Bisedojmë me të në një ambient steril, në një zyrë mjekësh, ku e bardha mbizotëron, kjo sepse ajo është mjeke dermatologe. Buzëqeshja e saj e vazhdueshme na shoqëron gjatë gjithë intervistës, duke na lënë të kuptojmë se jemi me një person që mendon pozitivisht. Në fakt, pamja që ka e vërteton këtë. E kemi parë për vite me radhë si një spikere lajmesh, por prej ditësh ajo nuk po duket më. E keni kuptuar besoj. Erjona Shehu ka hequr dorë përfundimisht nga televizioni duke iu përkushtuar më kohë të plotë punës së saj si mjeke. Mjekja që paradite ishte me pacientët në spital dhe darkave duke dhënë lajmet, ka shumë për të na treguar. Kjo jetë e ndarë mes dy profesionesh ka bërë që në korridoret e QSUT-së t’i thërrisnin “gazetarja” dhe në korridoret e televizionit, “doktoresha”.
Stop ekranit
Sot, fillimi i ditës për të është ndryshe: “Mëngjesi është i ngjeshur, përgatitja e ushqimit, veshja e fëmijëve, tualeti, vrapimi nëpër shtëpi, trafiku i ngarkuar, shpërndarja e fëmijëve në shkolla dhe kopshte, një kafe e shpejtë në QSUT dhe më pas nis dita e punës, që mbaron shumë vonë”. Ajo ka hequr dorë përfundimisht nga televizioni dhe këtë na e thotë me një përgjigje të prerë: “Edhe pse jeta më ka mësuar të mos them kurrë ”kurrë”, në këtë rast do ta them. Nuk do të kthehem më në televizion”. Janë bërë më shumë se dy vite që Erjona, nënë e dy fëmijëve, i përkushtohet profesionit të saj më kohë të plotë, profesion për të cilin edhe ka studiuar, por pavarësisht angazhimit në ekran, ajo nuk a ka lënë për asnjë ditë. “Po, tashmë merrem jo vetëm me dermatologjinë klasike dhe me atë pediatrike, për të cilën kam bërë specializime plus, por edhe me dermato-kozmetikën. Ndoshta fakti që kam punuar prej 12 vjetësh në TV më bën ta dua estetikën dhe të përpiqem të arrij maksimumin e bukurisë, ndriçimit dhe rinisë edhe te pacientët e mi”, rrëfen ajo, e lumtur për punën që bën.
Në televizion doktoreshë dhe në spital gazetare
T’i ndërthurje bashkë, punën në media dhe atë në spital nuk ka qenë e lehtë, por Erjona ia ka dalë. Fakti që tanimë e ka lënë tregon se nuk mund të vazhdohej pafundësisht. “E kam përballuar, me pak përplasje herë pas here. Mjekët janë shumë të keqparagjykuar në Shqipëri. Në situata të caktuara, politika i ka keqpërdorur për të tërhequr vëmendjen nga zullumet e saj, e ka drejtuar aty vëmendjen dhe mllefin e publikut dhe fatkeqësisht, kësaj nuk i ka shpëtuar as media. Asnjëherë nuk është respektuar parimi i prezumimit të pafajësisë dhe kjo ka bërë që të krijohen situata shumë negative, në kurriz të një shtrese që është tashmë e keqvlerësuar jo vetëm financiarisht, por edhe në nivelin social. Për këtë kam debatuar shpesh me miqtë e mi gazetarë, por asgjë nuk ka ndryshuar. Nga ana tjetër, raporti mes tyre ka qenë i shkëlqyer. Në TCH më thërrisnin “doktoresha” dhe në spital “gazetarja”. Çfarë të them më shumë?!”- e mbyll argumentin e saj duke ngritur supet dhe duke hedhur vështrimin nga dritarja.
Kohë kompromisesh
Ndërsa nis të na tregojë për familjen, i shkëlqejnë sytë. Është munduar gjithmonë ta ruajë atë nga çdo lloj agjenti i dëmshëm dhe mendon se ia ka dalë. Erjona është nënë e dy vajzave, 8 dhe 4 vjeç. Të madhen e quan filozofe, ndërsa të dytën një çapkëne të lindur. Shtëpia e saj nuk është vetëm një hotel ku ajo shkon te flejë e më pas të çohet për t’u larguar në punë. Ka edhe ajo momentet kur eksperimenton me gatimin dhe bën gjëra në kuzhinë që familja ia adhuron… Në jetë shpesh herë bëhen edhe kompromise. Për Erjonën ka qenë vetëm një: “Duke punuar shumë u kam mohuar kohën vajzave të mia, i vetmi kompromis: për hir të punës kam harxhuar shumë momente që mund t’i kisha kaluar me to dhe në shërbim të tyre, megjithatë besoj se kjo është mënyra si është ndërtuar bota dhe të tilla kompromise bëjnë të gjithë prindërit kudo janë. E rëndësishme është që fëmijët tanë të na e kuptojnë këtë sakrificë të pafajshme”.
Zbukurohu në tryezë, jemi në kohën e… shegës
Nuk mund të shkonim te Erjona dhe mos ta pyesnim atë për një temë që duam ta ndajmë me ju sot. Shpesh ne përdorim shprehjen: Ju jeni çfarë hani!. Në fakt i njëjti etiketim mund të bëhej edhe për lëkurën tuaj: Ajo pasqyron çfarë ju hani dhe është treguesi më i mirë i cilësisë së dietës suaj. Në bisedë me doktoreshën mësuam se nëse doni një lëkurë që të jetë rrezëllitëse dhe e të duket e re, atëherë, sigurohuni që pjata juaj të jetë e mbushur me ushqime të shëndetshme. Çdo gjë që ju hani, jo vetëm merr pjesë në punën e “fabrikës” suaj të brendshme, por edhe në mekanizmat rregullatorë të lëkurës suaj. Sa më shëndetshëm të hani, aq më bukur do duket lëkura juaj. Ndryshimet në lëkurë, falë dietës, nuk ndodhin brenda natës, ato vijnë kohë pas kohe dhe bëhen të dukshme në vitet që vijojnë. Edhe patologji si aknet apo ekzemat janë të lidhura me regjimin ushqimor.
Dr. Erjona, e dëgjojmë shpesh që frutat dhe perimet të bëjnë shumë mirë për lëkurën. Të gjitha pa përjashtim apo ndonjëra prej tyre pak më shumë se të tjerat?
Frutat dhe perimet janë të mrekullueshme për efektet e tyre në organizëm. Përmbajtja e tyre në acide, fibra, ujë dhe vitamina, i bën një burim të përhershëm shëndeti duke e mbajtur atë vital dhe në formë. Të njëjtin efekt kanë edhe mbi lëkurën tonë. E mbajnë në tonus, e hidratojnë, e ushqejnë vazhdimisht dhe ndihmojnë në uljen e ritmeve të plakjes. Unë nuk do ndaja kategori të caktuara. Një organizëm i shëndetshëm do të thotë edhe organe të shëndetshme. Duke qenë se lëkura është organi më i madh në trupin tonë, është ajo që merr përfitimet e para dhe më të shumta nga një regjim dietik i pasur në fruta dhe perime.
Kur themi të bëjnë mirë do të thotë që duhet t’i konsumojmë çdo ditë për të marrë përfitimet?
Absolutisht po. Një konsumim i rregullt i frutave dhe perimeve do të thotë një furnizim i vazhdueshëm i organizmit me lëndët bazë dhe elementet specifike që ka secila prej tyre. Një dietë e varfër dhe e çekuilibruar nuk siguron nevojat bazë dhe jo më të mendohet të japë efekte rigjeneruese në organizëm dhe në lëkurë.
Meqë ca lloj ushqimesh të bëjnë mirë për lëkurën, do të thotë se mjafton vetëm konsumi i tyre apo lëkura ka nevojë edhe për përkujdesje të tjera?
Kujdesi për lëkurën njihet që në historinë e hershme të njerëzimit. Janë përshkruar shumë herët balsamet dhe maskat e ndryshme me përmbajtje frutash që gratë vinin në fytyrë apo banjat që bënin për të kuruar lëkurën. Egjipti përmendet nga kronikanët më shpesh dhe kjo lidhur jo vetëm me simbolin e fuqisë dhe bukurisë femërore, Kleopatrën, por edhe për trajtimet e ndryshme me aloe vera, shegë, fiq etj., që femrat bënin në atë kohë. Kujdesi ndaj lëkurës nuk nënkupton vetëm një regjim ushqimor të rregullt, por edhe një sërë masash që merren për të ulur ritmet e plakjes- kjo jo në mënyrë të sforcuar, por me një dietë të shëndetshme, kombinuar suksesshëm me këshillat dhe trajtimet që bëhen nga dermatologët.
Tek kremrat, në etiketat e të cilëve thuhet se ka përbërje frutash, në ç’përqindje i gjejmë këto të fundit?
Përqindja e frutave në kremra mund të shkojë deri në 80%. Në varësi të kësaj përqindjeje, bëhet edhe aplikimi i tyre në fytyrë. Përgjithësisht kremra me përmbajtje kaq të lartë natyrale dhe përmbajtje të ulët konservantesh, janë më të kontaminueshëm, ndaj dhe aplikimi i tyre bëhet duke përdorur spatula të ndryshme për t’i vënë në fytyrë. Në këtë moment do të tërhiqja vëmendjen për kujdesin që duhet treguar kur blihen të tilla produkte. Për të shmangur abuzivizmin duhen blerë në vende të sigurta, të licencuara dhe të kontrolluara nga autoritetet përkatëse.
T’i vendosësh frutat ose perimet në fytyrë në formë maske, kanë po të njëjtin efekt si t’i konsumosh?
Jo! Efektet e vendosjes së drejtpërdrejtë të frutave në fytyrë për një periudhë të paktën një mujore, me maska dy herë në javë nga 10-20 minuta, janë më të shpejta se efektet e konsumimit të frutave. Frutat kanë përqindje të lartë uji, që hidraton lëkurën, acide fruktoze, që bëjnë një lloj eksfolimi natyral të lëkurës dhe sheqerna që bëjnë ushqimin e lëkurës duke i dhënë shkëlqim, tonus dhe pamje të këndshme. Ndërsa konsumimi i frutave duhet bërë për një kohë të gjatë dhe të rregullt në mënyrë që efektet e tij të jenë më të prekshme. Pra, është një efekt i shtrirë në kohë dhe ndihet atëherë kur nisin të shfaqen shenjat e para të plakjes. Fytyra e një individi që konsumon fruta rregullisht është dukshëm më e re, më e bukur dhe më e shkëlqyer se e një njeriu që nuk i konsumon ato.
Cilat janë ushqimet që bëjnë efektin e kundërt, e acarojnë lëkurën?
Të gjitha ushqimet që janë të dëmshme për organizmin në përgjithësi, janë të dëmshme edhe për lëkurën. Ushqimet pikante japin skuqje dhe acarim të saj, duke i bërë më të dukshme enët e gjakut në lëkurë, ushqimet e skuqura shtojnë sasinë radikaleve të lira dhe oksidantëve duke i dhënë lëkurës pamje më të lodhur dhe të shuar, ndërsa ushqimet e yndyrshme rrisin sasinë e yndyrës në organizëm duke zgjeruar poret e lëkurës që bëjnë ekskretimin e saj por dhe të akneve e të pikave dhjamore.
Po përsa i përket konsumit të ujit? Cila është sasia e duhur për të pasur një lëkurë të hidratuar?
Sasia ideale do të ishte 2.5 litra në ditë. Është një sasi e mjaftueshme që lëkura të jetë me dritë dhe vitale. Por do të rekomandoja fuqishëm edhe çajin jeshil. Është një antioksidant i mrekullueshëm për lëkurën tuaj.
Cilat janë ushqimet për një lëkurë të shëndetshme?
Bulmetrat me pak yndyrë
Një ndër komponentët më të rëndësishëm për shëndetin e lëkurës suaj është vitamina A. Vendi më i mirë ku gjendet kjo vitaminë janë bulmetrat. Proteinat që merrni nga konsumimi i tyre e bëjnë më rezistente lëkurën duke e ngadalësuar procesin e formimit të rrudhave. Kosi, sidomos, i marrë rregullisht, është me veti të mrekullueshme në lëkurën tonë, sidomos në lëkurat e thata, pasi lehtëson lëkurën përmes procesit të hidratimit.
Manaferrat, luleshtrydhet dhe dardhat
Lidhja e zakonshme midis këtyre ushqimeve është përmbajtja e lartë me antioksidantë. Në një studim të fundit botuar në Journal of Agricultural and Food Chemistry këto tre fruta mbanin nivelin më të lartë të antioksidanteve krahasimisht me të gjitha ushqimet e tjera. Përfitimet prej tyre janë të jashtëzakonshme. Për pasojë ruhet lëkura edhe nga ajo që ne e quajmë “plakje e parakohshme”. Shumë të rëndësishme në procesin antioksidativ janë edhe fasulet e kumbullat.
Fasulet
Janë të pasura në zink dhe studimet flasin për lidhje midis niveleve të ulëta të zinkut dhe njollave që bëhen në fytyrë. Zinku ka aftësi mjaft kurative për lëkurën tuaj.
Arrat
Përmbajnë acidet Omega 3 që përmirësojnë elasticitetin e lëkurës. Ato janë të mbushura edhe me bakër, që nxit prodhimin e kolagjenit. Marrja e tyre e përditshme është një ndihmë e madhe për lëkurën tuaj.
Buka integrale, drithërat, mishi i gjelit të detit dhe toni
I lidh me njërin-tjetrin seleniumi, që luan gjithashtu një rol thelbësor në shëndetin e qelizave të lëkurës. Edhe në rast të dëmtimit të lëkurës, çarjeve apo djegieve nga dielli, shërimi është më i shpejtë në rastet kur ka prani të lartë të seleniumit. Në dy studime klinike të bëra në Universitetin e Edinburgut, është vëne re se në prani të niveleve të larta të seleniumit, lëkura është më pak e prirur të rezistojë ndaj fenomeneve oksidative që shkaktojnë kanceret e lëkurës.
Çaji jeshil
Për çajin jeshil do të duhej një artikull me vete, nisur nga vetitë e tij të mrekullueshme mbi lëkurën dhe organizmin në përgjithësi, asnjë nuk mund t’i dalë përpara çajit jeshil, nëse do të shprehesha në këtë mënyrë, nisur nga vetitë e tij antiinflamatore dhe mbrojtëse, sidomos ndaj kancereve të lëkurës. Si në rastet kur pihet nga goja, por edhe kur aplikohet direkt mbi lëkurë, mund të reduktojë në maksimum pasojat e ekspozimeve të zgjatura në diell.
Uji
Sasia ideale do të ishte 2.5 litra në ditë. Është një sasi e mjaftueshme që lëkura të jetë me dritë dhe vitale. Por kur themi ujë nuk do të thotë që atë ta merrni të gazuar, apo me përmbajtje sheqeri i cili është mjaft i dëmshëm për lëkurën tuaj dhe organizmin në përgjithësi. Uji ka në përmbajtje të tij edhe shumë minerale, që janë mjaft të rëndësishme për shëndetin e lëkurës dhe pamjen e saj.
Shegët
Mbeten një ndër ushqimet e preferuara nga ne dermatologët. Shegët kanë në përmbajtje të tyre antioksidantë polifenole që luftojnë radikalet e lira, rregullojnë qarkullimin e gjakut dhe i japin lëkurës pamjen e shëndetshme ngjyrë rozë. Një shegë në ditë, e marrë rregullisht është çudibërëse, ndërsa e aplikuar direkt mbi lëkurë ndihmon në zbutjen e lëkurës dhe reduktimin e rrudhave.

E lexova, me dha nje lloj qetesie
Pse ke qene prishur ne fetyre.