Nga Isuf Kalo
Nuk kam pse ta fsheh që, reagimi mediatik i kolegut tim të mirënjohur Tritan Shehu ndaj meje si autor dhe librit BLLOKU më ka befasuar disi. Arsyeja është se, përveçse kolegë, kemi shumë vite që njihemi mes nesh, çka na ka mundësuar të shkëmbejmë mendime, ide, dëshira dhe miqësi me njëri-tjetrin.
Madje edhe disa prej shokëve tanë të ngushtë i kemi të përbashkët. Dua të them që kemi dijeni për substancën etike, shpirtërore, profesionale dhe ideore të seicilit prej nesh.
Pavarësisht këtyre, me sa u duk, nuk na përputhen mendimet lidhur me natyrën e Bllokut, të tillë siç unë e kam konceptuar dhe ekspozuar në libër. Bllokun, unë e konsideroj mendësi, simbol i sistemit të shkuar, kurse kolegu im, e konsideron person, individ dhe shkaktar i vetëm i fatkeqësive dhe mizorive të regjimit që lamë pas.
Ai me sa kuptova, beson se një person dhe konkretisht ish pacienti im Enver Hoxha ishte gjeneruesi dhe shkaktar i të gjithë të këqijave të asaj kohe. Të gjithë të tjerët krah tij në mbështetje të tij ishin “hiç“ ose “gomerë“ .
Unë që punova thuajse tre dekada brenda Bllokut them se nuk ishte tamam kështu. Ky vlerësim më duket parcial dhe sa mohues aq edhe superlativ. Sepse nuk besoj që një individ i vetëm, sado i fuqishëm, dhe i egër, paskej kaq zotësi sa t‘i kryente disa nga realizimet pozitive dhe të gjitha ato negativet gjatë gati 40 vitesh në vendin tonë pa ndihmën e një numri të madh qytetarësh, të cilët me dëshirë apo më shpesh me dhunë bashkëpunuan, sakrifikuan dhe dhanë djersën, talentin dhe jo rrallë edhe jetën për ato.
Majkell Frayer në dramën “Kopenhagën“ e ka quajtur ketë bashkëpunim qoftë në formë të hapur qoftë të fshehtë sidomos kur ajo kryhej jo e vullnetshme me “fajësi pasive intelektuale, prej pafuqishmërisë”.
Ky lloj bashkëpunimi ka patur rol të madh në zgjatjen dhe mbijetesën e regjimeve totalitare, një prej të cilëve ishte edhe ai joni. Edhe ne të dy kemi punuar me zell në fushën e mjekësisë dhe me arritjet tona ia kemi rritur krenarinë atij regjimi; ti në specialitetin e anestezisë dhe reanimacionit, unë në atë të diabetit dhe endokrinologjisë.
Të tillë si ne janë të shumtë. Ata duhen mirëkuptuar, por duhet edhe vetë ata tani që rrethanat kanë ndryshuar të kuptojnë nevojën për katarsis. Libri BLLOKU pavarësisht sesa ia ka arritur, tenton të hapi hapësira për diçka të tillë. Në të përfshihem edhe unë vetë.
Një arsye më shumë pse unë e shoh Bllokun si ”mendësi dhe fenomen, i sistemit dhe jo domosdo vepër e instrument të një personi të vetëm është edhe fakti që cilido qoftë ai person që e gjeneron dhe drejton atë, sado i frikshëm,dhe jete gjatë të jetë ai, një ditë do të vdesë pa kthim”.
I tillë ishte fati dhe fundi i Enver Hoxhës. As Zoti dhe askush nuk e sjell atë dot pas në jetën tonë. Pseudo frika apo pseudo hamendësimi i gjoja ”tentativave për ta ringjallur atë“, apo për ta lehtësuar nga krimet tashti që është në varr, ato në mos qofshin paranoja atavike, janë tymnaja dhe strategji spekulative qëllimkeqe. Dhe disi të super konsumuara.
Përkundrazi ”Blloku si mendësi” mund të ringjallet dhe të rikthehet në forma të reja. Kjo nuk është utopi. Dëshirat për superioritet me luks të padrejtë e të pandershëm mbi qytetarët janë prezent dhe përbëjnë prerogativa me shembujt ”Beverly Hills” në Tiranë apo “Blloqet” me vila shumëkatëshe moderne të ruajtura nga ushtarët në plazhet e Durrësit, Vlorës, Dhërmiut, etj.
Nuk është çudi, as gabim e aq më pak faj, që unë dhe Prof. Tritan Shehu kemi lidhur me Bllokun dhe për librin tim përkushtuar atij këndvështrime të ndryshme. Është një rrethanë që padyshim besoj ndikon; Profesor Tritani përveç se një mjek i suksesshëm, është prej 30 vitesh edhe politikan karriere: Madje ish titullar i Partisë Demokratike, ish qeveritar dhe ish parlamentar.
Ai ndryshe nga unë (jashtë partiak) mundet që i shikon gjërat edhe në një kënd vështrimi politik. Në rrethana të caktuara, për arsye apo interesa të caktuara ai mund që vendosë në axhendë edhe qëndrime, për të cilat do të doja, që as ai vetë të mos i besojë ashtu siç i shtron.
Shpresoj të ruajmë mes nesh korrektësinë si kolegë dhe si qytetarë bazuar në parimin: “Dakord për të mos qenë dakord”.
*****
Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë
