Pas shpërthimit të skandalit të përgjimeve të celularit privat të Angela Merkel, është ngritur akullnaja midis Berlinit dhe Uashingtonit. Ministri i Jashtëm gjerman takohet me ambasadorin amerikan për të kërkuar shpjegime. Ashtu si Amerika Latine edhe Evropa zhytet në pakënaqësi ndaj SHBA-së
Qeveria gjermane ka thirrur ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Berlin për çështjen e spiunimit të celularit privat të kancelares gjermane nga shërbimet amerikane të zbulimit. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, do të takohet personalisht me ambasadorin John B. Emerson.
Të mërkurën Merkel i telefonoi presidentit amerikan pasi lajmi u bë publik. Nga Shtëpia e Bardhë, Obama, i kapur në befasi nga ashpërisa e telefonatës së kancelares gjermane, u përgjigj se “Amerika nuk kontrollon dhe nuk do të kontrollojë komunikimet e Merkel”, por nuk deklaroi nëse e ka bërë në të kaluarën. Pra, foljen në kohën e shkuar nuk e përdor, duke mos përjashtuar se përgjimet kanë ndodhur në të kaluarën.
Marifete semantike si ato të përdorura nga shefi i tij i Inteligjencës, James Clapper, i cili përballë zbulimit të “Le Monde” për përgjimin e telefonatave të francezëve nga NSA-ja, i hodhi poshtë akuzat duke thënë se kontrolli i pafundësisë së komunikimeve nuk prek të gjithë përbërësit e një telefonate, por vetëm gjysmën e të dhënave: kush telefonoi kë, nga ku dhe kur. Përgjimi i përmbajtjes së bisedave fillon vetëm nëse algoritmet që analizojnë këto të dhëna sinjalizojnë diçka të dyshimtë.
Linja mbrojtëse e Obamës, sipas së cilës NSA-ja ka shpëtuar jetë njerëzish duke shmangur atentate terroriste, tani nuk ka ku të mbështetet më. Vështirë se ai mund t’i përgjigjet Merkelit se celulari i saj u përgjua për të parandaluar atentate terroriste.
Obama i përsëriti kancelares gjermane atë që i kishte thënë edhe presidentit francez në telefonatën e fundit: SHBA po rishikon mënyrën se si i mbledh të dhënat Inteligjenca e saj, për të vendosur një balancë midis sigurisë së qytetarëve dhe shqetësimeve për privatësinë”.
Por, lajmi i skandalit mund të ketë pasoja shumë të rënda mbi marrëdhëniet bilaterale të Berlinit me Uashingtonin. Këtë e nënvizoi mbrëmjen e së mërkurës zëdhënësi i kancelares, Steffen Seibert, i cili u shpreh: “Ekziston një dyshim i fortë, se Agjencia e Sigurisë Kombëtare amerikane ka vënë nën kontroll celularin e kancelares dhe ka dëgjuar e regjistruar sistematikisht çdo bisedë të sajën”.
Nuk do të jetë e lehtë të ngjitet thyerja. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere deklaroi për televizionin “ARD” se “marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe SHBA-së janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe të tilla do të mbeten, por situata nuk mund të injorohet dhe të kthehet kaq lehtë në normalitet”.
Edhe Parisi këtë javë i kërkoi shpjegime SHBA-së mbi dyshimin për spiunimin e 70 milionë telefonatave të francezëve. Dilma Roussef, presidentja e Brazilit, e cila gjithashtu është vënë nën shënjestrën e përgjimeve të shërbimeve amerikane, nuk është mjaftuar me anulimin e një vizite shtetërore në SHBA, por u shfaq në OKB duke shpallur indinjatën e saj të thellë në lidhje me këtë situatë. Meksika, aleatja e hekurt e Shteteve të Bashkuara bluan në zemërim pas zbulimit të spiunimit të ish-presidentit të saj. E gjitha Amerika Latine zhytet në një klimë kundër saj, ndërkohë shtohen gjithnjë e më shumë ata që besojnë se SHBA nuk di të mbajë aleatë, sepse për të bota ndahet në armiq dhe vasalë.//Dorina Gjuzi

N.q.s sherbimet e sigurisë amerikane kanë arritur deri tek interceptimi i telefonatave të kancelares gjermane me plot gojën mund të thuhet se “kanë tejkaluar çdo limit të parimeve të demokracisë,të partneritetit e të besimit të ndërsjelltë ndermjet shteteve”!
VR!!! N.q.s sherbimet e sigurisë amerikane kanë arritur deri tek interceptimi i telefonatave të kancelares gjermane me plot gojën mund të thuhet se “kanë tejkaluar çdo limit të parimeve të demokracisë,të partneritetit e të besimit të ndërsjelltë ndermjet shteteve”!