Prania e shenjave të tilla, si: lotim i vazhdueshëm, skuqje e pjesës së bardhë të syrit, enjtja e kapakëve të syrit, etj, mund të jetë tregues i sëmundjes së keratokonjutivitit epidemik, ose siç njihet në gjuhën popullore gripi i syrit. Gjatë javëve të fundit është vënë re një rritje e numrit të pacientëve që u janë drejtuar strukturave spitalore me këto simptoma, të cilat në rast se nuk trajtohen që në stadet më të hershme çojnë në ndërlikime që mund të dëmtojnë rëndë shikimin. Sipas ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik, kjo sëmundje në pjesën dërrmuese të rasteve shkaktohet nga adenoviruset dhe është tepër ngjitëse.
Transmetimi i sëmundjes
“Transmetimi kryesor është nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë të gishtave me sytë. Zakonisht sytë preken me duar në mënyrë të pavullnetshme rreth 14 herë në ditë”, sqarojnë specialistët e ISHP-së, çka e shton edhe më shumë rrezikun për t’u infektuar. Ndonëse nga kjo sëmundje rrezikojmë të gjithë, ajo shfaqet më e shpeshtë tek moshat e vogla, kryesisht nga mungesa e higjienës, si dhe tek femrat si shkak i përdorimit të produkteve kozmetike. Problematik mbetet fakti se virusi që shkakton këtë sëmundje ngjitëse mund të qëndrojë për një kohë të gjatë në ambientet, të cilat nuk pastrohen ose dezinfektohen shpesh. “Kjo sëmundje ndodh më tepër te fëmijët dhe gjatë përdorimit të produkteve kozmetike. Ky virus është mjaft rezistent dhe qëndron gjatë në mjediset që nuk pastrohen dhe dezinfektohen. Mjediset e ndotura me këtë virus, si: peshqirët, këllëfët e jastëkëve të ndotur, apo shtrëngimi i duarve, mund të bëhen shkak për transmetimin e virusit”, sqarojnë ekspertët e shëndetit publik. Sipas tyre, përhapja e virusit mund të ndodhë edhe nëpërmjet ajrit gjatë kollitjes, apo teshtitjes. Çka do të thotë se virusi mund të gjendet kudo, por kryesisht mund të transmetohet në pishina, në vende ku kryhet make-up apo në institucione të kujdesit shëndetësor nga duart e personelit.
Kur duhet të kërkoni ndihmë!
Mjekët thonë se duhet të tregohet kujdes dhe të mos neglizhohen simptomat duke i konsideruar si kalimtare. Sipas tyre, duhet të kërkojmë ndihmë të specializuar mjekësore menjëherë sapo të përballemi me të tilla simptoma që kanë të bëjnë me: skuqje të të bardhës së syrit, lotim të vazhdueshëm, enjtje të kapakëve të syrit apo konjunktivës, ndjesinë sikur keni trupa të huaj në sy, rritim, djegie dhe kruarje të vazhdueshme, probleme të shkaktuara nga drita, krijimin e krastave në kapakët e syrit, apo në qerpikë. Më të kujdesshëm ndaj simptomave të tilla duhet të jenë veçanërisht personat që mbajnë lente. Për këta të fundit këshillohet heqja e tyre në rast se konstatojnë simptoma të ngjashme si ato të përmendura më lart.
Masat që duhet të merrni
Higjiena e rreptë është vendimtare në parandalimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje. Një ndër veprimet që nuk duhet të neglizhohet në asnjë rast është larja e shpeshtë e duarve dhe mos prekja e syve me to. Kjo veçanërisht në rastet kur një nga të afërmit tuaj është prekur nga kjo sëmundje. Këshillohet të mos prekni sytë nëse jeni prekur nga ky infeksion, apo nëse keni takuar persona të tjerë të prekur nga ky infeksion. Fërkimi i syrit përkeqëson gjendjen dhe e përhap atë edhe në syrin tjetër. Gjithashtu duhet të bëni kujdes dhe të mos përdorni sendet personale të personave të tjerë: si: syze, këllëfët e jastëkut, peshqirët, produktet kozmetike që përdoren për sytë, etj. “Mos përdorni të njëjtin produkt, (medikamentet në pika apo pomadat) për syrin e shëndetshëm. Pra, kur mjekoni syrin e sëmurë, për të vendosur pikat, ose pomadën tek syri tjetër lani mirë duart dhe përdorni një pomade apo solucion tjetër, pavarësisht se lloji i produktit është i njëjtë”, sqarojnë mjekët e ISHP-së. Këto trajtime duhet të merren vetëm sipas rekomandimeve të dhëna nga mjeku juaj specialist.
Shenjat kryesore janë:
- Skuqje e të bardhës së syrit.
- Ënjtje e kapakëve të syrit apo konjunktivës.
- Lotim i vazhdueshëm i shtuar.
- Shqetësim nga drita.
- Ndjesi e një trupi të huaj në sy apo ndjesi për ta fërkuar syrin.
- Kruarje, irritim apo djegie e syrit.
- Krusta në kapakët e syrit apo qerpikë
- Personat që përdorin lente kontakti nuk mund t’i mbajnë ato pasi nuk ndihen mirë.
Si mund të parandalohet:
- Lani duart në mënyrë të vazhdueshme me ujë dhe sapun, dhe mësoni fëmijët të bëjnë të njëjtën gjë.
- Kontrolloni nëse keni dikë me këtë sëmundje, lani duart menjëherë pas kontaktit me të, dezinfektoni me produkte që përmbajnë klor sipërfaqet e prekura prej tij apo lani menjëherë me ujë të nxehtë dhe dezinfektantë sendet apo veshjet e prekura prej tij.
- Mos prekni sytë dhe mos i fërkoni ato kur jeni të sëmurë me këtë infeksion. Fërkimi i syrit përkeqëson gjendjen dhe e përhap atë edhe në syrin tjetër.
- Mënjanoni përdorimin e sendeve personale si peshqirët, këllëfët e jastëkëve apo çarçafët dhe batanijet, produktet kozmetike sidomos ato që përdoren për sytë, syzet etj.
- Mos përdorni lente kontakti kur keni shenja të këtij infeksioni derisa t’u thotë mjeku.
- Mos përdorni të njëjtin produkt, (medikamentet ne pika apo pomadat) për syrin e shëndetshëm. Pra, kur mjekoni syrin e sëmurë, për të vendosur pikat ose pomadën tek syri tjetër lani mirë duart dhe përdorni një pomade apo solucion tjetër, pavarësisht se lloji i produktit është i njëjtë.
- Pastroni mjediset publike dhe ato spitalore me dezinfektantë që përmbajnë klor, dhe kjo të kryhet vazhdimisht.

Gripi i shpendeve ,
Gripi i Zogut ,
Gripi i Derrit ,
Muca Pazza ,
dh shpikja e fundit e Shkences eshte Gripi i Syrit hejj !!!!
A nuk duhet t’i jepet Cmimi Nobel atij Laboratori
qe merreet me shpikjen e Grippe-ve ?
Qe te gjitha jane pjs e band mafioz t Farmaceotikes
shpikin Grippe me dund popullin Farmacive !!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
Por dhe m Syrin mor kafshe Shkence ?!
e pabesushme se cpo i bojn Monstrat Njerezimit !