Procedurat si mund të përfitoni bonusin e strehimit!

Elena Tase

Një nga alternativat e mbështetjes së familjeve në nevojë është edhe programi i bonusit të strehimit, nëpërmjet të cilit subvencionohet një pjesë e konsiderueshme e qirasë së banesës, për familjet që jetojnë me qira dhe kanë të ardhura të pamjaftueshme për ta përballuar pagesën e plotë të saj. Sikundër ndodh edhe me programet e tjera të strehimit social, aplikimi edhe për bonusin e qirasë mund të bëhet pranë njësive vendore ku përfituesi ka vendbanimin.  Forma e trajtimi me bonus strehimi përfshinë dhe mbështet të gjithë individët dhe familjet që  kanë vendbanim në territorin e Bashkisë Tiranë.  Çdo individ i interesuar për këtë formë strehimi fillimisht duhet të plotësojë formularin përkatës tip pranë njësisë vendore, duke e shoqëruar edhe me dokumentet që faktojnë statusin për të përfituar nga ky program. “Çdo aplikues i interesuar që përmbush kriteret për bonusin e strehimit sipas akteve ligjore në fuqi duhet të drejtohet pranë njësisë vendore ku figuron të jetë i regjistruar për të plotësuar formularin e strehimit për bonus qiraje”,saktësojnë autoritetet e Bashkisë së Tiranës. Sipas tyre, formularit të aplikimit duhet t’i bashkëngjitet edhe dosja e 23 dokumenteve të përcaktuara, të cilën e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Dorëzimi i dokumentacionit realizohet nga familjari aplikues pranë Sektorit të Informimit dhe Shërbimeve për Qytetarët. Ndërkohë që vlerësimi i formularit tip, njoftimi i aplikuesve që përmbushin kriteret për të përfituar bonus strehimi, si dhe ato të cilët nuk rezultojnë të suksesshëm do të bëhet  sipas akteve ligjore  dhe afateve të përcaktuara. Familjet që rezultojnë të suksesshme në fazën e parë të aplikimit, brenda 15 ditëve nga momenti i njoftimit, dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për t’u trajtuar me bonus strehimi. Sa i takon vlerësimit të dokumentacionit saktësohet se është Drejtoria e Strehimit Social në Bashki që realizon shqyrtimin e çdo  praktike të dorëzuar nga aplikuesi sipas akteve ligjore dhe i propozon për vlerësim dhe shqyrtim të mëtejshëm në Komisionin e Strehimit. Pas vlerësimit të gjitha kërkesave të paraqitura, Drejtoria e Strehimit Social, dërgon për miratim në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, listën e përfituesve për bonus strehimi. Është Këshilli Bashkiak që miraton në mënyrë përfundimtare, listën e përfituesve të mundshëm të bonusit të strehimit. Çdo familje e cila nuk përmbushur kriteret për të qenë pjesë e listës fituese, njoftohet zyrtarisht me shkresë nga ana e Drejtorisë së Strehimit Social, të cilës i komunikohen edhe arsyet se pse nuk mund të të jenë në listat përfituese.

Të drejtën për aplikim për përfitimin nga programet sociale e kanë individët që kanë mbushur moshën 18 vjeç, kujdestarët ligjorë për rastet e personave të vendosur në kujdestari ligjore, për shkak të heqjes apo kufizimit të zotësisë për të vepruar, dhe familjet që janë të regjistruara në zyrat e gjendjes civile në njësinë e vetëqeverisjes vendore përkatëse, të cilat plotësojnë kushtet për strehimin social. Gjithashtu mund të aplikojnë edhe individët apo familjet rome të paregjistruar në zyrën e gjendjes civile të njësisë së vetëqeverisjes vendore ku aplikojnë, për të cilët njësia e vetëqeverisjes vendore ka informacion se banojnë në atë njësi të vetëqeverisjes vendore. Aplikimi për të përfituar strehim sipas çdo programi social, me përjashtim të rasteve të nevojës emergjente për strehim, bëhet me dy faza. Në fazën e parë aplikantët paraqesin kërkesën e tyre për të përfituar nga programet e strehimit social. Në fazën e dytë të aplikimit përfshihen vetëm ata individë apo familje që janë përzgjedhur për t’u trajtuar me njërin prej programeve të strehimit. Në vendimin e miratuar gjatë muajit të shkuar nga Këshilli i Min istrave për procedurat e përfitimit nga programet e strehimit social përcaktohen edhe rastet e strehimeve emergjente. Kështu, familjet që janë në kushtet e nevojës emergjente për strehim, që banojnë në banesa në rrezik shembjeje, në banesa që nuk plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, në banesa që prishen për shkak të ndërtimeve të veprave publike, të cilët nuk përfitojnë kompensim financiar nga procedurat e shpronësimit, ose që kanë mbetur pa strehë për shkak të fatkeqësive natyrore, si dhe personat e pastrehë, paraqesin kërkesën dhe deklaratën, duke specifikuar edhe situatën në të cilën gjenden. Struktura përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore shqyrton menjëherë kërkesën dhe, brenda 24 orëve, verifikon situatën në terren, për të përcaktuar më pas edhe formën e strehimit.

Lista e dokumentacionit që duhet për t’u trajtuar me bonus qiraje:

  1. Certifikatë e gjendjes familjare dhe fotokopje ID e aplikantit.
  2. Dokumentin zyrtar të celebrimit (certifikatë martesore).
  3. Vërtetimi i të ardhurave nga punëdhënësi për të gjithë anëtarët madhorë, të cilët janë në marrëdhënie pune.
  4. Vërtetimin nga zyra e punësimit e njësisë vendore përkatëse si punëkërkues.
  5. Vërtetimin nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.
  6. Vërtetimin nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për anëtarët e familjes, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar.
  7. Vërtetimin për vazhdimin e studimeve në institucionet e arsimit të mesëm ose të lartë, për anëtarët e familjes që janë nxënës ose studentë.
  8. Vërtetimi nga organet tatimore për të gjithë anëtarët madhorë të familjes, nëse figuroni ose jo të regjistruar në sistemin informatik të Drejtorisë Rajonale Tatimore, Tiranë.
  9. Pasqyra financiare për vitin kalendarik të shkuar për personat e vetëpunësuar e njehsuar nga Drejtoria Rajonale Tatimore.
  10. Vërtetimi nga Drejtoria Rajonale Tatimore për derdhjen e kontributeve te sigurimeve shoqërore e shëndetësore, për të gjithë anëtarët madhorë të familjes, të cilët janë në marrëdhënie pune.
  11. Vërtetimi nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Tiranë për të gjithë anëtarët madhorë nëse, disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis, që mund të përdoret si e tillë.
  12. Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për sipërfaqen e pronës, që zotërojnë anëtarët madhorë të familjes , kur disponojnë pronësi.
  13. Vërtetimin nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të vendit të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për anëtarët madhorë të familjes.
  14. Vendimin e gjykatës origjinal ose i noterizuar, që i lë në ngarkim fëmijën, ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra përmbarimore për masën e pensionit ushqimor që përfiton sipas vendimit të gjykatës.
  15. Libreza e jetimit, lëshuar nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit origjinal ose i noterizuar.
  16. Vërtetim i komisionit mjekësor të përcaktimit të aftësisë së kufizuar, për individë me aftësi të kufizuara origjinal ose i noterizuar.
  17. Dokumentin e lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, punëtor emigrant” dhe “azilkërkues”.
  18. Dokumentin e lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Policisë së Burgjeve
  19. Vërtetimi i lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës”.
  20. Vërtetim komuniteti rom dhe egjiptian, për familje që i përkasin kësaj kategorie;
  21. Deklarate noteriale që lëshohet nga kryefamiljari, i cili shprehet se është dakord që bonusi të lëvrohet për aplikantin që rezulton i përfshirë në formularin e strehimit.
  22. Vërtetimi për banesat në rrezik shembje, Kopje të procesverbalit pas shembjes së banesës e cila është prekur nga zbatimi i investimeve dhe projekteve publike, fatkeqësi natyrore etj.
  23. Kontrate qiraje nëse e disponon.
Share This Article
1 Comment
  • motrat e grate ku ti keni por keto dokumente duan nje hale me leke ,nga qe skemi leke po kerkojme te paguaj ky shtet muti qerane e baneses

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *