Familja e Festim Latos në Vlorë ka hapur dyert e mortit, ndërsa sot priti në aeroportin e Rinasit trupin e pajetë të 44-vjeçarit që u gjet i vrarë në Holandë ku jetonte prej vitesh. Festim Lato, president i vetëshpallur i Çamërisë, do të përcillet të shtunën për në banesën e fundit me homazhe të cilat do të mbahen tek teatri “Petro Marko” në Vlorë.
Ndërkohë detaje të reja shoqërojnë hetimin mbi vrasjen e “presidentit” të Çamërisë në Holandë.
Sadrie Kasimi, një grua që ka bashkëpunuar për 5 vite me presidentin e vetëshpallur të Republikës çame, zbulon për mikrofonin e Report Tv detaje nga ky krim i rëndë. Teksa ka dalë në aeroportin e Rinasit të presë trupin e pajetë të 44-vjeçarit vlonjat që mbërrin në atdhe tha se ishte një bashkëpunëtor holandez i Latos që e futi atë në kurth. Ajo nuk bën të ditur emrin e tij por thotë se këto informacione i ka mësuar nga të njohur të saj në Holandë dhe vetë kryeministri i vetëshpallur i republikës çame, Ali Aliu.
“E morën, e gënjyen me metodën e tyre që do shiste makinën, dhe e morën e vranë. ishte një djalë holandez që ka marrë pjesë në Republikën e Çamërisë dhe ka ardhur 4 herë në Vlorë nga Holanda. Festim Lato ishte me dy njerëz të tij në makinë, e ka thirrur ky djalë i ka thënë do vish se jam me dy njerëz do e shesësh makinën, do vish në kafe? Ai i la të gjitha në makinë, me telefonë dhe ata e morën e vranë. Veç të mira i ka bërë popullit çam, na ka ndihmuar në çdo prizëm, na ka ardhur shumë keq, sikur më ka vdekur djali im, jo një president. Nuk e di si e mashtruan.
Të njëjtën gjë na tha edhe kryeministri i Republikës Çame, Ali Aliu na e sqaroi gjendjen. Në familjen e tyre ka rënë bombë e madhe. E kemi pritur këtë vrasje sikur ka vrarë të gjithë çamët. I lutem Ministrit të Punëve të Jashtme të mos e mohojë Çamërinë. Ne nuk do rrimë rehat tani që na bënë edhe këtë vrasje. Kush e vuri atë njeri që e vranë, dhe në fund t’i fusin thikën ashtu dhe ta lëshojnë rrugëve, është çudi e madhe”, u shpreh bashkëpunëtorja e Latos për çështjen çame, Sadrie Kasimi.
Një tjetër bashkëpunëtor i Festim Latos, Atdhe Geci, hedh akuza se vrasja e tij është politike dhe se është urdhëruar nga Greqia.
“Më 30 tetor 2016 në Hagë të Holandës, ai organizoi shpalljen që Çamëria të ketë një adresë. Festimi kishte një dosje të hapur ndaj Greqisë për genocid ndaj çamëve dhe Çamërisë. Unë kam punuar 4 vite me të. Është vrasje politike, ai u vra për çështjen kombëtare çame. Ai është shpallur hero për çështjen çame, është i pari hero. Është sharë, nuk është pranuar, por historia do tregojë se ai është i duhuri. Ai është vrarë në detyrë për Çamërinë, në detyrë ka qenë. Sot republika e Çamërisë ka të gjitha institucionet. Ka kushtetutën, ka simbolet, ne jemi komplet të përgatitur dhe çdo ditë lobojmë në SHBA, në BE, që Çamëria të shkëputet sa më shpejtë nga Greqia. Porositësi i vrasjes së Latos dihet adresa, është Greqia, përmes kujt e ka bërë, dihet është e thjeshtë të gjendet”, tha ai.
I pyetur për akuzat se Festim Lato ishte i zhutur në borxhe miliona euroshe, ai përgjigjet: “Unë besoj që zoti lato vetëm për cështje borxhet nuk është vrarë. por gjithsesi të presim ekspertizën dhe hetimet”.

e.t./dita
