dhe kuotave, universitetet do të publikojnë renditjen e fituesve të raundit të parë në 30 gusht.

Mund të garojnë për universitetin:

  • Ekspertët e MASR sqarojnë se të drejtën për të konkurruar për studimet e larta për këtë vit e kanë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses studimet e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë kushtet në vijim.
  • Janë pajisur me dokumentacionin përkatës ligjor të përfundimit të studimeve të shkollës së mesme.
  • Plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
  • Plotësojnë kriteret shtesë të përcaktuara nga universitetet për programet në të cilat konkurrojnë.
  • Nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi, duke përjashtuar këtu nxënësit dhe studentët e shkëlqyer.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *