BEFASIA / Rama kërkon takim urgjent me Metën; menaxhimi i tërmeteve do jepet me PPP

redaktor

TIRANË – Kryeministri i Republikës së Shqipërisë Edi Rama i ka kërkuar zyrtarisht takim para pak minutash Presidentit të Republikës së Shqipërisë Ilir Meta.

Lëvizja e befasishme është komentuar nga ministrja socialiste e Marrëdhënieve të Partisë Socialiste me Parlamentin Socialist, Episa Pilospari, si një ndryshim 360 gradë në qëndrimet e qeverisë për hir të interesave strategjike të vendit.

Në një koment të dytë, më pas ajo e korrigjoi kursin në 180 gradë, pasi i thanë se me ndryshim 360 gradë je po aty ku ishe.

Siç mësohet, në letrën drejtuar Presidencës, kryeministri kërkon falje për nxitimin e tij për hedhur rromuze ndaj kërkesës së Presidentit për informacion mbi masat anti-tërmet.

“Zoti President, le të lëmë pas lumin e llumit të veshgjatësive dhe batërdive verbale që kemi vërvitur ndaj njëri-tjetrit, dhe të diskutojmë për mundësinë e një projektligji urgjent që do mundësonte ndërtimin e strategjie afatgjatë për menaxhimin e dukurive të pashmangshme natyrore siç janë tërmetet greke,” shkruan Rama në mesazhin e tij.

Burimet bëjnë me dije se kryeministri synon hartimin një pakete ligjore me procedurë të përshpejtuar, për miratimin e një PPP-je anti-tërmet në shumën prej shtatëqind trilionë miliardë milionë eurosh dollarësh dhe paundësh.

Grupi i punës që Rama ngriti dje në mesnatë nën kryesimin e Dhamianit, konkludoi në shumën e mësipërme, pa llogaritur inflacionin.

“Dhamiani si krye-tërmetari i Rilindjes, mendoj se do ishte njeriu i duhur edhe për hartimin e bazës ligjore përkatëse” – sqaron Rama në letër.

Sipas kryeministrit, Shqipëria me mundësitë e veta të pakta nuk do të arrijë kurrë të financojë një PPP tërmeto-fage, “por kjo nuk do të thotë ta lëmë Shqipërinë pa tërmete, kur edhe Greqia fqinje, një pocaqi e sapodalë nga kriza, i ka një dhjetë të tilla çdo vit”.

Në vijim Rama i sugjeron ish-aleatit të majtë që përgjegjës të tërmeteve për Zonën e Parë Operative Vlonë-Gjinokastër të caktojnë Tërmet Peçin.

“Unë mendoj që Tërmeti të mbulojë tërmetet deri në Përmet, pasi Kolonjën e menaxhon ai pehlivani i kukullave, ndërsa Korçën e ka Tirka,” shton kreu i qeverisë në letrën dërguar Presidentit, ku mungojnë totalisht zografisjet me bojra, çka dëshmon urgjencën me të cilën është hartuar teksti.

“Zoti President, unë propozoj që në menaxhimin e shumës prej shtatëqind trilionë miliardë milionë eurosh dollarësh dhe paundësh, të PPP-së që do fitohet nga e vetmja firmë realisht e kualifikuar, “Pjetër Mustakuqi & Co”, të caktoni edhe ju një grup ekspertësh presidencialë, që do jenë përgjegjës për 15 deri në 20% të operacioneve tërmetore. Unë jam më shumë për 15-ën në fakt, se më duket shifër e fisme, por flasim, flasim…”, këshillon Rama.

Në fund, kreu i qeverisë bën edhe një sugjerim vokabularistik.

“Kam edhe një P.S. në fund, zoti President. E bukur ëëë, kryetari i PS-së ka një P.S. në fund. Sa i madh jam, komplet PS…

Atëherë: Nëse jeni i mendimit se me inicialet PPP janë krijuar shumë keqkuptime nga vulgu dhe plebejtë, që janë të këqinjtë e vetes dhe nuk e kuptojnë se çfarë nderi po u bëj që po drejtoj këtë vend, skemën e mësipërme mund ta riemërtojmë TTT, meqë janë dhe tërmetet në mes. Me respekt, Tryeministri”.

 

*****

SHËNIM: Gojët e Liga është një rubrikë satirike që ka shtatëqind trilionë miliardë milionë klikime

 

Share This Article
4 Comments
  • Damiani eshte e sigurte qe e menaxhon krizen e termeteve,pasi ka ne gadishmeri nje ekip cunash problematike,qe me furgonin e tyre i bejne balle cdo lloje lekundjesh,sado te fuqishme qofshin.

  • Po normale or zoteri. Nje byth Greqie po knaqet me termete, vetem ne mbetem ne fund. Ec Edvin, mbase kapim dhe ndonje vulkan

  • Sot kryeministri i Shqiperise na dha nje sihariq te madh:Emeroi Drejtor te Biblotekes Kombetare
    djalin e Kristaq Mishes Kristaq per Kristaq, Piro
    Mishen qe as gruaja vet nuk e duron xhuxhin ne
    shtepi, e jo me shqiptarwt ne “Librari” ! Tobe straf-
    kurllah ! Thote turkoshaku anadollak ..!!.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *