TIRANË – I nervozuar, skeptik dhe me duar që i dridheshin, i moshuari S.B. e kuptoi se kjo ishte arma e fundit që i kishte mbetur. Shkroi adresën e shqiperia-në-daçi.al, psherëtiu me vete, “ehhh, ku të çon halli” dhe pastaj klikoi në rubrikën “ankesa ime”.
Kur i doli përpara opsioni “zgjidhni ministrinë”, nuk hezitoi aspak por klikoi “kryeministria”.
Sapo iu hap faqja, nisi të shkruajë me ngut ankesën e vet drejtuar kreut të qeverisë, sikur të druhej se mos ndërronte mendje.
“Zoti Kryeministër! Kam një djalë politik, që më ka dalë më harram se ai biologjik. Thashë të gëzoja pesë ditë në paqe, ndaj i lashë të drejtonte biznesin partiak, si i ri energjik, modern dhe me gjuhë të huaja. Po pate ndonjë vështirësi, konsultohu me mua, i thashë, por përpiqu t’i zgjidhësh vetë. Se unë jam plak, i thashë. Sot jam, nesër jam, edhe pasnesër jam, por nga viti tjetër edhe mund të jem. Kështu që dilu zot gjërave.
Por kujt ja thashë? Nuk kam parë të tillë copë mishi. Më ndihmoni zoti kryeministër. Kam menduar ta çoj problemin tim te Zonja Eni, po kam hall se me ato nerva që ka ajo, do ta shqepë në dru dhe do t’i ngelet në dorë.
Pastaj mendova ta çoj te zoti Fane, te emisioni “Me shpretkë të hapur”, po druaj se do duket si çështje e stisur.
Në fund, një mendje më tha ta prezantoja si çështje fukarallëku dhe ta paraqisja hallin e Lulashit te emisioni i imam Elvisit. Po ai s’të ndihmon dot, maksimumi do t’i rregullonte shtëpinë me ndihma nga biznesmenë humanitarë. Si t’ja bëj me kokrrën e hajvanit që më ra për pjesë?”
Kaluan ca ditë. Një pasdreke të nxehtë vere, teleshikuesit panë të shastisur në emisionin e lajmeve, kryeministrin që po njoftonte rezultatet e reja të portalit hallzgjidhës e sevapbërës.
“Platforma është vizituar nga 543.876 qytetarë, nga të cilët 543.875 më janë drejtuar mua personalisht, ndërsa njëri i kishte ra numrit gabim,” sqaroi kryeministri.
“Këtu me mua kam shtresën në nevojë S.B. që ka probleme me çunin. Unë i premtova se do flas vetë me çunin dhe do ta zgjidhim. Dhe kështu kam bërë. Se çfarë kam fol me çunin, nuk ja vlen të hyjmë në detaje, por gjithçka është zgjidhur. Nëse e shihni tuj hedh vickla në publik, mos u shqetësoni se kështu është plani,” sqaroi kryeministri.
I prekur, plaku u ngrit tek foltorja dhe tha i emocionuar:
“Unë, që thoni ju more shokë, kam qenë jo fort i bindur te efikasiteti i platformës. Mund të thuash se kam pasur lakra në kokë. Por kryeministri m’i hoqi lakrat me durim, një e nga një. Dhe tani nuk kam në kokë asnjë zarzavate për be,” dhe pa me mirënjohje nga i zoti i shtëpisë, që bëri një gjestikulacion modestie me duar, si të thoshte, “po ç’u mundove, ishte e tepërt. Bëjmë vetëm detyrën”.
I përlotur, S.B. shtoi: “Rrnoftë kryeministri! Rrnoftë portali!”, dhe i turbulluar nga përjetimi, ngriti dy gishtat përpjetë…
*****
SHËNIM: Gojët e Liga është një rubrikë satirike që beson se edhe për problemet më të koklavitura, mjafton të hapësh një portal dhe gjithçka zgjidhet si me magji…

HahahahhaahHahahahhaahHahahahhaahHahahahhaah!!!
Shtresa ne nevoje SB???? Ai eshte i gjithi nevoje
Sa i zgjuaaaaaaaaar, si nuk me bere edhe mua zoti si ky?
Nderkohe vajza e Dekanit te Juridikut, Artan Hoxha, ka marre kredi si e pastrehe nga Bashkia Tirane. Kjo punon ne Kryeministri dhe jeton tek vila e horrit me te cilin ka nje femije e pacelebruar.
Medioker, te paturpe, e hajdute!
Muuuaaaaahhhhhhhhhh!
Rrnofte poplli shqiptar!
Ngriti dy gishtat perpjete…normal, nje gisht nuk del…