Gara për transferimin dhe ndjekjen e një programi të dytë studimesh në fakultetet që janë pjesë e Universitetit të Tiranës do të zhvillohet me anë të dosjes përgjatë muajit shtator. Nëpërmjet një udhëzimi të posaçëm, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka përcaktuar tashmë kriteret dhe afatet e aplikimit për të gjithë kandidatët që duan të transferojnë studimet e larta në programet e nivelit të parë “Bachelor”, si dhe ato të nivelit të dytë “Master” për pranimet e vitit të ri akademik 2019-2020.
Kandidatët e interesuar për këto kuota, duhet të paraqiten pranë departamenteve përkatëse të fakultetit në të cilin duan të konkurojnë, për të paraqitur kërkesat e aplikimeve së bashku me dokumentet e tjera sipas afateve të përcaktuara në udhëzimin zyrtar të MASR. Ndërkohë që në mbledhjen e zhvilluar pak më herët, Senati Akademik i UT-së ka përcaktuar edhe numrin e kuotave të pranimit për transferimin e studimeve, ndjekjen e një programi të dytë, si dhe kuotat për kategoritë me status të veçantë për të gjitha programet e gjashtë fakulteteve që janë pjesë e Universitetit të Tiranës. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar ndarjen e plotë të kuotave për secilin program studimi, dosjen e dokumenteve që duhet të dorëzoni në afatet e përcaktuara, si dhe kriteret e pranimit.
Kriteret e pranimit
Sipas kushteve të përcaktuara në udhëzim, çdo student ka të drejtë që të aplikojë duke përzgjedhur në fazën e konkurimit deri në 5 programe studimi. Sikundër ndodh edhe me pranimet e ciklit të parë, edhe për këto kuota, studentët duhet të përmbushin kriterin e mesatares së miratuar nga qeveria që në fazën e aplikimeve. Kjo e fundit do të faktohet nëpërmjet dorëzimit të fotokopjes të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme. Në mungesë të diplomës së Maturës Shtetërore apo Dëftesës së Pjekurisë së shkollës së mesme duhet të paraqisni dublikatë të dëftesës së pjekurisë të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme të lëshuar nga Arkivi i Shtetit. Kandidatët që do të aplikojnë për transferimin e studimeve në programet 2-vjeçare të karakterit profesional nuk janë të detyruar që të përmbushin kriterin e notës mesatare të kërkuar nga qeveria. Aplikimi për transferim studimesh mund të bëhet nga një program studimi i njëjtë, ose i ngjashëm i të njëjtit cikël dhe lloj, të ndjekur nga kandidati aplikues në institucionet publike dhe ato private që janë të licencuara dhe të akredituara për programin përkatës. Nuk mund të kryhen transferime studimesh nga programet e studimeve 2-vjeçare me karakter profesional në programet e ciklit të parë “bachelor” dhe programet e integruara të ciklit të dytë “Master i shkencave”. Me mbylljen e fazës së aplikimeve, komisionet e ekspertëve do të verifikojnë të gjitha dosjet e depozituara në lidhje me plotësimin e kushteve të ngjashmërisë së programeve dhe krediteve të fituara nga kandidati. Nëse këto të fundit janë në përputhje me programin e lëndëve të institucionit ku kërkohet transferimi, atëherë kandidati mund të vijojë ndjekjen e vitit të dytë, ose të tretë në institucionin e aprovuar. Pasi të vlerësohen dokumentet përkatëse nga komisionet e vlerësimit, universitetet duhet që të shpallin listat zyrtare të kandidatëve fitues. Lidhur me koston e studimeve, bëhet e ditur se, studenti që fiton të drejtën e transferimit i nënshtrohet vetëm një tarife shkollimi, e cila do të jetë e njëjtë me tarifën që paguajnë të gjithë studentët e tjerë që vijojnë studimet në këtë program. Studentët që transferojnë studimet nga një program studimi apo nga programe të mëparshme studimi të ciklit të parë në një program tjetër studimi në institucionet publike të arsimit të lartë, i nënshtrohen tarifës së përgjithshme vjetore të shkollimit të programit të studimit përkatës, në të cilin ata kanë kërkuar të transferojnë studimet”, bëjnë me dije ekspertët e dikasterit të Arsimit.
Dosja që duhet të dorëzoni për transferimin e studimeve duhet të përfshijë:
- Kërkesën për programin e studimit, në të cilin do transferohen studimet.
- Planin e plotë të programit të studimeve, përfshirë dhe syllabuset përkatëse.
- Vërtetimin e listës së notave dhe krediteve të fituara në çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, i cili do të shërbejë për ekuivalentimin e notave të lëndëve të programit të studimit të ndjekur.
- Studentët që i transferojnë studimet nga një institucion i huaj i arsimit të lartë, planin e plotë të programit të studimit përfshirë dhe syllabuset përkatëse dhe listën e notave, duhet t’i dorëzojnë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të njësuar me origjinalin.
- 4. Kandidati që ka përfunduar shkollën e mesme në Republikën e Shqipërisë para vitit 2011, të dorëzojë fotokopje të noterizuar të dëftesës së pjekurisë të shkollës së mesme. Në mungesë të diplomës së Maturës Shtetërore apo dëftesës së pjekurisë së shkollës së mesme duhet të paraqesë dublikatë të dëftesës së pjekurisë të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në drejtorinë Arsimore Rajonale/Zyra Arsimore përkatëse, ose listën e notave të shkollës së mesme të lëshuar nga Arkivi i Shtetit.
- Fotokopje të dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë).
- Dy fotografi personale.
- Kopje të mandatit të pagesës së aplikimit.







