Dy janë tarifat që do të shlyejnë të gjithë studentët që do të shpallen fitues në garën për vijimin e studimeve të nivelit të dytë “Master profesional” dhe “Master Shkencor” për vitin e ri akademik 2019-2020 në degët e Universitetit të Tiranës. Programet e këtij institucioni të arsimit të lartë rezultojnë të jenë ndër më të kërkuarat në radhët e studentëve që kanë kryer nivelin e parë “Bachelor”.
Tarifat e studimit në programet “Master”
Në vendimin e kaluar nga Senati Akademik i Universitetit të Tiranës saktësohet se: “Tarifat e regjistrimit për programet e ciklit të dytë për vitin e ri akademik do jenë në masën 2,500 lekë. Ndërsa studentët që do të regjistrohen për ndjekjen e programeve të dyta të studimit të këtij cikli, si dhe ata që do përfitojnë nga kuotat e transferimeve do shlyejnë tarifën e regjistrimit prej 3,000 lekësh. Tarifat vjetore të studimeve variojnë nga 30,000, deri në 105,000 lekë për programet e para të nivelit të dytë”. Autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë bëjnë me dije se tarifat vjetore të shkollimit do të jenë më të larta për studentët që do të ndjekin programet e dyta të ciklit “Master”. Koston e plotë të studimeve vjetore për të gjitha programet e nivelit profesional dhe atij shkencor e gjeni të detajuar në tabelat në vijim të shkrimit. Studentët brenda kohëzgjatjes normale të programit të studimeve i nënshtrohen vetëm një tarife vjetore të shkollimit, atë të vitit përkatës që janë duke ndjekur. “Studentët në programin e studimit të ciklit të dytë me 120 kredite do të paguajnë tarifë shkollimi për dy vite akademike, sa kohëzgjatja e programit mësimor. Ndërsa studentët në programin e ciklit të dytë me 60 kredite do të paguajnë tarifë shkollimi për një vit akademik. Gjithashtu në vendim saktësohet se: studentët e cilësuar të shkëlqyer sipas statusit të Universitetit të Tiranës në ciklin e parë të studimeve do të përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit në vitin e parë në programet e studimit të cilit të dytë “Master i shkencave”. Për studentët që do të përfundojnë vitin e parë me notën 10, bëhet e ditur se do të përfitojnë përjashtim nga taksa vjetore e shkollimit për ndjekjen e vitit të dytë të këtij programi.
Konkurimi për studimet master
Gara për pranimet e reja në programet master për 2019-n do të zhvillohet nëpërmjet konkurimit me dosje, ku prioritet në përzgjedhje do të kenë studentët e fakulteteve publike që kanë mesataren më të lartë të studimeve të nivelit të parë. Sa i takon procedurës së aplikimit, sqarohet se kandidati duhet të paraqitet personalisht dhe të dorëzojë dosjen e dokumenteve të përcaktuara në afatet e përcaktuara, të cilat do të bëhen publike nga vetë fakultetet gjatë ditëve në vijim. Gjatë fazës së konkurimit, për studimet e nivelit të dytë shkencor, kandidati duhet të garantojë nëpërmjet dëshmive përkatëse njohjen e të paktën nivelit B1, të një prej pesë gjuhëve të huaja të BE-së: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, sipas kushteve të përcaktuara nga fakulteti përkatës. Në vijim pritet që fakultetet të zbardhin edhe kriteret e tjera specifike që studentët duhet të përmbushin për të vijuar studimet në një nga programet master përgjatë vitit të ri akademik. Për programet e nivelit profesional, për aplikimet në programet e “Master profesional”, nuk do të jetë e nevojshme njohja e gjuhës së huaj.
Pranimet e reja të 2019-s
Në total për programet e studimeve të ciklit të dytë “Master i Shkencave” me kohë të plotë, Senati Akademik ka miratuar 4220 kuota pranimi, të cilat ndahen në: 3543 kuota për kandidatët brenda vendit që do të garojnë gjatë këtij viti për studime të larta të nivelit të dytë,192 kuota për kandidatët që do të vijnë nga trojet, 48 kuota për shtetas të huaj, 145 kuota për studentët e kategorive të veçanta ku përfshihen personat me aftësi të kufizuara, ata me statusin e jetimit, si dhe kandidatët romë dhe Ballkan-egjiptianë, 96 kuota do jenë në dispozicion të kandidatëve që do të aplikojnë për transferimin e studimeve në vite të ndërmjetme, si dhe 196 kuota të aprovuara për të gjithë kandidatët që duan të vijojnë studimet në një degë të dytë. Për ciklin e dytë të studimeve të nivelit “Master profesional” janë miratuar në total 2936 kuota pranimi, të cilat ndahen në: 2510 kuota për kandidatët brenda vendit që do të garojnë gjatë këtij viti, 89 kuota për kandidatët që do të vijnë nga trojet, 17 kuota për kandidatët shtetas të huaj, 68 kuota për studentët e kategorive të veçanta, 38 kuota do jenë në dispozicion të kandidatëve që do të aplikojnë për transferimin e studimeve në vite të ndërmjetme, si dhe 214 kuota të aprovuara për të gjithë kandidatët që duan të vijojnë studimet në një degë të dytë.




