Aksidenti tragjik në punë, që u mori jetën dy punëtorëve dhe plagosi tre të tjerë të premten në Tiranë, mendohet të jetë shkaktuar nga mungesa e masave të sigurisë.
Të shtunën, policia e Tiranës ka arrestuar dy drejtuesit teknikë në lidhje me këtë ngjarje. Si drejtuesi teknik i kompanisë që kryente termoizolimin e pallatit ashtu edhe ai i shoqërisë së skelave janë arrestuar.
Sipas raportimeve, Policia ka shpallur në kërkim edhe administratorin e firmës së skelave në këtë godinë, për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”.
Burimet zyrtare thanë se ka filluar procedim penal për “Shpërdorim detyre” edhe ndaj punonjësve të Inspektoratit të Punës, Tiranë, pasi sipas Policisë, ata nuk kanë ushtruar detyrën për kontrollin e masave të sigurisë në punë në pallatin ku ndodhi aksidenti.
Pesë punëtorë kanë ranë të premten nga lartësia në Tiranë, kur po bënin çmontimin e skelës nga njëra anë e pallatit 13-katësh. Skela është shembur duke rënë bashkë me punëtorët që ndodheshin mbi të. Dy punëtorë gjetën vdekjen ndërsa tre punëtorë të tjerë u plagosën. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 15:00, në rrugën “Faik Konica”, që ndodhet pranë Rrugës së Elbasanit, në Tiranë.
e.ll./dita

Te denohen rende e te behen shembull per shkelesit e tjere te rregullave te sigurimit teknik qe te parandalohen vrasje te tjera ne pune.