ISHMT paralajmëron për produktet pa standarde në treg

Edona Llukacaj

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të monitorimit të sigurisë konsumatore, ka bërë me dije se në treg është konstatuar tregtimi i një produkti, i cili nuk përmbush standardet  dhe që është i dëmshëm për shëndetin e njeriut.

ISHMT duke iu referuar njoftimit ndërkombëtar të kategorisë ALERT, në portalin e RASFF (RAPID ALERT SYSTEM FOR FOOD AND FEED) me numër njoftimi 394243, për produktin “Filxhan me fibra bambuje”, deklaron se shitja e këtij produkti është ndaluar “pas kontrollit laboratorik të kryer nga ana e autoriteteve të ushqimit, Qipro, ka rezultuar se paraqet nivel të lartë të migrimit të melaminës mbi normën e lejuar, duke paraqitur risk serioz me ndikim në shëndetin e njeriut”.

PËRSHKRIMI I PRODUKTIT:

Emri i produktit: FILXHAN ME FIBRA BAMBUJE

Emri i produktit në etiketë: BAMBOO FIBER MUG

Numri i artikullit: ZF-004M

Pamja e jashtme e produktit: 8.5 cm, 450 ml

Kategoria e produktit: MATERIAL NË KONTAKT ME USHQIMIN

Barkodi: 0491316000035

Në njoftim, gjithashtu, thuhet: “Konsumatorët që kanë blerë këtë produkt nuk duhet ta përdorin pasi është i rrezikshëm dhe ta kthejnë pranë pikës së shitjes ku e kanë blerë. “.

Inspektoriati thekson se ka ndërmarrë një fushatë të rëndësishme në kuadër të garantimit të cilësisë dhe evidentimit e heqjes nga tregu të të gjithë produkteve pa standardin e duhur.

Sakaq, sipas lajmit të Monitor, inspektoriati njofton se kanë nisur bashkëpunimin me Doganat, me qëllimin për të identifikuar produktet jo në konformitet, me mbështetjen e projektit “Humelica”. Ky bashkëpunim ka për qëllim rritjen e efiçencës së bashkëpunimit midis dy institucioneve për të ndaluar vendosjen në treg të produkteve jo të sigurta, që nuk plotësojnë kriteret ligjore të detyrueshme sipas Legjislacionit në fuqi.

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *