1 shfaqje teatri
Fotoja më sipër është nga një shfaqje teatri. Sa për një ditë, ta lëmë teatrin e politikës, të talk-show-ve, e të pseudo-arteve. Një ditë të vetme, të flasim për një shfaqje teatri.
“Ëndrra e një nate vere” e shekspirit është një komedi e vëna shpesh në skenë, aq shpesh, sa vetëm ideja për ta rivënë, duhet të jetë ankthioze për regjisorin. Teksti është ai që është, madje dhe ata që nuk kanë shkelur kurrë në Teatër mund ta kenë parë në ekranizim. Shfaqja që pashë unë është punuar nga regjisori amerikan, John Blondell, dhe një kast aktorësh të TK (Ervin Bejleri, Eriona Kakeli, Helidon Fino, Olta Daku, Florian Agalliu, Elia Zaharia, Indrit Çoban, Vasian Lami, Neritan Liçaj, Dritan Boriçi, Sokol Angjeli, Klea Rondo).
Për shfaqjen
Për shijet e mia, kjo është një shfaqje mjaft e mirë. Për shijet e të tjerëve, munda të vë re që publiku e kapi dhe e shijoi komedinë.
Komplimenti i parë shkon për aktorët, por unë mendoj që vlera e shfaqjes qendron së pari te koncepti. Shpesh shfaqjet tona përbëhen nga “gjetje” të hallakatura, që varen si geta të shtrenjta nëpër shkurre, pa u lidhur dot në një fill të vetëm e solid. Këtu gjithçka rri mirë brenda së tërës.
M’u duk zgjidhje e zgjuar dyshemeja e pjerrët – në një shfaqje ku vazhdimisht ka personazhe që flenë. Më pëlqyen etydet, mbështetur fuqimisht edhe nga kapacitetet e aktorëve. Elementët bashkëkohorë (si keçi, apo hip-hopi) ishin mbajtur në masë minimale sa për të dhënë paak shije e për të mos e dëmtuar frymën e kohës. Kostumet (Blagoj Micevski) dhe elementët e tjerë të skenografisë (me përjashtim të dritave të pyllit – e parë dhe diku tjetër) rrinin në ekuilibër të mirë.
Për hallet e përditshme
Në foton më sipër janë: 2 djem që sulen për 2 vajza, ose një vajzë që zihet për një djalë me një vajzë tjetër, ose një vajzë që ha inat me të tre për njërin prej tyre. Të treja këto marrëdhënie ju i keni përditë para syve. Dhuna e “shefit” apo e babit, budallallëku i punëtorëve me shpirt artisti, cinizmi i të pasurve, shumë halle tuaja të përditshme janë aty. Në fakt, hallet nuk ndryshojnë prej 500 vjetësh. E vetmja që ndryshon është mënyra si i vë në skenë. Kjo shfaqje ia vlen. Për mua, fikeni TV dhe shkoni në fundjavë në teatër në orën 8.


flm
ishalla spo e kupton zysha e letersis
FIKSSS