Mjekët e familjes, shpërblehen ata që bëjnë më shumë kontrolle

anazapta

Një ndër treguesit që do të vlerësojë punën e mjekut të familjes është edhe numri i vizitave që lidhet me depistimin (kontrollin) e grave në moshë risku për kancer gjiri. Kundrejt alarmit të ngritur për shtimin e sëmundjeve tumorale, Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor ka shtuar edhe këtë tregues, në vlerësimin e punës në mjekut të familjes, për të cilët do të ketë edhe shpërblime përkatëse.

Në varësi të këtij treguesi, i cili shprehet në numrin e vizitave të kryera, dhe cilësisë së shërbimit të ofruar mjekët do të garojnë për të përfituar bonus. Mjekët e familjes që raportojnë rezultatet më të larta në këtë drejtim, do të përfitojnë edhe shpërblimin (bonusin).

Drejtori i ISKSH-së Atsrit Beci teksa ka vizituar Poliklinikën e specialiteteve numër 3 në kryeqytet, pranë të cilës do të vijojnë të kryhen mamografi falas për popullatën në nevojë, ka deklaruar se : “ISKSH, si financuesi shërbimeve shëndetësore, dëshiron të shprehë vëmendjen dhe qasjen e re të institucionit, për një financim më të mirë të shërbimeve shëndetësore që lidhen me kujdesin ndaj grave në moshë risku për kancer gjiri”.

Sipas tij, mjekët e familjes kanë nisur të kontrollojnë gratë në moshë risku për kancer gjiri, shërbim për të cilin do të përfitojnë bonus të posaçëm, (shtesë mbi pagën), për ata që arrijnë këtë tregues cilësor”. “Me këtë rast, si drejtues i institucionit, por edhe si mjek, dëshiroj t’ju bëj thirrje të paraqiteni pranë mjekut tuaj të familjes për të përfituar falas kontrollin për kancerin e gjirit”, ka apeluar Beci.

Më tej, Beci ka pohuar se e gjithë vëmendja e ISKSH-së do të përqendrohet në zbulimin dhe trajtimin e këtyre sëmundjeve. Për këtë është parashikuar që dyfishohet financimi për citostatikët (barna që shërbejnë për trajtimin e sëmundjeve tumorale). Ndërkohë që ka vënë theksin te parandalimi i sëmundjes dhe kapjes së saj që në stade të hershme, kohë në të cilën trajtimi është edhe më efikas.

Lidhur me vizitat e kryera pranë kësaj poliklinike raportohet se rezultojnë 1342 mamografi të kryera gjatë 9 mujorit të 2013-s. Mesatarja e ekzaminimeve gjatë një dite mbërrin në 6 ekzaminime, ndërsa gjatë muajit tetor, muaji i sensibilizimit për kancerin e gjirit, shënon pikun me 24 mamografi në ditë.

Megjithatë, pacientët duhet të dinë që jo ne çdo rast është i nevojshëm ekzaminimi i mamografisë. Mjafton një kontroll i gjirit pranë mjekut të familjes dhe vetëm në rastet kur vihen re probleme, pacientet mund t’i drejtohen shërbimit më të specializuar (ekzaminimit nëpërmjet mamografit), me rekomandim nga mjeku i familjes.  Neglizhencë, kosto financiare apo mungesa e aparaturave në spitale ka sjellë që depistimet nga kanceri i gjirit të mos jenë në nivele  e duhura.

 

Share This Article
2 Comments
  • Pika qe su bie mjekeve te familjes,po nuk u dhe leke ste zene me dore e ste japin rekomandim per tek specialisti TURP I MADH!
    Duhen zevendesuar te gjithe pa perjashtim

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *