Vendet e lira të punës në arsim, QSHA shpall datat dhe oraret e testimit të informatizuar për secilin kandidat që konkuron për kontratat e reja të punës në arsimin parauniversitar
Gara për cikli fillor dhe parashkollor
Gara për vendet e lira të punës në arsimin parauniversitar për mësues të ciklit fillor dhe atij parashkollor pritet të jetë e ashpër. Kjo për shkak të numrit të kufizuar të vendeve të lira të raportuara nga shkollat e arsimit të detyruar në të gjithë vendin. Pas verifikimit të dosjeve dhe kushteve të tjera të aplikimit, Qendra e Shërbimeve të Arsimit bën me dije se për këto dy profile janë 1082 kandidatët që do t’i nënshtrohen testimit të informatizuar. Sipas kalendarit të përcaktuar nga QSHA, mësuesit e arsimit fillor do të kalojnë në testim në datat 18-23 korrik, ndërsa ata të ciklit parashkollor në datat 22 deri në 26 korrik. Secili mësues duhet të paraqitet për të dhënë provimin vetëm në datën dhe orarin e përcaktuar specifikisht për të. Me vete duhet të keni dokumentet e përcaktuara. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar listën e të gjithë mësuesve që do të zhvillojnë këtë provim, duke detajuar për secilin prej tyre datën dhe orarin se kur duhet të paraqitet për të plotësuar testin. Ekspertët e QSHA-së theksojnë se testimi i të gjithë kandidatëve do të jetë në përputhje me profilin e tyre lëndor, ku duan të ushtrojnë edhe profesionin e mësuesit. Krahas pyetjeve specifike mësuesit do të testohen edhe për njohuritë në lidhje me legjislacionin që vepron në fushën e arsimit. Teza e testimit të informatizuar do të ketë në përmbajtje rreth 50 pyetje, përgjigjet e sakta të të cilave do të vlerësohen me 70 pikë. Testimi do të zgjasë 60 minuta dhe do të zhvillohet me një raund të vetëm. Çka do të thotë se testimi do të fillojë dhe të mbarojë njëkohësisht për të gjithë kandidatët. Vlerësimi do të bëhet në mënyrë automatike nga sistemi kompjuterik. Rezultati i tetit i shfaqet kandidati në monitor dhe mund të printohet direkt. Sipas procedurave të përcaktuara në udhëzimin e dikasterit të arsimit për emërimet e reja në arsim përgjatë 2019-s, bëhet e ditur se renditja e fituesve do të bëhet në përputhje me rezultatet e arritura në vlerësimin e dosjes dhe rezultatin e arritur në testim. Rezultati përfundimtar është shumatorja e pikëve të arritura nga kandidati në vlerësimin e dosjes dhe pikëve të fituara në testim. Renditja e kandidatëve të cilët kanë përfunduar të dy fazat e konkurimit fillon me kandidatin që ka më shumë pikë dhe vijon me rend zbritës për çdo profil dhe zyrë vendore. Kandidati që në renditjen e përgjithshme ka më shumë pikë ka të drejtën e zgjedhjes së vendit të lirë të punës dhe është i detyruar të konfirmojë edhe vendin e punës në zyrat arsimore vendore brenda 24 orëve nëpërmjet adresës elektronike. Në rast të moskonfirmimit nga kandidati ky pozicion pune i ofrohet kandidatit të listuar një rend më poshtë.
Ditën e testimit duhet:
- Kandidati duhet të paraqitet në QSHA 30 minuta para fillimit të testimit të informatizuar së bashku me dokumentet në vijim.
- Letërnjoftim (Kartë ID ose Pasaportë, dokumenti origjinal).
- Kopje të Kartës ID ose Pasaportës.
- Formularin e pjesëmarrjes në testimin e informatizuar të lëshuar nga komisioni i vlerësimit të dosjeve në DRAP.
- Kandidatët, të cilëve u mungojnë këto dokumente, nuk mund të marrin pjesë në testimin e informatizuar.
