Nga Spartak Braho
Heroi legjendar i rezistencës antifashiste greke gëzon reputacion të jashtëzakonshëm jo vetëm në Greqi, por edhe në Shqipëri e më gjerë.
E kam takuar gjatë viteve që merrem me politikë disa herë dhe më ka lënë përshtypje të thellë karakteri i tij i palëkundur në mbrojtje të antifashizmit dhe për simpatinë që ka ndaj popullit fqinj shqiptar dhe për Luftën tonë Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Është një nga figurat emblematike të Greqisë që ka ardhur në Shqipëri nga mesi i viteve 1980.
Në 9 shtator të këtij viti ai mbush 97 vjeç.
Dy vjet më parë duke kundërshtuar insinuatat e ministrit të Arsimit gjatë një debati ku u përmend Shqipëria, shpërtheu në mes të parlamentit: “Grekët dhe shqiptarët janë dy popuj fqinj të cilët duhet të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin”
Pastaj iu drejtua ministrit K. Arvanitopoulos duke i thënë. “Ti vetë ke mbiemrin Arvanitis! Shqiptar”…
Ish ambasadori ynë në Greqi, Bashkim Zeneli ka shkruar kështu për Manolis Glezos në një libër të tij të titulluar “Miqësi e trazuar”:
“Manolis Glezos është Heroi Kombëtar i Greqisë. Ai është një nga figurat emblematike të luftës së popullit grek kundër nazifashizmit. Por edhe më pas, një luftëtar trim dhe rebel kundër juntës ushtarake, që e drejtoi vendin për 7-8 vjet. Në Greqi gëzon një respekt dhe simpati të jashtëzakonshme, nga të vjetër dhe të rinj. Por edhe në Europë ka një emër të njohur. Është heroi i famshëm i Akropolit, kur më 30 maj 1941, në moshën 19-vjeçare, me guxim të pashoq, u ngjit në kolonat më të larta të Akropolit antik dhe hijerëndë, simbol i historisë së lashtë dhe e kulturës së antikitetit, hoqi flamurin gjerman të pushtimit…”
Ndërsa gjatë një interviste për TVSH-në gjatë qëndrimit në Tiranë, Manolis Glezos foli me respekt për popullin shqiptar. Veçanërisht, vlerësoi Luftën Antifashiste të popullit tonë.
Në ambasadën tonë në Athinë ku shkon shpesh flet për Kadarenë. Në mënyrë të veçantë për “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” dhe “Kronikë në gur”…
E pra, pardje i bëra të ditur këtij simboli të gjallë të antifashizmit se çfarë po ngjet në Shqipëri me rehabilitimin e disa kolaboracionistëve dhe me përpjekje sistematike për të hedhur baltë mbi heronjtë e LANÇ. Më dëgjoi me vëmendje, pastaj më tha ngadalë:
“E dhimbshme, por mos u çudisni. Neofashizmi po godet edhe në Greqi e në vende të tjera. Ju duhet të krenoheni me atë luftë. Mos i hidhni verës ujë. Fashizmi nuk ka vdekur”
Biseda ime me Vaso Tolen
Vasil Tole është miku im që e njoh prej shumë vitesh. Por ai ka firmosur si nënkryetar i Akademisë së Shkencave shkresën zyrtare për organizimin e kësaj konference antihistorike. Nuk e mbroj dot Vason në këtë rast.
Ia kam thënë drejtpërdrejt dhe po ia përsëris edhe këtu këtë bisedë që nuk ishte e lehtë dhe besoj se nuk do të ma marrë për keq që po ia bëj publike:
Unë: Vaso, nuk u besoja syve që ju deformoni termat e organizatave e të luftës nacionalçlirimtare. As Tufa nuk i ka bërë këto. S’e kuptoj këtë qëndrim tendin aspak shkencor dhe realist që ndoshta janë të ndikuara nga disa që qarkullojnë aty rreth teje. Mos harro se dalin nga një titullar i akademisë së shkencave siç jeni Ju. Bëj korrigjim do të sugjeroja se do të bëhesh objekt i sulmeve nga Dita dhe nuk është mirë jo vetëm për ty, por dhe për ne që të kemi shok.
Vasua më tha: Propozimi ishte i seksionit përkatës. Drafti do të pasurohet.
Unë: Lexo prof. Frashërin, akademikun e madh të historisë së luftës. Unë mendoj se s’ka nevojë të “pasurohen” termat e luftës antifashiste se ashtu i kanë njohur dhe bota dhe aleatët e luftës. Nuk është pasurim, por është revizionim i ndikuar nga neoballistët dhe historianët pseudomodernë që keni aty. Me vjen keq, por unë nuk do qëndroj indiferent
Vaso: Seksioni është i albanologjisë. Të hënën do të ulemi me ta. Lufta Antifashiste NÇ është e shenjtë dhe nuk preket apo cenohet.
Unë: As lufta NÇ as organet e saj drejtuese me uniformë e organizim të rregullt, nuk preken miku im
Vaso: I dashur Spartak. Si djalë partizani e veterani që jam e di mirë detyrën time. Akademia do të bëjë më të mirën siç ka bërë gjithmonë.
Unë: Po ja pra, djemtë e partizanëve si ju hartojnë atë palo program? Edhe Romeo Gurakuqi e Shaban Sinani thonë jemi nga të luftës, por …
Vaso: Akademia është po ajo që themeloi Kahreman Ylli i nderuar!
Unë: Vaso unë as e diskutoj se me kë je ti, por në rastin e programit ta kanë hedhur e të kanë marrë firmën. Është pakujdesi për ty dhe dredhi e qëllimshme nga ata që kanë marrë porosi e po vazhdojnë revizionimin e historisë së luftës partizane. Ti nuk je historian, Vaso. Lufta nuk ishte thjeshtë luftë siç thua ti, por Luftë Antifashiste Nacionalçlirimtare, me armë në dorë e popullit shqiptar të organizuar në formacionet partizane. Këta duhet të nderohen me rastin e 75 vjetorit. Nuk po flasim për komunizmin, o Vaso. Ky është thelbi i debatit dhe programit që ke firmosur ti dhe që duhet ta ndreqësh.”Trendi Europian i antifazhizmit pa armë” është shpikje pasi unë kurrkundi nuk e gjej të shkruar. Çudi e madhe. Na e thuaj në cilat dokumente e keni gjetur? Dje fola me Manolis Glezos heroin e gjallë të rezistencës antifashiste greke. U çudit me shpikjet tona dhe tha mos i hidhni verës ujë,fashizmi s’ka vdekur. Çfarë të them…”
“Trendi evropian” i pretenduar nga Akademia
Ashtu sikur ia thashë edhe Vasos në bisedën e mësipërme, nuk ka trend evropian për ripërcaktimin e termave mbi luftën antifashiste. Edhe ato termat e tjera si “antifashizmi pa armë dhe pa uniformë”, apo ““Antifashizmi përmbi ideologjitë dhe dallimet”, janë sajesa të komisionit organizator, domethënë përralla, por kurrsesi trend.
Vetë ky komision akademik udhëzon në shkresën e sipërcituar: “Të përqendrohet në mënyrë të veçantë interesimi shkencor tek ajo pjesë e rezistencës antifashiste prej popullit shqiptar, që ka të bëjë me vullnetarizmin, me antifashizmin pa uniformë…: Dhe pak më poshtë: “Synohet një ndikim shkencor për saktësimin e termave dëshmor, martir dhe viktimë.” (!)
Po argumentoj pse këto synime që kërkon të arrijë Akademia jonë e Shkencave nuk janë trend. Në vitet 20-30 kur dolën në skenë gangsterët Adolf Hitler dhe Benito Musolini konsiderohej si një trend që do të ndryshonte botën. Por ndodhi e kundërta. Kur këta banditë morën pushtetin në Gjermani dhe Itali e futën botën në një kasaphanë të paparë e të padëgjuar ndonjëherë. Me atë luftë, ku ata thyen kokën mori fund edhe historia e trendit të tyre.
Jemi në 75-vjetorin e çlirimit dhe është e pafalshme të ndodhin provokime të tilla, as të justifikuara dhe as të mirëpritura. Do të ishte dashur të fillonte prej kohësh një propagandë zyrtare në mbrojtje të asaj lufte antifashiste që e shpëtoi Shqipërinë nga katastrofa e shpërbërjes dhe fshirjes nga harta e botës.
Na vjen keq që ende nuk është publikuar një program nga qeveria për festimet zyrtare që mund të duhet të bëhen.
Të gjithë e kanë kuptuar “trendin” për të rehabilituar kolaboracionizmin dhe për të ndryshuar historinë e të mundurve tanë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ndërsa trendi evropian e botëror i pas luftës ka qenë mbrojtja e vlerave të luftës antifashiste që fashizmi dhe neofashistët të mos e ringrenë kokën në jetë të jetëve. Ka 75 vjet që ndodh kështu.
