Sot bëhen plot gjashtëdhjetë vjet që prindërit e mi janë martuar.Vite pas vitesh kjo distancë, që ne e quajme thjesht përvjetor merr vetvetiu formën e një feste, e kjo vetë, me një kapërcim gjysëmshekulli shndërrohet në një ngjarje nostalgjike, sa e ndjeshme për prindërit, po aq dhe për ne, fëmijët e tyre.Kam vënë re se nostalgjia është si ajo lulja e rrallë e malit, që mbin papandehur atje ku s’ta pret mendja dhe rritet po me aq vitalitet në ato pak gramë dheu që kanë mbetur në plasaritjet e shkëmbit, duke ngulur rrënjët e forta tamam në gur.Kemi pasur jetë të vështirë si çdo familje, kemi qënë shumë fëmijë dhe jemi shumuar e shumuar aq herë, e të gjitha këto janë bërë të mundura nga kjo martesë e 60 viteve më parë, e thjeshtë dhe e varfër; siç janë të thjeshta ekzistencat njerëzore.Babai dhe nëna jetuan dhe punuan atje ku ishte nevoja, shkëmbyen fshatra dhe shtëpi dhe kaq natyrshëm, si të gjitha familjet e kohës bënë shumë fëmijë, nëntë fëmijë.Shpeshherë, kur i ngacmoj me shaka për këtë “ekzagjërim” demografik, nëna bëhet alegre dhe më kujton se ajo i do shumë fëmijët, madje n’a nxit akoma; ajo nuk ndihet fort e plotësuar me 18 nipër e mbesa dhe një stërmbesë, kërkon akoma, sepse në fakt kushtet e sotme nuk kanë të krahasuar me të shkuarën e tyre.Gratë kanë lavatriçe, ushqime të specifikuara, bebelina,karroca dhe kanale televizivë dedikuar fëmijëve…Një argument tjetër është se vdekshmëria foshnjore ishte katastrofike këtu e një shekull më parë, ndaj bënin shumë.Babai hedh në shesh batutën e tij të përhershme:” – Ja, më zgjidh ti kë të mbaj e kë të heq nga juve?”.E vërteta është që duhemi të gjithë dhe me kaq mbyllet argumenti demografik, aq shqetësues për familjet e sotme, psikologët, staticienët e ku di unë.Ajo që ndjej në këtë moshën e prindërve, përveç dashurisë për prindërit, për të veçantat dhe të përbashkëtat e tyre, përtej nostalgjisë, e pse jo, e ndjej si krenari dhe më pëlqen t’a quaj po ashtu.Krenari që me të thjeshtën e tyre i kanë dhënë trashëgimi familjes, por edhe vendit në të voglën e tyre i kanë dhënë vijimësi gjeneratash.I shikoj tani, të moshuar dhe të pamundur të shëtisin me këmbët e tyre dhe shumëfish më dhimbsen, por edhe jam i kënaqur që janë.Për respektin e të gjithë atyre që nuk i kanë prindërit e tyre të dashur – dhe uroj t’i kujtojnë me dashuri – unë ndihem i privilegjuar që i kam ende.Ende së bashku si 60 vjet më parë, duke u përkujdesur për njëri – tjetrin, duke mbajtur njëri – tjetrin me biseda dhe kujtime.Babai ka shkruar një historik familjar që përmbledh mbi 300 vjet gjeneanologji familjare, por vë re se në mjaft gjëra nëna ka një kujtesë të habitshme.Shpesh është ajo që e shtyn të mbajë shënim diçka dhe në ato pak ditë që vij në Shqipëri i dëgjoj kur saktësojnë ngjarjet e tyre nga vegjëlia, a thua se po ua kërkon kush me perfeksion.Kujtohem kur përmend Amadou Hampate Ba, një proverb afrikan, ku krahasohen pleqtë me bibliotekat.Është saktësisht e vërtetë që çdo plak i ngjan një biblioteke, më i shpejtë se çdo Google dhe më i arsyeshëm se çdo Wikipedia; nuk shpërndan vëmendjen si Google dhe e mund Wikipedian me eksperiencë.Unë ndihem i pasur duke”shfletuar” pareshtur këtë bibliotekë të vyer, dhe mjaft herë kjo më ka ndihmuar të kem gjykimin tim mbi çka ndodh rreth meje, pavarësisht burimeve të informacionit.Në shumë raste, këshillat e prindit vlejnë sa një ekip me psikologë.Mes fëmijës dhe prindit hyn në veprim ai mekanizëm i mistershëm empatik, vepër e eksperiencës apo trashëgimisë gjenetike; gjë që nuk e di, por e ndjej se funksionon.Është nëna që shpesh del në ballkon dhe shkon pëllëmbën ballit në drejtim të Tomorrit.Ajo më siguron që bekimi vjen që andej, nga mali vetë dhe nga kulti që kanë mbjellë atje mjeshtërit bektashinj, që besoje apo jo, padyshim që sjellin bekim.Ndihem i prekur sot dhe njëkohësisht i lumtur, i lumtur që prindërit janë ende atje, në shtëpinë e tyre, duke shkelur bashkarisht pragun e 60 viteve bashkjetesë.Siç jam i lumtur kur nëna flet në Skype me vajzën time, adashe në emër me gjyshen, po ashtu kur flet me djalin, që ka ditëlindjen po në të njëjtën datë me gjyshen (“si e vendosi Tomorri”- ngul këmbë nëna ime), po aq sa jam i lumtur që në këto momente që shkruaj ajo mban në duar djalin tim më të vogël, më të voglin e të gjithëve, që sërish emri e lidh pjesërisht me Tomorrin dhe stërgjyshin e 200 viteve më parë.E di që 60 vjet janë një një fraksion i papërfillshëm kohe në univers, mbase nuk quhet dot as kohë, por më mjafton t’a ndjej unë eternitet.Vite të tëra hallesh dhe gëzimesh, bashkimesh dhe ndjarjesh mërgimtare, vite sakrificash dhe shpërblimesh, për të cilat, nëse duhet të falenderoj ndonjë shenjtore, është vetëm një që e njoh për të tillë; Nëna ime!Nëna dhe babai, shenjtorja dhe biblioteka ime, të dy bashkë, dëshmitarë të një martese që gjeneroi kaq shumë dhe akoma do gjenerojë të tjerë.U jemi borxhlinj për të gjitha!
