Vijon nga numri i kaluar
HANNES GRASSEGGER*
Viktor Orbani po bëhej gati për të ndërtuar një narracion dramatik alternativ për kombin e tij. Një forcë lëvizëse ishte historiania Maria Schmidt, një mike e Orbanit, të cilën ai qysh gjatë periudhës së parë qeverisëse të vitit 2002 e kishte emëruar drejtoreshë të Memorialit Kombëtar për Viktimat e Diktaturës. Një grua e nxehur për luftë, e cila, në mes tjerash, kishte trashëguar shumë para. Ajo e paraqiste Hungarinë, që kishte lidhur pakt me Hitlerin, si një viktimë të pafajshme të rrethuar me armiq, e cila me guxim dhe vendosmëri kishte mbrojtur identitetin e saj të lashtë. Hungaria për të është një komb në rrethim të përhershëm. Fillimisht osmanët, pastaj nacistët, pastaj komunistët. Misioni hungarez: ruajtja nga ndikimet e jashtme dhe mbrojtja e krishterimit.
Para një sfondi të këtillë Artur Finkelstein-it i vjen një frymëzim. Ishte një ide për fushatë, aq e madhe dhe aq demoniake, sa do ta mbijetonte edhe vetë autorin.
Esencialisht bëhet fjalë për narracionin e “kapitalit të madh”, i cili po komplotonte kundër një Hungarie të vogël. Mirëpo përmes një shkallëzimi dramatik: ç’do të bëhej sikur befas të hiqej perdja para komplotit të këtij kapitali dhe të shfaqej një figurë që mban të gjitha fijet. Dikush që jo vetëm e drejton këtë kapital të madh, por edhe e mishëron atë? Një person konkret. Për më tepër i lindur në Hungari. I huaj, dhe megjithatë i njohur. Ky person është George Soros, thotë Finkelstein. Dhe Birnbaum e shquan menjëherë gjenialitetin e kësaj ideje: “Sorosi qe një kundërshtar i përkryer.”
Pikërisht ky çast shënon lindjen e përbindëshit Georg Soros. Një multimiliarder, aq i fuqishëm dhe me lidhje ndërkombëtare, sa duhej mbledhur e mobilizuar gjithë kombin pas Orbanit për ta mposhtur atë. Këtu në Hungari do të krijohej ajo figurë e urrejtur, të cilën së shpejti do ta sulmonin politikanët nga të gjitha anët e botës. Duke arritur madje deri te Bundestagu gjerman ose në Parlamentin e Zvicrës.
Hë për hë propozimi i Finkelstein-it dukej i pakuptimtë. Një fushatë elektorale kundër një jopolitikani. Kundër një njeriu që për më tepër nuk jetonte në Hungari. Një burri plak që në gjithë vendin ishte i njohur si një mecenë dhe bamirës. I cili përpara përmbysjes kishte mbështetur opozitën kundër komunistëve, pastaj u kishte dhuruar nxënësve shujta shkollore, ndërsa më vonë, mu në mes të Budapestit kishte ngritur njërin ndër universitetet më të mira të Evropës Lindore.
Madje edhe vetë Orbani kishte marrë dikur para prej Sorosit: në periudhën e tij të opozitarizmit Fondacioni i tij i vogël klandestin Szazadveg publikonte revista kritike të shtypura në një makinë kopjative të paguar nga Sorosi. Orbani ishte gjithashtu njëri ndër 15000 bursistët e Fondacionit për një Shoqëri të Hapur. Vetëm falë Sorosit Orbani mund të studionte filozofinë në Oksford. Të dy bashkë ishin takuar një herë të vetme: kur Sorosi erdhi në Hungari pas katastrofës natyrore nga përmbytjet, për të ofruar një ndihmë emergjente prej një milion dollarësh.
Vërtet nuk kishte asnjë arsye për të qenë kundër tij.
Qëllimi arsyeton mjetin
Finkelsteini dhe Birnbaumi te Georg Sorosi shihnin, ndërkaq, krejtësisht diçka tjetër. Kritika kundër Sorosit kishte një histori të gjatë. Ajo e kishte pikënisjen që nga viti 1992, kur Sorosi përmes një kontrate monetare pati fituar brenda një nate një miliard dollarë – duke nxirë reputacionin vetjak sikur i kishte hedhur qytetarët britanikë në varfëri. Për shumë të majtë Sorosi qe një përbindësh. Deri kur famën e tij të papritur nisi ta vinte në shfrytëzim për të bërë publike idetë e tij liberale të majta që i befasuan të gjithë. Ai ishte pro gjithçkaje kundër të cilave ishte e djathta: mbrotja klimatike, ridistribuimi, klintonët. Ai kundërshtoi luftën e dytë kundër Irakut me 2003, duke e krahasuar Georg Bushin me nacistët, dhe nisi të bëhej donator i madh i demokratëve. Kësisoj u shndërrua në një armik shembullor të republikanëve.
Mirëpo kishte edhe të tjera. Finkelstein-i dhe Birnbaumi kishin korrur sukses pikërisht në ato vende në të cilat fondacionet për shoqëri të hapur kishin bërë përpjekje veçanërisht intensive për ngritjen e elitave lokale dhe lëvizjeve për të drejtat e njeriut: në Ukrainë, Rumani, Çeki, Maqedoni, Shqipëri. Birnbaumi, një i djathtë i qetë, është kundër Sorosit. Atij i duket se Sorosi mbështet “njëfarë socializmi, i cili është një gjë e gabuar për këto hapësira”. Mirëpo Finkelsteini, pohon Birnbaumi, këtë gjë e shihte në një pikëvështrim thellësisht racional: Sorosi si kundërshtar është thjesht një mjet që arsyetohet nga qëllimi.
Për të zbuluar nëse emri i Georg Sorosit në Hungari vërtet ishte mjaft i njohur, ai zhvilloi një testim për të përmes një ankete telefonike, duke e futur emrin e Sorosit midis një liste kundërshtarësh tjerë të mundshëm, – pohon një person që kishte marrë pjesë në këtë anketë. Vetë Birnbaumi nuk do të shprehet për këtë gjë.
Tani mbetej që edhe Orbanit t’i mbushej mendja. Birnbaumi thotë se Finkelsteini gëzonte një besim të jashtëzakonshëm tek Orbani. Zëdhënësit e Orbanit refuzojnë ta komentojnë këtë gjë. “Askush nuk ishte më i rëndësishëm për politikën e Orbanit se sa Finkelsteini”, thotë edhe ish-pollsteri i Fidesz-it hungarez. “Por edhe Finkelsteini s’kishte pasur kurrë një nxënës më të mirë.”
Për Orbanin fushata anti-Soros kishte kuptim, si në raport me jashtë, ashtu edhe me brenda. Në planin e jashtëm, kjo gjë do t’u pëlqente fqinjëve rusë. Putini kishte frikë nga të ashtuquajturat revolucione me ngjyra, si pranvera arabe ose Ukraina, dhe kishte filluar të merrte masa kundër Sorosit dhe mbështetjes së tij për forcat liberale. Armiku i përbashkët të bën mik. Në planin e brendshëm, fushata i përshtatej Maria Shmidt-it, e cila ishte e bindur që Sorosi fshihej prapa kritikës së demokratëve të SHBA kundër narrativës së tyre revizioniste për atdheun. Ai e kishte vënë re këtë në Comedyshow «Saturday Night Live», rrëfente para pak kohësh me seriozitet të plotë znj. Schmidt për një gazetare amerikane. Në vitin 2008 qe shfaqur një aktor i Sorosit, i titulluar si “Georg Soros, pronar i partisë demokratike”. Dhe këtë fakt Sorosi nuk e kishte demantuar kurrë. Për znj. Schmidt rasti ishte i qartë.
Goditja e parë
Se Finkelsteini dhe Birnbaumi punonin për Orbanin vihet vazhdimisht në diskutim. Në Hungari Finkelsteini konsiderohet pothuajse një figurë mitologjike. Orbani gjithsesi asnjëherë nuk është prononcuar qartë lidhur me rolin e tij, ndërsa zëdhënësit e tij refuzojnë të ofrojnë përgjigje në pyetjet përkatëse. Birnbaumi është pjesëmarrësi i parë, i cili tani pranon të shprehet për “Magazinin” për këtë fakt. Gjithsesi shumë pyetje i lë pa përgjigje. Kështu p.sh, ai nuk pranon të kujtojë hollësirat e bashkëpunimit, p.sh., nëse i kishin formuluar edhe sloganet dhe jo vetëm idetë për veprim, ose se deri në ç’shkallë e drejtonin fushatën vetë.
Megjithatë gjithkush mund të kishte parë se çfarë kishte ndodhur në vitet vijuese në Hungari. Dhe çfarë kishte pasuar në gjithë botën. Faktikisht fushata vetëm duhej të mblidhte bashkë të gjitha argumentet dhe masat kundër Sorosit, nga Lindja dhe nga Perëndimi, nga e majta dhe nga e djathta. Risi ishte vetëm fakti që Sorosi duhej bërë kundërshtar në luftën elektorale.
Goditja e parë vjen me 14 gusht 2013, afro nëntë muaj para zgjedhjeve të ardhshme. Një artikull në gazetën e afërt me pushtetin, «Heti Valasz», gjoja sulmon rastësisht OJQ-të e kontrolluara prej Sorosit. Për të parën herë kështu do të skicohet tablloja e një komploti kundër opinionit publik të orkestruar prej Sorosit. Hapi i radhës do të jetë lufta e aparatit shtetëror hungarez kundër organizatës ambientaliste Ekotar të kontrolluar prej Sorosit, e cila krahas burimeve norvegjeze, merrte e dhe para nga fondet zhvillimore të DEZA-s zvicerane. Policia sulmon zyrat e “lakejve të supozuar të Sorosit”, ua konfiskon kompjuterët. Do të inicohen procese dhe hetime disamujore kundër Ekotarit. Paratë zvicerane do të bllokohen. Edhe nëse hetuesit hungarezë më në fund nuk zbulojnë gjë – tabolloja e OJQ-ve të lidhura rrezikshmërisht mes tyre në një litar alpinistësh tashmë ishte konstruktuar.
Në këtë kohë ndodh lufta e Sirisë dhe shtimi enorm i hallexhinjve ndihmëkërkues në BE, e ashtuquajtura krizë e refugjatëve. Në kohën kur Finkelsteini qysh më herët kishte projektuar nga kjo rrethanë një fushatë kundër refugjatëve, në vjeshtën e 2015-tës Sorosi publikon si me porosi një esse, në të cilin ai apelon për një plan të përbashkët të BE në qasjen ndaj refugjatëve. Ai thotë që BE “në një të ardhme të afërt duhet të jetë gati për një milion refugjatë në vit”. Një kofshë e majme për gojën e Orbanit.
Vetëm një ditë pasi që qeverisë hungareze iu desh të hiqte dorë nga lufta kundër Ekotarit, Viktor Orban mban një fjalim. Ai thotë që Georg Soros është përfaqësues i asaj shkolle perëndimore të mendimit që do të dobësojë shtetin-komb, dhe do ta përmbytë me refugjatë. Për herë të parë këtu nxjerr krye ndihma e Sorosit për migrantët si pjesë e një komploti madhor.
Nga fundi i vitit 2015 sulmet vazhdojnë të bëhen në distanca përherë e më të shkurtra. Çdo organizatë që mund të ketë marrë ndonjëherë para nga fondacioni për shoqëri të hapur, portretizohet si një organizatë e drejtuar nga Sorosi. Më në fund gjithë bashkëpunëtorët e OJQ-ve do të shënjohen si mercenarë të financuar nga jashtë.
Të gjitha këto realizohen përmes një ping-pongu të sofistikuar nga artikujt denoncues sensacionalë dhe reagimet zyrtare të autoriteteve qeveritare. Fushata e nxirjes bëhet gjithnjë e më shumë e shfrenuar: Hungaria kopjon një masë të Putinit, heqjen e licencës për një universitet në Petersburg që bashkëfinancohej nga Sorosi. Në shkurt 2017 fillojnë sulmet kundër Universitetit të Evropës Qendrore të Sorosit, i cili drejtohej nga kanadezi Michael Ignatieff. Ky historian i respektuar i ishte kundërvënë dikur si politikan në atdheun e tij partisë konservatore për të cilën kishte punuar Finkelsteini.
Mishërimi i së keqes
Kulminacionin fushata kundër Sorosit e arrin në korrik të vitit 2017, kur i gjithë vendi qe suvatuar me posterë, të cilët tregonin fytyrën e tij, ndërsa nën të fjalinë: “Mos lejoni që Sorosi të qeshë i fundit”. Slogani “Stop Soros” përsëritet pa mbarim, fotomontazhet e tregojnë Sorosin krah për krah me bashkëkomplotistë të dyshuar, të cilët kapërcejnë sipër një gardhi të prerë: gardhi kufitar i Orbanit kundër refugjatëve. Orbani pretendon që Sorosi ka me vete një rrjet mafioz. Në vjeshtë të vitit 2017 qeveria organizon një këshillim kombëtar. Miliona qytetarëve u dërgohen pyetësorë. Ata mund të zgjedhin duke kryquar nëse do të mbështesnin ose jo “planin e Sorosit” që për çdo vit një milion njerëz nga Afrika dhe Lindja e Afërt të emigronin në Evropë.
Fondacionet për shoqëri të hapur dhuruan më 2016 në Hungari rreth 3.6 milion dollarë. Dhjetë fish më shumë, mbi 40 milionë euro, kushtoi fushata anti-Soros e vitit 2017. Ajo dha rezultate. Pëlqyeshmëria ndaj Sorosit u ulë. Një vend i tërë u kthye kundër këtij njeriu. Sorosi u bë mishërimi i së keqes.
“Vetë Sorosi kishte rënë në grackë. Sa më shumë që kundërpërgjigjej, aq më shumë e vërtetonte pretendimin tonë, ai po ngatërrohej në politikë”, thotë Birnbaum. Të delte vetë si kundërkandidat i Orbanit ishte gjithashtu e papërfytyrueshme për një plak asokohe 87-vjeçar. “Z. Soros nuk është politikan”, thotë këshilltari i tij Michael Vachon. Sorosi ishte në shah-mat.
Tek ai Artur Finkelsteini kishte gjetur kundërshtarin e tij të përkryer. “Z. Liberal”, ashtu siç kishte dashur ta shihte gjithmonë. Mishërimi i të gjitha kontradiktave, të cilat konservatorët i urrejnë aq shumë tek të majtët ekonomikisht të suksesshëm: një spekulant i tregut financiar që njëkohësisht mbështeste një kapitalizëm të butë. Dhe më e forta nga të gjitha: ky kundërshtar i luftës elektorale as ishte politikan dhe as ndodhej në Hungari. Kundërshtar i përkryer është dikush, të cilin ti e godet pa mbarim, ndërsa ai nuk kundërpërgjigjet kurrë. Thotë Birnbaum. Dhe e kaplon ngazëllimi. “Gjithçka ishte e qartë. Ishte më i thjeshti nga të gjitha produktet. Duhej vetëm të paketohej dhe të tregtohej.”
Produkti ishte aq i mirë, shitej vetvetiu dhe qarkullonte nëpër botë. Më 2017 në Itali tirreshin thashetheme mbi anije refugjatësh të financuara nga Sorosi. Më 2018 në SHBA spekulohej se Sorosi qëndronte pas karvanit të migrantëve meksikanë. Në Itali Mateo Salvini i shante kundërshtarët e tij si njerëz të paguar nga Sorosi, në parlamentin e BE Nigel Farage, dhe në Gjermani Stephan Brandner dhe Jörg Meuthen nga AfD.
Nga Kolumbia përmes Izraelit, kah Kenia dhe Australia dalin në shesh argumente anti-Soros. Një parlamentar polak e quante Sorosin njeriun më të rrezikshëm në botë. Putini e përmendi atë në mënyrë të pahijshme gjatë konferencës së shtypit së bashku me Trumpin në Helsinki. Trumpi, në anën tjetër, e përfshin Sorosin në spotin e tij final elektoral nga fundi i vitit 2016. Dhe së fundi, ai ngre pretendimin se demonstratat kundër kandidatit të tij për Gjykatën e Lartë, Brett Kavanaugh, ishin të sponsorizuara prej Sorosit.
Hungaria funksionon si një urë lidhëse në një punë retorike ekipore midis Trumpit dhe Putinit. Në Austri u shfaq emri i Sorosit në kontekstin e një zgjedhjeje në rrjedhën e skandalit Silberstein. Më vonë kishin rrjedhur informacione se ishin përdorur konto false të Facebook-ut që përmendnin planin e Sorosit. Së bashku në shtabin e fushatës: Birnbaum dhe Finkelstein.
Kthimi i çifutëve të ligj
Birnbaum mbrohet kundër hipotezës se mund të ketë drejtuar fushata të tjera kundër Sorosit jashtë Hungarisë. Mirëpo mbase as që kishte nevojë për një gjë të tillë. Ai dhe Finkelsteini kishin krijuar në Hungari imazhin më të fuqishëm të armikut të lëvizjes së djathtë të kohëve të reja, një material të përkryer për internetin. Në njërën anë mediat digjitale të djathta si «Breitbart» dhe «Russia Today» e shfrytëzonin fushatën hungareze, e përkthenin në gjuhë të tjera dhe e ushqenin me argumenta. Në anën tjetër ishin rrjetet sociale, përmes të cilave Sorosi i ligë mëvetësohet si meme.
Nëse doni sot që lëvizjet e djathta t’i shndërroni në luftë zgjedhore, atëherë mjafton të peshkoni nga rrjeti materialet për Sorosin. “AntiSoros” është një armë-Open-Source e globalizuar, në dispozicion të lirë dhe e gatshme për t’u përshtatur. Birnbaum e quan atë “emëruesin e përbashkët të lëvizjeve nacionaliste”. Jo rastësisht Steve Bannon thërriste për luftë kundër Sorosit, atëherë kur donte të futej në garën zgjedhore në BE.
Ajo çfarë Finkelstein dhe Birnbaum kishin ndërtuar, ndërlidhet pa ndonjë qepje për njërin ndër syzhetë më të vjetër antisemitikë të historisë së Perëndimit: çifuti i lig, i etur për para, që do të sundojë botën. Edhe pse fushata e Orbanit nuk e kishte përdorur asnjëherë fjalën çifut: Orbani thoshte, duhej luftuar kundër një armiku që ishte ndryshe, i paatdhe, dhe që donte të kishte botën nën pronësi. Logjikisht, me faktin që sipër plakateve për Sorosin ishin gërvishtur yjet çifute të Davidit, zgjedhësit e kishin përmbyllur fushatën. Kushdo që sot kërkon në internet emrin e Sorosit, ndeshet menjëherë me montazhet: koka e Sorosit në tentakulat e një oktapodi, një motiv klasik i antisemitizmit.
Më 2017 në Hungari nisi të protestonte komuniteti çifut, iu bashkua edhe ambasadori izraelit. Atëherë kur Zoltän Radnöti, një rabin i njohur hungarez, mori vesh që fushata udhëhiqej nga pjesëtarë të komunitetit çifut, u shfaq i shokuar para publikut. Bota çifute është e ndarë për faktin nëse fushata ishte antisemite. Një herë, kujton Birnbaum, atë e kishte ndarë anash një pjesëtar i Anti-Defamation League (Lidhjes Anti-Shpifje) në SHBA dhe i kishte tërhequr vërejtjen. Organizata që prej shumë vitesh monitoron një rritje të urrejtjes antiçifute në rrjet, ndërsa në një studim të sajin i kishte kushtuar një kapitull të tërë fushatës anti-Soros.
Birnbaumin, i cili respekton sabbatin dhe është i organizuar në shoqata të shumta izraelite, e zemëron kjo pyetje. Gjatë fushatës bëhej fjalë për një projekt thjesht ideologjik, thotë ai. Sorosi mbështeste gjithçka kundër të cilave ishte Orbani. Kur planifikuam fushatën, asnjë sekondë të vetme nuk e menduam se Sorosi qe një çifut. Ai vetë asokohe as që e kishte ditur këtë fakt. Ai s’kishte punuar kurrë me antisemitët. Akoma përpara fillimit të bashkëpunimit me Orbanin kishte bërë hetime në qarqe të informuara se çfarë qëndrimi kishte Orban ndaj çifutëve. Nuk kishte dëgjuar asgjë të dyshimtë. Përkundrazi, Orbani e ndiqte antisemitizmin në mënyrë konseguente. Vajzës së tij të parë i kishte vënë një emër çifut, Rahel. Përpos kësaj, “A mos duhet të mos e sulmoj dikë, sepse është çifut?”
Duhet nënvizuar se që të dy fushatëbërësit asokohe e njihnin që prej dekadash emrin e Sorosit, ndërsa Finkelsteini qysh në vitet 80 qe ngatërruar në një skandal, kur pati hulumtuar dhe instrumentalizuar qëndrimet antisemite të zgjedhësve. Këtë radhë pasojat ishin më të rënda. Fushata kishte ndryshuar botën. Nga fjalët ishte kaluar në vepra.
Në SHBA Sorosi merr prej një mbështetësi të Trumpit një letër-eksploziv. Pesë ditë më vonë një burrë i armatosur sulmon një sinagogë në Pittsburg dhe vret njëmbëdhjetë njerëz. Ai e kishte parë veten në luftë kundër një komploti çifut. Në konton e tij në median sociale ai fliste për një “karvan refugjatësh të Sorosit”. Kundrejt këtyre fakteve, Birnbaumi reagon me trishtim: “Ajo çfarë kemi bërë, duke e vrojtuar post festum, mbase tingëllon si një çmenduri, mirëpo në pikëvështrimin e asaj kohe ishte e drejtë.”
Vetëm një viktimë më shumë
Gjashtë muaj pas takimit në Berlin e thërrasin Birnbaumin në sallonin e hotelit të Trumpit në Washington DC. Një mik kishte një vernissage: Corey Lewandowski promovonte librin e tij për Trumpin. Këshilltarja e presidentit, Kellyanne Conway, shikon rreth e rrotull, po shitej kavjar, 100 dollarë një unc. Luhet një muzikë vallëzimi, shërbyesit janë pothuajse të gjithë lëkurë-errët, mysafirët pothuajse të gjithë të bardhë. Birnbaum kuvendon me vizitorët e manifestimit të mbyllur dhe porosit një koktej Moscow Mule.
A mos e ka ndryshuar opinionin e tij rreth fushatës anti-Soros? “Antisemitizmi është diçka e përjetshme, e pashlyeshme”, përgjigjet ai. “Fushata jonë s’e kishte bërë ndonjërin antisemit nëse s’do të kishte qenë qysh më parë i tillë. Mbase ka shtuar një viktimë më shumë. Asgjë më tepër. Sërish do të bëja të njëjtën gjë.”
Në dhjetor Ignatievit iu desh të njoftonte transferimin e universitetit nga Budapesti në Vjenë. Fondacioni për Shoqëri të Hapur zhvendosi selinë e tij në Berlin. Orbani sërish ka shansin e zgjerimit të imperiumit të tij medial. Jo vetëm në shtëpi, por edhe në vendet tjera. Ai ka plane të mëdha. Në maj janë zgjedhjet europiane. Hungaria për të djathtën është një model global. Ndërsa Orbani ka një formë të re qeverisjeje, sqaron një insajder i Fidesz-it. Secili hap i Orbanit i ishte nënshtruar sondazhit paraprak. Politikanët nuk duhet të formulojnë më vizione, por të rrëfejnë se çfarë i vë në lëvizje njerëzit në çastin e dhënë. Orbani e quan këtë “një shtet illiberal” (joliberal).
Artur Finkelstein vdiq në gusht të 2017-tës. Hungaria ishte projekti i tij i fundit. Më 2011, në njërin ndër fjalimet e tij të fundit publike, kishte thënë: “Unë desha ta ndryshoj botën. Dhe këtë e kam bërë. E bëra më të keqe.”
HANNES GRASSEGGER është raportues në «Das Magazin
Përktheu Bislim Elshani
