Shitet shtëpia e Nënë Terezës

anazapta

Një shtëpi mallrash së shpejti do të ngritet mbi themelet e shtëpisë së vjetër të humanistes dhe nobelistes shqiptare Nënë Tereza.

Një reportazh i Al – Jazeera përshkruan se si qyteti i lindjes së humanistes shiti lokacionin ku gjendej shtëpia e familjes Bojaxhiu. Me këtë shuhet edhe prona e fundit e familjes së humanistes Gonxhe Bojaxhiu.

Së shpejti do të largohet edhe pllaka përkujtimore që vazhdon të qëndrojë dhe se do të nisin punimet për ndërtimin e një qendre tregtare. Autoritetet qeveritare dhe të komunës Qendër disa vite më parë vendosën transferimin e shtëpisë së humanistes, duke ngritur një shtëpi përkujtimi në një lokacion tjetër. “Kjo është një trashëgimi kulturore dhe historike. Një nga fidanet këtu ku është pllaka është mbjellë edhe nga vetë Nënë Tereza kur ishte në Shkup.

Ne shohim se është punë e kryer kjo që po ndodhë dhe s`ka kthim prapa”, ka theksuar Dimçe Petrusevski, anëtar i shoqatës “Shkupjania Nënë Tereza”.  Edhe nipi i humanistes, Alojz Gombar, është i pakënaqur dhe i shqetësuar nga vendimi i autoriteteve dhe se ai kërkon kthimin e pronës. “Unë nuk dua të ndjek rrugët gjyqësore, por dua që qeveria të vendosë se a do të më dëmshpërblej për këtë pronë, apo do të më japë një pjesë të saj si trashëgimi”, ka theksuar Gombar.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski ka hedhur pretendimet e Gombar, duke theksuar se emri i tyre nuk përmendet në dokumentacionet e pronësisë dhe sipas dokumenteve të kadastrës së vitit 1929.

Kryetari i komunës Qendër, Andrej Zhernovski ka theksuar se në këtë periudhë komuna nuk ka fuqi për të ndryshuar situatën. Një kompani private ka blerë tokën për 1,6 milionë euro dhe se në këtë lokalitet do të ndërtojë një shtëpi tregtare, me elemente të barokut dhe elemente të vjetra arkitektonike, për t`iu përshtatur projektit “Shkupi 2014”.

Shumica e qytetarëve kërkojnë që të mbetet lokacioni i shtëpisë së Nënës Tereze, duke kundërshtuar ndërtimet e vazhdueshme në sheshin e Shkupit. (INA)

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *