Sigurimi vullnetar për më shumë të ardhura siguron pensione më të larta pleqërie, invaliditeti dhe familjar, sipas kontributit të derdhur në kufijtë ndërmjet pagës minimale dhe maksimale në shkallë vendi.
Kushtet për pensione më të larta
Për të siguruar pensione më të larta pleqërie, invaliditeti, apo edhe familjare, mund të aplikohet edhe skema e sigurimeve vullnetare. Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, të drejtën e sigurimit vullnetar për më shumë të ardhura e kanë të gjithë personat ekonomikisht aktivë të vetëpunësuar, të punësuar dhe punëdhënësit, të cilët duhet të jenë të siguruar si të tillë në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ky sigurim bëhet vetëm për vitin korent në kufijtë e pagës minimale që është 26,000 lekë, si dhe pagës maksimale që është 114,670 lekë. Ekspertët e sigurimeve shoqërore bëjnë me dije se qytetari ka të drejtë të zgjedhë një pagë brenda këtij kufiri të përcaktuar për të bërë derdhjen e kontributeve të skemës vullnetare.
Duke ju referuar kësaj page të zgjedhur dhe mbi bazën e përqindjes së kontributeve në fuqi, përcaktohen edhe masat e kontributit vullnetar si shumëfish i kontributit minimal. Për të bërë sigurimin vullnetar për më shumë të ardhura, personi i interesuar duhet të paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku banon, për të plotësuar kërkesën përkatëse, si dhe për të bërë lidhjen e marrëveshjes për sigurimin vullnetar. Tre janë dokumentet që duhet të keni me vete: Fotokopje të librezës së punës ku pasqyrohen periudhat e sigurimit, fotokopje të librezës së kontributeve në rast se e dispononi, si dhe fotokopje të letërnjoftimit elektronik/ kartës së identitetit. Nëse personi i interesuar bie dakort për t’u siguruar vullnetarisht, do të marrë dokumentin tip “Urdhër veprimi”, i cili plotësohet nga inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore. Me këtë “Urdhër veprim”, personi i interesuar paraqitet në bankë për të bërë pagesën e përcaktuar.
Me kryerjen e pagesës ai pajiset nga banka me “Mandat arkëtimi”. Pas marrjes së mandat arkëtimit, personi i interesuar rikthehet tek inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore, me të cilin lidh marrëveshjen e sigurimit vullnetar, që nënshkruhet nga personi i interesuar dhe inspektori i sigurimit vullnetar. Një kopje e mandatit i dorëzohet inspektorit në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, inspektori i sigurimit vullnetar të Agjencisë Lokale të Sigurimeve Shoqërore është i detyruar të bëjë pasqyrimin në librezë të kontributeve të personit të interesuar, ose të hapë librezë kontributesh të re në qoftë se nuk ka.Personi i siguruar që e ka plotësuar periudhën e kërkuar të sigurimit, si dhe gjithë personat në ngarkim të atij që vdes, të cilët nuk kanë plotësuar moshën ose nuk plotësojnë kushtet e tjera për pension, kanë të drejtë të marrin pension kur të plotësojnë moshën ose kushte të tjera.
Personat që i kanë përmbushur të gjitha kushtet, por jo atë të paaftësisë, marrin pension, pasi të provohet se janë të paaftë për punë. Lidhur me përllogaritjet e përfitimeve bëhet e ditur se: përfitimet afatshkurtëra për degët e sëmundjes, barrëlindjes dhe aksidenteve në punë për personat e punësuar, do të llogariten nga qendrat e punës, kurse për personat e tjerë ekonomikisht aktivë, nga zyrat lokale të sigurimeve shoqërore. Përfitimet afatshkurtra për papunësinë caktohen nga zyrat e punësimit që janë në vartësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Ndërsa pensionet do të caktohen nga zyrat rajonale të Institutit të Sigurimeve Shoqërore brenda ditës së fundit të muajit të ardhshëm nga data e pranimit të kërkesës dhe të dokumenteve të plota e të sakta për pension.
Somarjo 1
Sigurimin shoqëror vullnetar për më shumë të ardhura kanë të drejtë ta bëjnë të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit privatë, duke paguar kontribute vetëm për vitin korent, deri në nivelin e pagës maksimale në shkallë vendi me qëllim për të përfituar deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar. Sigurimi shoqëror në këtë fushë bëhet vetëm për vitin korent dhe jo për periudha të mëparshme. Edhe në këtë rast, personat e interesuar, kanë të drejtë të zgjedhin një pagë mbi të cilën bëhen llogaritjet përkatëse nga inspektori i sigurimit vullnetar në momentin e sigurimit, për të arritur në nivelet maksimale të përfitimit për pension.
Somarjo 2
Për të bërë sigurimin vullnetar për më shumë të ardhura, personi i interesuar duhet të paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore të vendit ku banon, për të plotësuar kërkesën përkatëse, si dhe për të bërë lidhjen e marrëveshjes për sigurimin vullnetar. Tre janë dokumentet që duhet të keni me vete: Fotokopje të librezës së punës ku pasqyrohen periudhat e sigurimit, fotokopje të librezës së kontributeve në rast se e dispononi, si dhe fotokopje të letërnjoftimit elektronik/ kartës së identitetit
Pagesat që duhet të bëni për sigurimin vullnetar për më shumë të ardhura përgjatë 2019-s:
- Personat e vetëpunësuar sigurohen me pagë minimale mujore 26,000 lekë. Mbi këtë pagë çdo person ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në kufirin e pagës maksimale 114,670 lekë.
- Punëmarrësit që sigurohen në bazë të kontratës të nënshkruar me punëdhënësin, kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht për më shumë të ardhura mbi pagën që ata marrin deri në nivelin e pagës maksimale 114,670 lekë.
- Çdo punëdhënës që sigurohet nën nivelin e pagës maksimale ka të drejtë të sigurohet vullnetarisht deri në kufirin e kësaj page.
- Çdo kontribues vullnetar për vitin korent ka të drejtë të sigurohet për më shumë të ardhura.
Kushtet që duhet të përmbushni:
- Nuk lejohet sigurimi vullnetar pas lindjes së të drejtës për përfitim nga skema e sigurimit të detyruar.
- Periudha e sigurimit vullnetar përcaktohet në marrëveshje midis personit që aplikon dhe ISSH-së.
- Të vetëpunësuarit në bujqësi që përfitojnë nga mbështetja nëpërmjet buxhetit të shtetit, që subvencionon pagesat e kontributeve të tyre, nuk kanë të drejtë të sigurohen vullnetarisht.
- Kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 1.1.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.
Sigurimet vullnetare mund t’i paguajnë personat që:
- Kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar.
- Për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm.
- Janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre.
- Nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi.
- Kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 1.1.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.
Masa e pensionit të pleqërisë:
- Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, sipas tabelave të daljes në pension pleqërie, bazuar ne moshë dhe vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social.
- Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributive.
- Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.
