MALLËNGJYESE / Bulzim Lasha, frymëzim për qindra të rinj mediokër për t’u bërë liderë të nesërm

redaktor

TIRANË – Fondacioni “Mediokër pa Kufij” (MEPAK) vlerësoi dje politikanin Bulzim Lasha me çmimin “Media ngjyrë Okër”, si shembulli perfekt i frymëzimit për qindra të rinj shqiptarë pa pikë talenti, guximi, meritash, aftësish të veçanta, kontributesh etj, që të marrin role udhëheqëse në shoqërinë shqiptare në të ardhmen.

Duke nënvizuar të vetmin angazhim të palëkundur të politikanit të njohur, atë për t’u dredhuar dhe bërë bisht përgjegjësive, për pirueta politike pa asnjë lidhje me realitetin dhe për të mashtruar vartësit, ndjekësit, bashkëpunëtorët dhe simpatizantët më të largët edhe kur nuk ka as përfitimin më të vogël, Fondacioni bëri me dije se fakti që zoti Lasha ka bërë karrierë në politikë, mbush me shpresë një brez të tërë të rinjsh gjysmakë që nuk kanë fituar asnjë kualifikim në jetë, me përjashtim të marrjes pjesë në ndonjë miting.

“Falemnderit, zoti Bulzim, që gjatë këtyre viteve u keni provuar në vetë të parë me mijëra qurrashëve njëzet e ca vjeçarë që ende i ndjek mamaja me pjatë në dorë, atyre intelekteve të vakëta që nuk kanë lexuar dy libra bashkë dhe që besojnë se paraja është një lloj gjetheje që rritet natyrshëm në xhepin e plakut, pra gjithë këtyre derëzinjve të mbaruar; se pavarësisht sesa përpiqesh, ose sesa nuk e vë fare ujët në zjarr, karriera në politikë është e mundur,” thotë motivacioni i çmimit “Media ngjyrë Okër”.

Sipas arsyetimit të MEPAK, “ka patur edhe para rastit Lasha, shembuj gjysmagjelash, krijesash pa shtyllë kurrizore e madje dhe hajvanësh klasikë, që janë gdhirë në poste drejtuese të niveleve të ndryshme”.

“Por kurrë më parë, nuk janë vërejtur shembuj transplantesh të tilla gjenetikisht të modifikuara në politikën e lartë të një vendi, që të kenë pasur impakt të suksesshëm mbi fatet e mijëra, e ndonjëherë qindra mijë njerëzve shumë më pak mediokër se i lartpërmenduri,” shton MEPAK.

Duhet theksuar se në historikun e vet të pasur, Fondacioni ka dhënë çmime të niveleve të ndryshme për eksponentë të së kaluarës si Push Përlali, Eduvar Sallami, Behlul Velo, Ubaldo De Umçis, Bujar Nshrraku etj.

Gojët e Liga kanë mësuar se kandidatë për t’u nderuar nga MEPAK së shpejti, mund të jenë Episa Pilospari, Tavlland Halla etj.

*****

SHËNIM: Gojët e Liga është rubrikë satirike që s’ka marrë kokërr çmimi 

Share This Article
6 Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *