Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën me dije se ka bllokuar 3 subjekte, pasi ushtronin aktivitet pa licencë.
AKU shprehet se këto subjekte ushtronin aktivitet pa kushte higjenike.
Njoftimi i plotë
Task Forca e ngritur pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU Vlorë kanë kryer një sërë kontrollesh për të garantuar sigurinë ushqimore dhe për të siguruar vijimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik veror.
Nga kontrollet e kryera në këto subjekte u konstatua: ushtrim aktiviteti i palicencuar, kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare, mangësi në dokumentacion (gjurmueshmëri, plani HACCP, raport analiza), si dhe etiketim i parregullt i produkteve.
Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masat administrative si në vijim: 10 masa administrative “Gjobë” me vlerën totale 3,850,000 lekë, “Bllokim i produkteve” të pasigurta për konsum human, si dhe “Ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit” për 3 subjektet.
Siguria ushqimore është sfida jonë e përbashkët! —
b.b/dita
