Kryeministri Berisha në mungesë të mbledhjes së Grupit parlamentar si çdo të hënë është takuar me gazetarët ku ka folur për disa nga çështjet më të rëndësishme të aktualitetit politik. Ai e ka nisur ligjëratën e tij me akuza për programin e opozitës për të vijuar me tej me rezulton çame që sipas tij do të merret ë shqyrtim nga Komisioni i Jashtëm dhe më pas do të vendoset nëse do të miratohet në Kuvend. Berisha nuk ka lënë pa shigjetuar dhe qëndrimet e ambasadorëve për nacionalizimin. Kreu i qeverisë tha se nuk ka koment për ta dhe është i bindur se nisma e tij për nënshtetësi për të gjithë është e drejtë legjitime e shqiptarëve.
Rezoluta për çamët
Berisha refuzoi të japë një përgjigje të prerë për pyetjen mbi rezolutën për çamët. Kryeministri tha se mazhoranca do të shqyrtojë këtë propozim të paraqitur nga aleatët duke deklaruar më parë se Partia Demokratike është nismëtare e një sërë lëvizjesh në dobi të çështjes çame. “Çështjen çame së bashku me mikun tim, të ndjerin Gramoz Pashko, e kemi ngritur për herë të parë në janar të vitit 1991 kur kryeministri i Greqisë, Mitsotaqis u bë kryeministri i parë që takoi opozitën shqiptare, na ftoi në takim dhe në atë takim, një ndër problemet që ne biseduam ishte ai çam. Në Traktatin e Miqësisë të 1995 me Greqinë ka një klauzolë mbi çështjet e pronësisë së shqiptarëve në Greqi dhe të grekëve në Shqipëri, janë çështje juridiko-teknike që do të zgjidhen në bazë të këtyre procedurave. Për fat të keq, kjo çështje mbeti në vend-numëro. Nuk ka asnjë problem territorial mes dy vendeve, ka një traktat miqësie që njohim kufijtë e dy vendeve, traktati përbën një bazë të shkëlqyer për të zgjidhur problemet tona”, tha kreu i mazhorancës.
Deklaratat nacionaliste
Deklaratat nacionaliste të lëshuara me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministri Berisha i cilësoi si ripërsëritje të qëndrimeve të mëhershme të tij dhe refuzoi të komentojë deklaratat e lëshuara pak ditë më parë nga ambasadori amerikan në Tiranë, Alexandër Arvizu ku ky i fundit dënonte rritjen e ndjeshme të gjuhës nacionaliste si destabilizuese. “Nuk jam këtu të komentoj deklaratat e ambasadorëve, por deklaratat e mia janë një ripërsëritje e qëndrimeve të mia, absolutisht. Edhe në festimet e Lidhjes së Prizrenit 3 vite më parë, do të gjesh të njëjtat deklarata, edhe në verën e vitit 1992 do të gjesh dekretin e 17 korrikut të 1992 që thotë se shtetësia shqiptare do t’u njihet të gjithë shqiptarëve me origjinë kudo që ndodhen, pavarësisht nga shtetësia që kërkojnë të mbajnë. Ky qëndrim ka qenë ligjor dhe këtu nuk ka asgjë të re përveç zhurmës mediatike, përkundrazi disa rrethana të reja janë më të favorshme sepse sot shqiptarët në Maqedoni, në Mal të Zi, në Preshevë, të gjithë këta shqiptarë kanë lëvizur para shqiptarëve në Shqipëri në mbarë Europën dhe problemi i vizave nuk ka asnjë lidhje. Problemi i vetëm është vetëm Kosova dhe Shqipëria beson në konsolidimin e pavarësisë së Kosovës që kontribuon në përforcimin e stabilitetit në rajon”, tha kryeministri.
Statusi dhe censusi
Ashtu si edhe në daljet e tjera të kryeministrit apo edhe të eksponentëve të tjerë të mazhorancës, kryeministri Berisha fajësoi Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për mosvotimin e 3 ligjeve që sipas tij, ndëshkuan shqiptarët në mosmarrjen e statusit të vendit kandidat. Kryeministri tha se BE funksionon në bazë të institucioneve të saj dhe deklaratat e mbërritura nga vende të veçanta të Unionit se edhe nëse do të ishin miratuar 3 ligjet, vendi nuk do të merrte statusin, ishin të pavërteta. Sipas Berishës, vetëm 3 ligjet ndëshkuan vendin tonë, ndërsa kërkesat shtesë të përmendura në rekomandimin e Bashkimit Europian, si zgjedhjet, lufta kundër korrupsionit dhe shteti ligjor ishin bazat për çeljen e negociatave.
Javën e kaluar, INSTAT publikoi rezultatin e regjistrimit të popullsisë, proces i kryer një vit më parë. Sipas kryeministrit, të dhënat e përftuara nga INSTAT tregojnë zhvillimin ekonomik dhe social të shqiptarëve, rritjet e pronave. Berisha kritikoi opozitën mbi deklaratat e saj për analfabetizmin si të pavërteta. Shkollimi i fëmijëve të tyre, shqiptarët e kanë patur dhe e kanë prioritet, tha kryeministri.
Besimi te Llalla
Kam besimin më të madh se Prokuroria e Përgjithshme dhe institucioni i Prokurorisë ka vajza dhe djem të ndershëm dhe të përkushtuar për të bërë ligjin, sikundër ka patur dhe ka tregtarë dosjesh të cilat kanë kryer krimin e shëmtuar të rrënimit të hetimeve. Çdo shitje dosjesh është rrënim hetimit. Për fat ë keq rrjedhja është problem i përbotshëm, por intensiteti është i rëndë për hetimin.
Berisha: Zgjodha “Facebook”-un se “Twitter” është i njëanshëm
Në këtë dalje Berisha foli edhe për eksperiencën e tij në Facebook, ku përshëndeti 195 mijë miqtë e tij në këtë rrjet social. Ai tha se kishte zgjedhur këtë rrjet ndryshe nga Rama që përdor Twitter, pasi ky i fundit është i njëanshëm. “Nuk mund të bëja zgjidhje tjetër, se Twitter-i ka një gjë, është i njëanshëm. Jep direktivë. Jo unë kam nevojë të marrë më shumë, se sa të japë’, tha ai. Madje Berisha bëri saktësimin se Facebook-un e ka për komunikim ndërsa politikën e bën në televizion. “Kur filloi të bëjë ciu-ciu (Rama), nja dy muaj nuk doli në TV, mua më keni çdo ditë. Televizionin e kam për politikë, Facebook-un për komunikim”, nënvizoi Berisha.