ERE i bllokon llogaritë bankare. CEZ: Nuk kemi bërë shkëputje energjie të qëllimshme

editor

Kompania CEZ sh.a, jo vetëm është penalizuar nga KESH në shitjen e energjisë më cmim të lartë, por janë të gjithë hallkat e shtetit që e kanë vënë këtë kompani para pamundësisë për të kryer shërbimet e saj. E gjitha kjo kur tashmë është dorëzuar dokumentacioni për rinovimin e licencës pranë ERE. Është kjo strukturë që i ka bllokuar të gjithë llogaritë bankare kompanisë, e cila tashmë nuk ka mundësi të bëjë asnjë blerje për të zgjidhur situatën e rëndë energjetike që po krijohet në vend. CEZ shpërndarje ka bërë të qartë në një njoftim për mediat se është e pamundur të vijojë punën e saj në kushtet e krijuara dhe se nga ana tjetër nuk ka ndërmarrë shkëputje të energjisë në mënyrë të qëllimshme.

“CEZ Shpërndarje njofton të gjithë publikun dhe institucionet shtetërore përkatëse se shoqëria në asnjë rast nuk ka ndërrmarrë asnjë shkëputje të energjisë elektrike në mënyrë të qëllimshme. Duam të bëjmë me dije për të gjithë publikun se ndërprerjet e energjisë elektrike kanë ardhur si pasojë e motit të keq, stuhive te stinës si dhe në disa raste si pasojë e ndërhyrjeve të paligjshme në rrjet nga persona të paautorizuar”, thuhet në njoftimin zyrtar të kësaj kompanie. Dhe për të qenë sa më transparentë me situatën e krijuar pranë kësaj kompanie, në njoftim citohet se “ashtu si dhe në fillim të vitit, kur kompania vetëm për të mos lejuar rikthimin e ndërprerjeve të furnizimit me energji të konsumatorëve, mbarti të gjithë koston financiare që ky vendim solli, edhe në këtë moment, CEZ Shpërndarje po bën të gjitha përpjekjet për të furnizuar të gjithë konsumatorët në një situatë ku konsumi ditor i energjisë ka mbërritur në 26.5 milion këh në ditë, të dhëna këto që rezultojnë 25% më të larta se sa muaji paraardhës dhe 20% më tepër se e njëjta periudhë vitin e kaluar”.

Por nuk mbetet ky problemi i vetëm i kësaj kompanie. CEZ bën të ditur se ERE i ka bllokuar të gjithë llogaritë bankare për shkak të gjobës së vënë nga kjo e fundit para dy muajsh dhe mos pagesës së kryer nga CEZ.

“Për fat të keq, vonesat e shkaktuara nga zëvendësimi i pajisjeve të djegura dhe aseteve të tjera, ashtu sic kemi sqaruar dhe më parë, vijnë si pasojë e gjendjes së vështirë financiare të kompanisë. Për më tepër, së fundmi llogaritë e shoqërisë janë bllokuar edhe si pasojë e titullit ekzekutiv në vlerën prej 430 milionë lek të reja që ERE  ka dërguar në të gjitha bankat e nivelit të dyt”, thuhet në njoftim zyrtar të kësaj kompanie.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *