Moikom Zeqo
(NGA PËRRALLA E SENT EKZYPERISË DHE PAMFLETI PER PRESIDENTIN SALI BERISHA NË 1994 )
Një farë biznesmeni, i quajtur K3X, rri krejt i vetëm mbi një planet, që rrotullohet në kozmos.
Mesa duket është i pavdekshëm.
Por atributi i pavdekësisë është mërzia.
Planeti është i vogël. K3X rri në të si në një kolltuk.
Bëjmë një sintezë.
Një hibrid.
Planeti është K3X dhe K3X është planeti.
Rastësisht kaloi andej Princi Fluturues,- i shpikur nga shkrimtari francez Sent Ekzyperia.
-Tungjatjeta, e përshëndeti Princi Fluturues.
Por biznesmeni K3X nuk u përgjigj.
-Tungjatjeta, i tha përsëri Princi Fluturues.
-Kush je ti?
K3X i shqiptoi këto fjalë me vrazhdësi.
Kishte 137 vjet pa folur fare.
Kujtesa e tij po i harronte fjalët.
Pavdekësia dalëngadalë zhduk fjalët.
-Unë jam Princi i Vogël. Më quajnë edhe Princi Fluturues.
-Princ? Sa thesare ke?
-Nuk kam thesare. Madje asgjë.
-E kuptoj. Je i varfër. Nuk i dua të varfrit. I urrej. Je një Princ, mesa duket i shpronësuar,- pa pushtet, pa suitë, një qenie e kotë e përrallave për fëmijë.
Pse ke ardhur ?
Ç’kërkon ?
– Nuk kërkoj. Vetë vërtitem në kozmos, më pëlqejnë yjet, planetët, kometat. Janë kaq të shumëllojshëm dhe të pafund.
– Ç’do të thuash me këtë. Ç’lidhje ke me to? Hiq dorë prej tyre! S’ke punë me pasurinë time!
– Pasurinë tuaj?
– Pse bën sikur nuk kupton. Unë jam biznesmen, d.m.th. pronar.
Pse kot rri unë këtu në hapësira?
I shoh yjet dhe i regjistroj si kapitalin tim, që s’mund të ma marrë dhe të ma vjedhë askush.
As ti!
Pasuria ime nuk ka fund.
Vetëm rritet, shtohet papushim.
Kjo është kaq e thjeshtë.
Dhe ti bën sikur nuk e di këtë gjë.
– Oh, më falni. Me të vërtetë nuk e di. Tani po e dëgjoj këtë.
– Atëherë dëgjoje mirë, një herë e përgjithmonë.
Askush nuk mund të fusë hundët në biznesin tim. Askush.
– Më falni përsëri. Nuk më intereson fare pasuria juaj.
– Vërtetë ?
– Po. Nuk e kuptoj se çfarë pasurie është. Një thesar i rremë. Ti e bën pronë një yll vetëm se e sheh dhe thua “është imi”. Pasuria juaj është një çështje emërtimi, që s’ka lidhje me objektet që emërton. Një filozofi shterpe. Një Verbalizëm Personal.
Shoh që je fare i vetëm.
Nëse mendon se ke një pasuri kaq të pakufishme e ke vetëm për vete apo mendon t’ja lesh trashëgim dikujt, një tjetri ?
– Unë i urrej testamentet. Janë një poshtërsi e padrejtë. Unë jam i vetmi pronar dhe s’ka pse të ketë pronarë të tjerë.
– Këtu ke të drejtë. Si mund të trashëgohet një gjë që nuk është ?
– Është! Gjithë kozmosi është. Ke sy ti ? Nuk shikon ? Unë jam pronar i kozmosit.
– Po Zoti?
– Zoti? Nuk e njoh. Kush është ky?
– E kam të vështirë të ta shpjegoj. Por nuk ka rëndësi…
Këtu dialogu haluçinant ndërpritet.
Bisedat në Qiell përherë janë të projektuara edhe në Tokë.
***
Biznesmeni K3X e ka përherë sozinë e tij në Tokë, kurse Princi Fluturues çuditërisht në Tokë është i padukshëm për të rriturit, nganjëherë shpesh shihet nga fëmijët.
-Subjekti i mësipërm është dyzimi i një përralle, që dikur e shkruajti Ekzyperia, por që mund të vazhdohet edhe nga të tjerë.
- ••
Duke shfletuar një ksombël të Biblës në latinisht si shqiptar ndjeja një krenari të vjetër: pikërisht një ilir i ditur, një filolog dhe shkrimtar gjenial i nivelit botëror, Euseb Jeronimi,- ka qenë i pari, që ka përkthyer Biblën në gjuhën latine, të quajtur si varianti kanonik me emrin “Vulgata” e që ka shërbyer si një substancë kulturore për tërë qytetërimin e Europës Perëndimore.
Përkthimi i Jeronimit në shekullin IV të erës sonë qe baza e aksionit intelektual shekuj më pas të Martin Luterit si edhe të Gjon Buzukut tonë.
Po qëllimi im nuk ka të bëjë me një analizë filologjike, as edhe me një subjekt eseje të humanizmit të krishtërimit të hershëm, apo të latinicitetit mesjetar.
Duke kapërcyer fletët e ksomblës në fjalë lexova në Librin e Eksleziasit (4, 10) dy fjalë të madhërishme dhe të përjetshme: VAE SOLI. Në shqip përkthehen qartë: MJERË NJËSHI
M’u kujtua vetëtimthi një varg i njohur i Majakovskit, të cilit pothuaj e kisha harruar, (ose më dukej se e kisha harruar). Befas ndjeva një shqetësim të shumëfishtë, gati një ankth universal: në vetëdijen time përplaseshin kohërat, konceptet e kundërta për lirinë, popujt personalitet, librat e filozofëve, profecitë e çuditshme dhe të rrepta të poetëve, mediokriteti i llahtarshëm dhe rrënues i prostitutave të politikës, publiciteti i rremë dhe i tmerrshëm i liliputëve, që pretendojnë të luajnë me gjeste të huazuara gjigandësh, njerëzit, që këmbejnë bindjet ashtu si veshjet me një mendjelehtësi të pabesueshme, mesitë e profetët fallco të demokracisë dhe të progresit, të konvertuarit e nëndheshëm të mafies dhe të kamorras së krimit politik dhe ekonomik, falangat e zeza dhe të mjera të shërbëtorëve dhe hijet ambikuide të servilëve të pandreqshëm të bizantizmit shqiptaroid.
***
M’u kujtua si një stërlodhje, si një stres kolektiv dhe individual realiteti grotesk shqiptar, partitë, marrëzitë pa precedent të lidershipit rapsodik të shtetit të sotëm, Presidentit grotesk Sali Berisha ,- ose më saktë të pushtetit krejtësisht të dyshimtë të ditës.
M’u kujtua frika e stimuluar e intelektualëve të varfër shqiptarë,- kastrimi dhe shburrërimi i tyre i neveritshëm nga lidershipi politik (“s’keni pare ende akoma “)- që i detyron, që firmat e borderove t’i kenë dhe firma të manifestëve të servilizmit, sepse disa prej tyre kanë qenë edhe firma të informatorëve të shërbimit të fshehtë, jo vetëm dje, po edhe sot.
M’u kujtua tallja e mrekullueshme dhe e pazëvendësueshme e Erazmit të Roterdamit për Marrëzinë, që Vetëlavdërohet pafajësisht dhe metaforizmi i saj në jetën tonë të tronditur dhe problematike, deri me sindroma neurologjike.
M’u kujtuan karnavalet e pashembullt qeveritarë me helikopterë, lule, kamera, policë të veshur si rapsodë, që u binin çiftelive sipas motivit shekullor:”lejbepeqe, lejbepeqe!” ( “jemi nën urdhrat tuaja”).
M’u kujtuan shprehjet me fuqi të pakundërshtueshme identifikimi me kombin, flamurin, besën, Kushtetutën, fetë, Demokracinë, Lirinë, me secilin, me të gjithë; me botën; me universin, me formulën e ajrit dhe valët (e pandalshme nga askush) të TVSH.
VAE SOLI – a mundet në fundin e shekullit të XX NJËSHI i shtetit të jetë gjithçka sipas lokucionit filozofik të Zhan Pol Sartit edhe “qenie në vete” edhe “qenie për vete”.
VAE SOLI – a mundesh të jesh instanca e parë dhe e fundit, d.m.th. “Alfa dhe Omega” e vlerësimit të mbrapshtë të historisë, të të vërtetave të përjetshme dhe të palëkundshme të kombit ?
VAE SOLI – shqiptarët u ngritën kundër totalitarizmit, për të rrëzuar niçeanizmit e një udhëheqësi të vetëm,por ende budullallepsen me pagabueshmërinë mitike të Njëshit të sotëm absolut ,- Sali Berishes,- ndaj nuk besoj, se do të jenë dakord me një Njësh Tautologjik me një Njësh të Padiskutueshëm dhe njëkohësisht absolutisht të Padurueshëm nga të tërë, madje, edhe nga vetë ithtarët e marrosur të tij.
VAE SOLI – kohërat kanë ndryshuar!
Filozofi dhe shkrimtari italian Umberto Eko është tallur mrekullisht me idenë e mjerë të supermenëve, që nuk vlejnë asnjë grosh.
Një Rambo,- apo një Batman i nxjerrë nga skenarët dhe ekranet për të luajtur në skenën politike shqiptare është një qesharakësi e rrallë, ulëritëse dhe e jashtëzakonshme.
Njëshi i shtetit, i deliruari dhe i mjeri Sali Berisha,- është një përcaktim rastësor i hierarkisë politike dhe administrative dhe nuk është ai thelb, që në të vërtetë nuk mund të jetë kurrë.
Njëshi i shtetit është nëpunësi i parë i shtetit dhe duhet të jetë më i qytetëruari , më humanisti, më luajali, më vizionari.
Po nga duhet dhe është ka një ndryshim konceptual kolosal.
Njëshi duhet t’i përkulet popullit dhe jo populli atij.
Njëshi duhet të kuptojë, se është normale dhe tepër serioze, që të ketë kundërsharë të tij d.m.th. opozitë.
Njëshi duhet të dijë, se ata duhen respektuar me çdo kusht madje më shumë se vetja dhe jo t’i viktimizojë padrejtësisht dhe çmendurisht.
Njëshi duhet të mësojë deri në fund, se ai mund të quhet i tillë vetëm si një mandat i përkohshëm disavjeçar,- pra, edhe konvencial, -aspak i përjetshëm dhe i pakritikueshëm juridikisht dhe njerëzisht.
Njëshi duhet të qytetërohet.
Duke hequr dorë përgjithmonë nga kanuni primitive i klanit, i partikracisë dhe autoritarizmit idiot në të gjitha kuptimet e semantikat politike dhe humanitare.
Njëshi duhet të dlirësohet dhe të mos ketë lëkundje në idetë themelore të një shoqërie civile, që është ideja e qytetarit të lirë, e individit të lirë, për të cilin shteti dhe pushteti nuk është fatalisht një qenie armiqësore dhe përjetësisht e egërt dhe e kundërt.
Njëshi duhet të qytetërohet nga të tjerët, nëse nuk e posedon për arsye misterioze dhe fatkeqe këtë qytetari të domosdoshme.
Njëshi është i përkohshëm.
Kurse kombi është i përjetshëm.
Njëshi është një grimcë e Historisë dhe nuk ka targë mbi Historinë.
Përkundrazi Historia ka targ mbi Njëshin dhe e Sotmja do të gjykohet ashpërsisht dhe drejtësisht nga e Ardhmja.
Në këtë gjyq dëshmitë e saj, që thotë Njëshi për veten nuk janë dëshmia e saj, që do të thotë Historia për Njëshin.
Në këtë gjyq supreme dhe të pashmangshëm e Vërteta e Kombit nuk është e Vërteta e Njëshit.
loja e Historisë është e ndërlikuar joshëse, plot gracka për naivët dhe budallenjtë, por përherë e plotfuqishme dhe e pamëshirshme.
Apologjitë euforike e romantike të Njëshit janë tashmë diçka e tejkaluar.
Demokracia e vërtetë e parakupton popullin (doemos), kurse tundimi i Njëshit është Monokracia, ose Hiçkracia.
Realiteti politik shqiptar është plot paradokse.
Njëshi nuk duhet të jetë mishërimi i këtyre paradokseve.
Përcaktimi lapidar ekleziatik -VAE SOLI- është një nga mësimet më të parrëzueshme të Historisë njerëzore.
I të gjitha kohërave.
Përndryshe po e mbyll këte rresht me një tjetër frazë të cituar nga “Vulgata” e Euseb Jeronimit :
” aures habent et non audient”
d.m.th. “ veshët i kanë dhe nuk dëgjojnë”
- ••
Të ndërthurësh dy tekste, ose të shkrish dy subjekte është gati rebelizëm, ose surrealizëm i pafajshëm.
Por një gjë është ndoshta e pashmangshme: kuptimshmëria universal e ngjarjeve dhe personazheve !
Dhe ngjashmëria e të tëra figurave paradoksale të politikës në çdo kohe dhe në çdo hapësire ! (Durrës 22 nëntor 1994,-botuar në gazetën “Zëri i Popullit “)

Edi Rama eshte I qyteteruar, humanist, luajal( me shume s c’ duhet), dhe vizionar. Po duhet te degjoje me shume keshillat e eksperteve progresiste. Tani, me te drejte gazeta Dita I eshte kthyer kunder, se mjaft u lodh me te. Ky edhe ne stil eshte nje shkrim I mahnitshem.
Te vertetat, i qendrojne kohes ,ato nuk vjeterohen kurre, i vlejne cdo epoke! Moikomi na e verteton kete me shkrimet e tij .
Pershendetje dhe prodhimtari te fruteshme :Fatmiri
Mbas afro 1 dekade e gjysmë të shkrimit, kemi parë vetëm kopje të kopjeve. Vae Soli është dhe ekziton edhe sot por, vetëm në parapolitikë, parashtetin, që jemi munduar dhe s’e kemi arritur kurrë deri te standartet që donte dhe la kufoma(fantazma) e Ismail Qemalit, që siç duket i vërtitet akoma shtetit tonë të lënë po gjysmak siç e la këmba vetë Ismail Bef.