Veliaj: Puna për fëmijët, një nga projektet më afër zemrës sime

Bora Basholli

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen për ndërtimin e këndit rekreativ në zonën e Don Boskos, i cili do ti shërbejë 5 mijë banorëve e zonës.

 “Fill pas zgjedhjeve vijojmë me një nga projektet që e kam shumë më afër zemrës sime, por besoj edhe për prindërit e Tiranës, këndet e lodrave. Nëse bëmë diçka mirë në mandatin e parë, ishte fakti që çdo muaj bëmë nga një kënd të ri lodrash. Besoj se do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, çdo muaj me nga një kënd të ri lodrash edhe në mandatin e dytë. Pra, në qoftë se kemi bërë 46-47, të bëjmë edhe 50 të tjera, prandaj besoj se deri në fund të këtij mandati të kemi 100 kënde lodrash, në 100 pika të ndryshme të Tiranës”, tha Veliaj.

Ai theksoi se investimi më i mirë për të ardhmen e qytetit është puna që bëhet me fëmijët, për t’i nxitur ata të merren me aktivitete fizike. 

“Kjo puna e fëmijëve në komunitet është në dorën tonë. Ata mund të jenë të padukshëm nëse nuk ka asnjë infrastrukturë për fëmijët. Të gjithë pyesin ku janë kalamajtë: ata janë ose nëpër telefona e pajisje elektronike, duke u kërrusur dhe atrofizuar në shtëpi; ose mund të zgjedhim që ata të jenë të dukshëm. Në momentin që krijohet një kënd lodrash, krijohet një hapësirë për aktivitet fizik dhe befas një zonë që duket sikur s’ka fëmijë, bubërron nga jeta dhe fëmijët. Mezi pres që në datën 10 korrik ky bast të fitohet edhe në këtë komunitet”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se ky kënd do t’i shërbejë edhe më të rriturve, kryesisht gjyshërve dhe gjysheve, të cilët mund të shoqërojnë nipërit dhe mbesat e tyre, si dhe të kalojnë kohën në një hapësirë të gjelbëruar. 

“Shpresoj që funksionet e munguara për një komunitet me 5 mijë banorë, t’i kemi pasqyruar në këtë kënd të ri lodrash. Jam shumë i bindur se edhe për të rriturit, edhe për gjyshet dhe gjyshërit që dalin me fëmijët, hapësirat rekreative, një stol, një lojë domino, një shah, është një mundësi fantastike që edhe ata të argëtohen, e që të mbajnë një sy te djemtë dhe vajzat e komunitetit. Besoj se kjo është copa e fundit që e kompleton investimin në këtë lagje: shkolla e re këtu ngjitur zgjidh çështjen e mësimin me dy turne, edhe besoj që në 10 korrik, kur të kemi gjallërinë dhe energjinë e fëmijëve, do e kemi nisur mbarë këtë mandat”, tha Veliaj.

 

b.b/dita

Share This Article
3 Comments
  • Je mashtrues o Veliaj,se 5 mije femije banojne edhe ne Yzberisht,por jo vetem nuk kane asnje lulishte,asnje kend lojrash,pra asgje per t’u argetuar,por ti nuk ke ngritur asnje cerdhe,kopesht,biblioteke,kend sportiv etj!
    Doemos se ti nuk ke ne filozofine tende t’u sherbesh njerezve,por vetem imazhit tend mashtrues!
    E fillove reklamen tek bulevardi i ri,ku nuk banon asnje njeri e jo neper ish komunat,qe i ke lene pa asnje investim!
    Ti ke urrejtje per banoret e Yzberishtit o i MALLKUAR,prandaj nuk vjen asnjehere te shohesh POSHTERSINE e punes tende korruptive!
    Thuaj ku i ke cuar milionat qe ke marre nga 50 mije banoret e Yzberishit me taksat vendore,se ketu nuk ke mbjelle asnje lule,se per peme ke mbjelle vetem tek liqeni o i mallkuar!
    Te rencin mallkimet e prinderve te femijve te Yzberishtit ne koken tende,atje ku te dhemb me shume!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *