Afatet dhe dosja e konkurimit për studimet “Master”

Bora Basholli

Zbardhet udhëzimi i MASR me procedurat e pranimit dhe regjistrimit të kandidatëve që do të aplikojnë për të vijuar studimet në programet “Master profesional” dhe “Master i shkencave”/“Master i arteve” për vitin e ri akademik 2019-2020

 Gara në publik dhe privat

Konkurimi për programet e studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë, për të gjitha kategoritë e studentëve do të zhvillohet përgjatë muajve shtator dhe tetor, si në universitetet publike, ashtu edhe në ato private. Aplikimet do të bëhen pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të institucioneve  të arsimit të lartë, sipas afateve të përcaktuara prej tyre përgjatë kësaj periudhe kohore. Udhëzimi i zbardhur gjatë ditës së djeshme në Fletoren Zyrtare të Qeverisë detajon procedurat se si do të zhvillohet gara për pranimet e reja në ciklin e dytë të studimeve. Çdo kandidat që plotëson kushtet për të konkuruar në këtë cikël studimesh për pranimet e vitit të ri akademik duhet që të dorëzojë në afatet e vendosura dosjen e dokumenteve të përcaktuara. Çka do të thotë se konkurimi edhe për këtë cikël studimesh do të zhvillohet me anë të dosjes. Më herët edhe institucionet e arsimit të lartë kanë përcaktuar kuotat e mundëshme të pranimeve në të gjitha degët që do të ofrojnë studime të nivelit të dytë. Kandidati nuk mund të ndjekë njëkohësisht dy programe studimi në universitetet publike, apo edhe ato private, me përjashtim të studentëve të shkëlqyer. Qendra e Shërbimeve të Arsimit pas verifikimit i bën me dije universiteteve mbi mospajisjen me numër matrikullimi në rast se konstatohet e kundërta.

Aplikimi për studimet master

Pranimi në programet e studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë “Master profesional” dhe “Master i shkencave”/“Master i arteve”, sipas kuotave respektive të deklaruara nga vetë universitetet do të realizohet në bazë të përzgjedhjes së bërë nga ato konform akteve ligjore në fuqi, si dhe sipas kritereve të përcaktuara paraprakisht dhe të bëra publike nga vetë institucionet e arsimit të lartë. Sipas kushteve të përcaktuara në udhëzim, kanë të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë, kandidatët që plotësojnë këto kushte: “Kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë në një program të ciklit të parë, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit, dhe akredituar në momentin e diplomimit të studentit, si dhe kandidatët që janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë, të akredituar. Në rast pranimi kandidati është i detyruar të kryejë njësimin e diplomës pranë QSHA-së brenda afateve të përcaktuara”. Çdo kandidat në afatet e konfirmuara duhet të dorëzojë dosjen me dokumentet e përcaktuara. Mbi bazën e këtyre dokumenteve do të bëhet edhe renditja e fituesve. Dosjen e plotë të dokumenteve që duhen për konkurim e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit, të detajuar për kandidatët që kanë kryer studimet e nivelit të parë në universitetet shqiptare, ata që kanë përfunduar këto studime në institucionet e huaja të arsimit të lartë, si dhe dokumentet shtesë që duhen për kategoritë në nevojë. Kandidati paraqitet personalisht ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij dhe dorëzon dokumentacionin e kërkuar.

Shpallja e fituesve dhe regjistrimi

Në përfundim të aplikimeve, pranë departamenteve të njësive kryesore të universiteteve ngrihen komisione adhoc sipas fushave përkatëse, për çdo program studimi të ciklit të dytë me kohë të plotë, për vlerësimin e dosjeve të kandidatëve sipas kategorive dhe përzgjedhjen në bazë të meritës të atyre kandidatëve që plotësojnë kriteret e parashikuara në aktet ligjore e nënligjore (Statut dhe rregullore) në fuqi, si dhe kriteret për çdo program studimi sipas kuotave përkatëse, të deklaruara paraprakisht nga vetë universiteti. Për programet e studimit që parashikojnë konkurs për pranimin e kandidatëve, konkurimi të zhvillohet pranë universiteteve përkatëse në datat e deklaruara.

Mesatarja e studimeve të nivelit të parë, si dhe ngjashmëria e programit do të jenë vendimtare në shpalljen e fituesve që do të vijojnë studimet master. Kandidatët fitues regjistrohen pranë sekretarisë mësimore që mbulon programin e studimit ku janë shpallur fitues. Sipas afateve të përcaktuara shpallja e fituesve të përzgjedhur në programet e universiteteve publike duhet të bëhet brenda datës 22 tetor, ndërsa në ato private brenda datës 29 tetor. Kandidatët kanë të drejtën e ankimimit në universitetin përkatës ku kanë aplikuar brenda tri ditëve kalendarike nga dita e shpalljes së rezultateve. Ndërkohë që udhëzimi detyron universitetet të shprehen me vendim të argumentuar lidhur me ankimimin brenda dy ditëve pune nga data e paraqitjes së ankesave. Regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit ku janë shpallur fitues të zhvillohet pranë sekretarive mësimore përkatëse të universiteteve publike deri në datën 30 tetor,  dhe ato jopublike deri në datën 15 nëntor. Njësitë kryesore të universiteteve, organizojnë procesin e pranimit dhe të regjistrimit të kandidatëve në ciklin e dytë të studimeve me kohë të plotë dhe verifikimin e dokumentacionit të pranimit sipas kuadrit ligjor në fuqi. Procesi menaxhohet dhe monitorohet nga rektoratet.

Dosja e dokumenteve që duhen për konkurim

Kandidati paraqitet personalisht ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij dhe dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm:

  • Diplomë, ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë. Diplomës së ciklit të parë të studimeve të përfunduar jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin, ose, në mungesë të saj, të një dokumenti tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njësimi në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar në vendin ku ka kryer studimet që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare në vendin përkatës.
  • Diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje të tyre të njësuar me origjinalin, e konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP).
  • Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit nr. 876, datë 3.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në vendimin nr. 78, datë 8.2.2006 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike”, i ndryshuar”, paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinal ose fotokopje të saj, të njësuar me origjinalin, të konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP).
  • Në qoftë se kandidatët nuk posedojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku ka përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP), ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit së bashku me listën e notave.
  • Formularin e aplikimit, sipas formatit të përcaktuar.
  • Fotokopjen e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë).
  • Dy fotografi personale.

Dokumentacion shtesë vetëm për shtetasit e huaj:

  • Dëshmi e njohjes së gjuhës shqipe, fituar në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës (për rastet kur regjistrohet në një program studimi që zhvillohet në gjuhën shqipe), si dhe të gjuhëve të tjera të njohura nga kandidati. Shtetasit e huaj që kanë kombësi shqiptare dhe kanë njohuri shumë të mira të gjuhës shqipe mund të sjellin çdo dokument nga vendi i origjinës që provon njohjen e gjuhës shqipe. Nga ky detyrim përjashtohen shtetasit e huaj që kanë përfunduar një cikël/program studimi në gjuhën shqipe në institucione të arsimit të lartë në Shqipëri. Shtetasit e huaj që aplikojnë në bazë të marrëveshjeve dypalëshe përjashtohen nga tarifat e shkollimit, në përputhje me marrëveshjet përkatëse.
  • Curriculum Vitae.
  • deklaratën sipas përcaktive.

Dokumentacioni shtesë vetëm për kandidatët e kategorive të veçanta:

  • Kandidati me statusin e personit me aftësi të kufizuar duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar të librezës së të verbrit të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror ose kopje të noterizuar të vendimit të KMCAP-së.
  • Kandidati me statusin e jetimit, duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar e dokumentit që certifikon statusin e jetimit të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror.
  • Kandidati rom dhe ballkano-egjiptian, duhet të dorëzojë dhe vetëdeklarim ose një dokument që vërteton që është rom apo ballkano-egjiptian.

Dosja e dokumenteve që duhen për konkurim në programet e ciklit të tretë “Master ekzekutiv”

  • Diplomën, ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të dytë të studimeve “Master i shkencave”/”Master i arteve” të përfunduar në Republikën e Shqipërisë. Diplomës së ciklit të dytë të studimeve “Master i shkencave”/”Master i arteve” të përfunduar jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin, ose, në mungesë të saj, të një dokumenti tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njësimi në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar në vendin ku ka kryer studimet, që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare të ciklit të tretë në vendin përkatës.
  • Diplomën, ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve “Bachelor” të përfunduar në Republikën e Shqipërisë. Diplomës së ciklit të parë të studimeve “Bachelor” të përfunduar jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin, ose, në mungesë të saj, të një dokumenti tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njësimi në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar në vendin ku ka kryer studimet, që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare të ciklit të tretë në vendin përkatës.
  • Vërtetimin për njohjen e një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Evropian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, përmes testeve të njohura ndërkombëtare. Nëse aplikanti ka fituar një diplomë të një programi studimi të kryer në një nga këto gjuhë, diploma e fituar shërben si dëshmi për plotësimin e këtij kriteri.
  • Formularin e aplikimit
  • Fotokopjen e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë).
  • Dy fotografi personale.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *