Ditën mes parave, natën duke kërcyer

anazapta

Të kërcesh nga qejfi e jo nga halli? E ku ka më mirë. Deri te pogonishtja e dinim që ishim, por tani kemi ecur me tutje… kërcimet latine janë kthyer në modë në kryeqytet dhe kjo falë disa të pasionuarve që e kanë kthyer në trend dhe kanë injektuar këtë edhe tek të tjerët në masë. Jo vetëm në fundjavë, por edhe gjatë javës, në Tiranë gjen vend ku thuhet: sonte aty kërcehet “Latino Dance”. Të tilla ambiente frekuentohen nga ata që i pëlqejnë këto ritme duke pushtuar lokalet e jetës së natës. Nuk bëhet fjalë për atë jetë nate që fillon në orën 23.00, por për atë më të hershmen që nis në prime-time, në ora 20 e 30. Ambiente të tilla janë sociale, por shpesh edhe sensuale. Aty kërcehet dhe argëtohesh në bazë të një koreografie të caktuar. Ritmet e “Bachata”, “Cha Cha Cha”, “Salsa”, etj., kanë filluar të bëhen edhe kërcimet më të dashura për të rinjtë. “Lokalet e Tiranës kanë nisur të ofrojnë mbrëmje latine 8 vjet më parë. Këto mbrëmje sot kanë marrë një formë më të kompletuar dhe janë më të kërkuara e të njohura njëkohësisht, në krahasim me 7 vite më parë”, tregon për “Ditën”, Elna Bisha, organizatore e mbrëmjeve latine dhe drejtuese e një qendre kursesh vallëzimi. Ne kemi folur më gjatë me Elnën në mënyrë që të kuptojmë më shumë për këtë tendencë të kryeqytetit, por edhe për lidhjet sociale e psikologjike që kanë këto lloj kërcimesh. Ajo vetë është punonjëse e një banke në Tiranë dhe mezi pretë që të vijë mbrëamja për të “shpirë” këmbët në ambiente të tilla ku sensialiteti, sharmi dhe muzika arrijnë kulmin.

 

Elna, kur jeni vënë në kontakt për herë të parë me kërcimet latine?

Fare rastësisht, në moshën 17-vjeçare, dëgjova që mund të ndiqje kurse kërcimi edhe në Shqipëri, por grupmosha që i frekuentonte ishte nën 18 vjeç dhe të gjithë përgatiteshin për kampionate. Domethënë ishte pak e vështirë ta ndiqje thjesht për kënaqësi!

 

Çfarë ju shtyu të merreshit me këtë gjë?

Kërcimi është një botë pothuajse pa kufij dhe krahasimisht me artet e tjera duket se është më shumë i përqendruar në kënaqësinë që i jep vetë kërcimtarit sesa publikut (të tjerëve). Për më tepër është shumë social, dhe nuk ke aspak nevojë të jesh talent ose gjeni.

 

Na tregoni pak për këtë aktivitet, si është zhvilluar ai gjatë këtyre 8 viteve?

elna vetemNë 2005-n, ne ishim një grup njerëzish që i pëlqente shumë muzika dhe kërcimi latin dhe nuk po e gjenim askund mundësinë për ta zhvilluar atë më tej. Më vonë, nisëm të organizohemi dhe krijuam Shoqatën kulturore “Love&Dance”, e cila ka sot një veprimtari më të gjerë në përhapjen e kulturës latine. Përfshin shpesh veprimtari bamirësie (kurse kërcimi falas për fëmijët jetime ose të rinjtë e grupeve të margjinalizuara), veprimtari kulturore, si mbrëmje me muzikë Latine që tashmë janë të rregullta të mërkurave, të premteve e të shtunave. Gjatë verës, organizojmë fundjava latine pothuajse në të gjithë bregdetin shqiptar. E veçanta e tyre është se ka një grup animatorësh, pjesë e kërcimtareve më të mirë që u mësojnë të tjerëve hapat e parë të kërcimit dhe organizojnë kërcime në grup, të cilat janë të thjeshta për t’u ndjekur dhe shumë argëtuese. Në vite, bashkëpunimi ka përfshirë instruktorë kërcimi nga Italia, Spanja, Uruguaj, etj. Për sa i përket muzikës, mendojmë se tashmë ajo është tejet në modë, falë dhe njërit prej miqve tanë, DJ.Carlos, i cili për 3 vjet i ofroi tregut shqiptar një cilësi të lartë dhe bashkëkohore të rrymave latine.

 

Është nga ato kërcime që pëlqehet menjëherë apo duhet t’i joshësh klientët?

Kërcimi është joshës nga natyra, veçanërisht ai latin. Është i afërt, do patjetër një partner. Ka nga ata që bien në dashuri me shikim të parë me këtë rrymë, ka nga ata që u hyn në gjak më kalimin e kohës dhe fitimin e sigurisë në hapa e në ritëm. Një gjë është e sigurt: është shumë e vështirë ta braktisësh.

 

Kurset ndahen në kategori, domethënë në faza? Si funksionon?

Ata që sapo nisin quhen grupe fillestare, pastaj pas 2-3 muajsh fitoj-në mjaftueshëm siguri për t’u quajtur “intermediate”, “advanced” është fjalë e madhe pasi të mësuarit nuk mbaron kurrë.

 

Na tregoni pak për ju vetë dhe raportet që keni me kërcimet latine?

Për mua është pasioni më i madh, deri tani. U bënë rreth 13 vjet që shumicën e pasditeve i kaloj duke kërcyer, për kënaqësinë time në fillim e më pas për të ndarë njohuritë me të tjerët. Është antistresi më i mirë. Të sjell në humor menjëherë, të mban në formë të mirë fizike dhe të jep energji pozitive pa fund.

 

Po profesionalisht me çfarë merreni?

Unë kam studiuar për shkenca politike, dhe punoj prej 10 vjetësh në fusha të ndryshme pranë shoqërisë civile, administratës publike apo biznesit. Prej 3 vjetësh po punoj në fushën e marketingut dhe komunikimit për një institucion financiar. Punoj pranë një banke private dhe jam gjithë ditën në punë zyre. Kërcimi ka qenë gjithmonë një bashkudhëtar shplodhës e frymëzues.

 

Valëzimet

Ka disa tipe kërcimesh të cilat aplikohen nëpër këto mbrëmje. Ato ndryshe quhen vallëzime sociale (latin social) dhe përkojnë kryesisht në këto tipe kërcimesh: Sasa, Bachata, Cha Cha Cha, Kizomba, Merengue. Këto lloj kërcimesh janë të ndryshme nga njëra tjetra”, tregon Elna. Por në të njëjtën kohë, midis tyre është edhe një formë e re kërcimi, e cila quhet “kërcime në grup”, dhe bazohet në animimin e grupit të kërcimit nga një person.

 

Mbrëmjet

Kërcimet latine, nuk mbeten vetëm në sallat e lokaleve, por ato transferohen përgjatë ditës edhe nëpër sallat e kurseve të kërcimit. Për ata që dëshirojnë që të mësojnë diçka më shumë në lidhje me kërcimet që praktikojnë nëpër mbrëmje, atëherë kanë mundësi që të zgjedhin të ndjekin edhe kurse formimi. “Kurset janë një mënyrë e shkëlqyer për çdokënd që ka dëshirë të njohë dhe të shijojë më së miri mbrëmjet latine”-thotë Elna.

 

Latinët shqiptarë

Ata që preferojnë këto tipe kërcimesh janë të shumtë. Madje, çdo ditë e më shumë po shtohet kërkesa për mbrëmje të tilla. Sigurisht, jo të gjithë janë profesionistë, por të paktën kanë dëshirën e madhe për të provuar dhe për të shijuar vallëzimet latine. Elna tregon: “Janë të shumtë ata që vijnë nëpër mbrëmjet latine. Ka shumë persona të cilët nuk kanë një informacion në lidhje me këto mbrëmje, por thjesht kanë parë ndonjë video në internet, ndonjë film, apo kanë dëgjuar ndonjë këngë dhe afrohen për ta provuar. Por gjithashtu, ka edhe nga ata persona të cilët kanë informacion dhe dinë të kërcejnë ndonjë nga tipat e vallëzimit. Përgjithësisht, të gjithë ata që vinë në këto mbrëmje arrijnë të përshtaten më së miri me ambientin.

 

Organizatorët

Këto kurse janë edhe për ata që kanë një farë ndrojtje, për faktin se në një sallë të madhe nuk je vetëm, por je së bashku me një person në krah dhe përreth teje janë dhjetëra çifte. Por jo vetëm kaq, në këto kurse vallëzimi, krijohen mundësi që çdokush të shohë sesi bëhen mbrëmjet latine edhe jashtë vendit, pasi bëhen organizime edhe jashtë Shqipërisë. Gjithashtu, çdokush arrin të marrë informacionin më të mirë në lidhje me këtë gjë.

Share This Article
1 Comment
  • Jane te verteta ato qe “zysh Elna” (keshtu i drejtoheshim neve ne kurs. kercimi latin eshte nje event social dhe argetues per kedo qe e ndjek kete kurs. Edhe mbremjet latine ishin mbreselenese. Elma ishte nje mesuese dhe drejtuese e mire e ketij zhanri kercimi. Urime edhe me tej i uroj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *