Testimet për mësuesit që janë në kërkim të një vendi të lirë pune në shkollat e arsimit parauniversitar për vitin e ri mësimor 2019-2020 nisin të enjten. Ekspertët e qendrës së Shërbimeve të Arsimit (QSHA), bëjnë me dije se mësuesit do t’i nënshtrohen testimit të informatizuar sipas datave të përcaktuara për secilin specialitet. “Në zbatim të Udhëzimit të MASR për organizimin e testimit të informatizuar të kandidatëve për t’u punësuar në institucionet arsimore publike, të arsimit parauniversitar, bëjmë me dije se gjatë muajve korrik-gusht 2019, pranë kësaj qendre do të zhvillohet testimi i informatizuar për punësimet e reja në arsim, sipas vendeve të lira të raportuara në secilën shkollë”, bëjnë me dije ekspertët e QSHA-së. Pas vlerësimit të dosjes dhe aplikimit online sipas afateve të përcaktuara është detajuar edhe kalendari me datat e testimit të informatizuar që do të zhvillojnë mësuesit e gjuhës shqipe dhe letërsisë, arsimit fillor, arsimit parashkollor, arsimit special, mësuesit e gjuhës angleze, italiane, frënge, spanjolle dhe asaj gjermane, si dhe mësuesit e edukimit fizik. Për specialitetet e tjera datat dhe oraret e testimit do të shpallen gjatë ditëve në vijim.
Testimit sipas specialiteteve
Duke qenë se janë me mijëra kandidatët që kanë konkuruar nëpërmjet portalit online “Mësues për Shqipërinë”, për një vend të lirë pune, specialistët e QSHA-së, theksojnë se provimet do të vijojnë edhe përgjatë muajit gusht. Mësuesit e gjuhës shqipe dhe letërsisë janë të parët që do t’i nënshtrohen testimit. Sipas kalendarit të përcaktuar, këta mësues do të testohen për pesë ditë me radhë, përkatësisht në datat 11 dhe 12 korrik, për të rinisur sërish javës së ardhshme edhe për tre ditë të tjera me radhë. Më tej provimet do të vijojnë me mësuesit e ciklit fillor. Edhe në këtë rast bëhet e ditur se është i lartë numri i kandidatëve që do të zhvillojnë provimin. Pas mësuesve të ciklit fillor, testimet do të vijojnë me mësuesit që garojnë për vendet e lira të punës në ciklin parashkollor, gjuhën angleze, frënge, italiane, gjermanishtes, edukimit fizik, arsimit special, matematikës, etj. Kalendarin e testimit për këto specialitete e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Provimet do të zhvillohen në ambientet e QSHA-së me tre turne çdo ditë.
Rregullat që duhet të zbatoni
Secili kandidat duhet të paraqitet për të zhvilluar testimin vetëm në datën dhe orarin e përcaktuar specifikisht vetëm për të. Në rregulloren e provimit saktësohet se kandidati që plotëson kushtet për të hyrë në testim duhet të paraqitet në QSHA 30 minuta para orarit zyrtar të fillimit të testimit të informatizuar. Ditën e testimit, duhet të jeni detyrimisht të pajisur me këto dokumente: Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal dhe kopje të tyre), si dhe formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar të lëshuar nga komisioni i vlerësimit të dosjeve në drejtorinë rajonale të arsimit. Kandidatët, të cilëve u mungojnë këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në testimin e informatizuar, çka do të thotë se nuk mund të sigurojnë një kontratë pune në arsimin parauniversitar përgjatë këtij viti. Këta kandidatë duhet të presin testimet e vitit që vjen për të konkurruar sërish. Për paraqitjen në qendrat e testimit, kandidatit i ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të testimit, pasi kjo vlerësohet si kriter përjashtimi, i ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e testimit, si dhe i ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të testimit.
Çfarë duhet të dini rreth provimit!
Teza e testimit të informatizuar do të ketë në përmbajtje rreth 50 pyetje, përgjigjet e sakta të të cilave do të vlerësohen me 70 pikë. Testimi do të zgjasë 60 minuta dhe do të zhvillohet me një raund të vetëm. Çka do të thotë se testimi do të fillojë dhe të mbarojë njëkohësisht për të gjithë kandidatët. Sikundër është deklaruar edhe më herët, testimi i të gjithë kandidatëve do të jetë në përputhje me profilin e tyre lëndor ku duan të ushtrojnë edhe profesionin e mësuesit. Krahas pyetjeve specifike të profilit të tij, mësuesit do të testohen edhe për njohuritë në lidhje me legjislacionin që vepron në fushën e arsimit. Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e provimit, nëse një kandidat nuk paraqitet në testim, ose tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë testimi nuk vlerësohet si i kryer. Tërheqja nga testimi i informatizuar nuk mund të kryhet pas hyrjes në sallë. Në rast se kandidati do të tërhiqet nga testimi pas fillimit të tij, në përfundim të tij do të nënshkruajë deklaratën me rezultatin e marrë. Vlerësimi do të bëhet në mënyrë automatike nga sistemi kompjuterik. Rezultati i tetit i shfaqet kandidati në monitor dhe mund të printohet direkt
Përzgjedhja e fituesve
Në udhëzimin e miratuar më herët nga MASR saktësohet se renditja e kandidatëve të cilët kanë përfunduar të dy fazat e konkurimit fillon me kandidatin që ka më shumë pikë dhe vijon me rend zbritës për çdo profil dhe zyrë vendore. Kandidati që në renditjen e përgjithshme ka më shumë pikë ka të drejtën e zgjedhjes së vendit të lirë të punës dhe është i detyruar të konfirmojë edhe vendin e punës ZVAP brenda 24 orëve nëpërmjet adresës elektronike. Në rast të moskonfirmimit nga kandidati ky pozicion pune i ofrohet kandidatit të listuar një rend më poshtë. Midis kandidatëve që rezultojnë me pikë të barabarta, përparësi ka personi që do të jetë me aftësi të kufizuar. Në rast se nuk ka persona të tillë, vendi i lirë i punë si ofrohet kandidatit që ka marrë pikët më të larta në testimin e informatizuar. Çdo kandidat ka të drejtën e refuzimit deri në pozicionin që preferon. Kandidati fitues paraqitet në institucionin arsimor ku afrohet vendi i lirë i punës menjëherë sapo merr njoftimin. Ai dorëzon drejtorit dokumentin vërtetues të printuar nga sistemi i aplikimit online. Mësuesit ndihmës do të punësohen nga kandidatët e portalit “Mësues për Shqipërinë” të profilit arsim special.
Lidhja e kontratës
Sipas kërkesave të vendit të punës kontrata lidhet me ose pa afat. Për të gjithë kandidatët që kanë përzgjedhur një vend pune të përhershëm dhe janë emëruar me kontratë pune pa afat ndryshon statusi i punës në portal në “i punësuar”. Ndërsa për të gjithë kandidatët që kanë përzgjedhur një vend pune të përhershëm dhe janë punësuar me kontratën me afat cilësohen si “të punësuar përkohësisht”.
Kalendari me datat e testimit për 10 profilet e para lëndore

