29 korriku, dita e shfrytëzimit ekstrem të Tokës

Edona Llukacaj

Organizata Global Footprint Network ka shpallur ditën e hënë (29.07) si dita e shfrytëzimit ekstrem të Tokës. Sipas shifrave, njerëzit i kanë konsumuar burimet natyrore të Tokës për këtë vit.

Global Footprint Netëork përllogarit çdo vit ditën e mbingarkesës së planetit, ose ditën e mbikonsumimit të Tokës. Sipas të dhënave të kësaj organizate kjo ditë po afron gjithnjë e më shumë. Më 1971, dita e parë e mbikonsumit global përkoi me 21 dhjetorin. Vitin e kaluar ishte 1 gushti. Ndërsa këtë vit, për herë të parë, ajo është zhvendosur në muajin korrik, duke përkuar me datën 29 të këtij muaji.

Dita e mbishfrytëzimit të botës nënkupton, që njerëzit deri në atë datë kanë konsumuar aq burime të Tokës, sa të gjitha ekosistemet mund të ripërtërijnë përgjatë një viti të tërë. Njerëzimi konsumon pra çdo vit më shumë tokë bujqësore dhe kullota, rezerva peshku dhe pyje, se sa ka në dispozicion. Po ashtu emetohen shumë më tepër CO2, nga sa mund të filtrojnë pyjet dhe oqeanet.

Dita e mbikonsumimit të Tokës është një vlerë mesatare globale. Sipas përllogaritjeve të organizatave të mjedisit, popullsia botërore konsumon 1,75 të planetit. Nëse njerëzit të gjithë do të jetonin si në Gjermani, do të duheshin tre planetë si Toka. Nëse njerëzit do të kishin të gjithë të njëjtin konsum burimesh si qytetarët e SHBA-së, do të nevojiteshin pesë planete si Toka.

Duhet theksuar se një prej faktorëve kryesorë të këtij fenomeni është rritja e popullsisë globale. Në vitin 1970 në botë kishte rreth 3.7 miliardë njerëz. Sot bota numëron rreth 7.5 milionë banorë, me Kinën dhe Indinë që kryesojnë popullsinë botërore, me përkatësisht 1.4 dhe 1.3 miliardë banorë.

e.ll./dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *