Ish-ministri i Mbrojtjes, aktualisht sekretar i përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa, shprehet se nuk ka pasur oferta nga PS-ja për bashkëpunim me partinë e tij. Në një intervistë për GSH, Oketa ka komentuar edhe veprimet e qeverisë së re, shumë prej të cilave i ka vlerësuar pozitivisht.
“Është shumë herët për të thënë se si po qeveris mazhoranca e re. Ajo ka afro një muaj e gjysmë që ka marrë drejtimin e vendit dhe për të dhënë një vlerësim duhet më shumë kohë. Gjithsesi, personalisht mund të them se disa veprime janë për t’u vlerësuar pozitivisht, si për shembull aksioni kundër lojërave të paligjshme të fatit, apo qëndrimet përsa i takon ndalimit të ndërtimeve pa leje, ashtu siç dhe gjykoj se ishte krejt i panevojshëm e bajat debati i nxitur nga publikimi i disa fotove nga ambientet e bodrumeve të Kryeministrisë”, shprehet ai.
Oketa thotë se rruga e bojkotit që ka zgjedhur PD është një qëndrim i vjetëruar, ndërsa e sheh sit ë ekzagjeruar debatin për nëpunësin civil.
“Më parë se të shtrohet pyetja a ka apo jo të drejtë PD që bojkoton Parlamentin, duhet pyetur nëse duhet apo jo që PD të bëjë një veprim të tillë politik dhe a përfiton opozita nga ky qëndrim? Besoj se edhe brenda vetë opozitës, numri i atyre që e mbështesin një qëndrim të tillë, tashmë të vjetruar shpejt në demokracinë e re shqiptare, është i vogël, pavarësisht se ndjehen të “detyruar” t’i shkojnë pas një vendimmarrjeje të tillë. Të mos harrojmë se opozita e sotme, me plot të drejtë ka kritikuar në çdo rast gjatë katër viteve të shkuara bojkotin që PS i bënte Kuvendit. Sot, opozita e re bën të njëjtin veprim për të cilin ka qenë kundër për katër vite. Nëse një sjellje e tillë quhet e drejtë, atëherë quajeni të drejtë dhe bojkotin që opozita i ka bërë Kuvendit”, shprehet ai.
