Papritur të gjithë kanë diçka për të thënë

editor

Godina e ndërtuar në oborrin e Fakultetit Ekonomik të Tiranës, u shemb dje, mes debateve e replikave në lidhje me shpërthimin. Të gjithë ishin të përgatitur, bazuar dhe nga njoftimet e Ministrisë së Brendshme, 24 orë para aksionit për një rrëzim spektakolar të godinës.  Pritshmëria ishte që godina do të binte përtokë nëpërmjet shpërthimit të sinkronizuar më lëndë plasëse, por pasi u dha komanda “Zjarr” godina katër katëshe u kthye në godinë tre katëshe sepse vetëm njëri kat i saj çedoi. Shpërthimi goditi themelet e godinës çka lehtësoi më pas shembjen e saj me një buldozer, sikundër dhe ndodhi deri në orën 19:00 të pasdites së djeshme, kur e gjithë godina ra përtokë.

Dy ministri bëjnë “sqarime të pakërkuara”
I gjithë paralajmërimi që iu bë këtij aksioni thithi natyrshëm interesin e medies dhe gjithë opinionit publik. Dukej qartë se qeveria e re kërkonte të jepte një mesazh: “Nuk ka më ‘gjej shesh dhe bëj përshesh’, kushdo që e përsërit e pret dinamiti”.  Ky nuk është një mesazh dhe aq i parëndësishëm në kushtet kur ndërtimet në Shqipëri kanë tejkaluar të gjitha limitet e anarkisë dhe kur rastet raportohen pa fund duke e kthyer në një fenomen dhe problem të rëndë shoqëror.Por trumbetimi i aksionit 24 orë para, rriti tej mase pritshmëritë, ndërsa raportimet nga terreni dhe “live” të televizioneve e kthyen aksionin në një “sport mbarëpopullor” ku qindra mijëra shqiptarë ishin përqëndruar para ekraneve. Ndodhi që tritoli nuk ja doli dot dhe u deshën fadromat për ta çuar misionin deri në fund, ama misioni u krye, nuk u la përgjysmë.E gabuar ishte që Ministria e Brendshme dhe më pas ajo e Mbrojtjes  thanë se shpërthimi ishte llogaritur vetëm për të dobësuar strukturën bazike të godinës dhe se çdo gjë kishte shkuar sipas parashikimit. Këto ishin dy sqarime  të pakërkuara nga ana e këtyre dy ministrive, e që në fakt vazhduan të komentoheshin edhe më tej duke e shtuar ilaritetin.

Ku ishin më parë mediat? Po në Bashki kush ka firmosur?

Nga ana tjetër, bie në sy fakti se asnjë televizion apo medie nuk ka raportuar “live” kur kjo godinë ndërtohej apo kur stafi pedagogjik i Ekonomikut protestonte për ndërtimin e saj. Nga ana tjetër, pak kush merret me planin ligjor të ngjarjes. Pronari i godinës, dispononte një leje ndërtimi. Këtë leje e kishte siguruar pasi dikush, një zyrtar në Bashkinë e Tiranës ka firmosur mbi këtë leje që për çdokënd dukej anormale. I vetmi problem i pronarit ishin dy kate pa leje, por në thelb ai kishte letrat për të disponuar pronë në atë vend falë lejes së siguruar nga Bashkia e Tiranës. Mjafton që pronari të presë ca kohë dhe me shumë gjasa Gjykata Europiane e Strasburgut do e dëmshpërblejë, pasi letrat i ka. Dëmshpërblimin e tij do e kenë në kurriz ata që dje ishin spektatorë nëpër ekrane, ndërsa zyrtari në Bashki që i vuri vulën kësaj maskarade me kosto, me siguri do të mbetet anonim edhe kur Strasburgu të japë verdiktin.

 

 

 

 

 

Share This Article
5 Comments
  • Me sa duket qeveria e re si ne drejtim edhe ne punesim e ka syrin te 40 vjecaret. Jam e sigurt se po te kish marre ndonje 50, 60 vjecar te Xhenjos do dinte ta vinte mire dinamitin. Xhaja im eshte 73, ka punuar ne Xhenjo dhe ka hedhur komitetin ekzekutiv ne ere duke e thermuar. Mesoni o shqiptare nga thesari qe keni akoma gjalle, merrini si keshilltare se nuk ju bie hunda.

  • ky shkrim ka disa pasaktesira se pari lejes se ndertimit i ka mbaruar afati ligjor qe ne vitin 2011, pamvaresisht se me vendim gjyqesor te formes se prere, ajo leje eshte shpallur e vlefshme.subjekti ndertues nuk e ka ndertuar objektin brenda afatit te percaktuar ne lejen e ndertimit.
    me ben cudi qe ne te gjitha mediat nuk flasin specialistet juriste, por njerez qe nuk jane profesioniste te fushes . nuk ka zgjatje te afatit te lejes se ndertimit nga bashkia e tiranes. vetem kati perdhe, karabina eshte me leje ndertimi. shikoni mire letrat para se te beni shkrime te pasakta nga ana ligjore.

  • Gjithe kjo zhurme dhe asnje njeri nuk na thote se kush e ka ngritur kete ndertese. Si spjegohet kjo? !!!!!!!!!!!

  • Shteti qe duam te ndertojme tani duhet te tregohet I ashper me keto ndertime dheme ata maskarenj qe japing lejet per nje dore para. duhen hetuar gjithe lejet dhe shkelesit dua te them personat qe firmosin per shemtira te tilla duhet nese nuk keni b.the ti fusni ne burg, duhen denuar me gjoba te renda qe kur te firmosin te pyesin veten mire.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *