Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, u dërgoi një ditë më parë një mesazh përshëndetjeje ish-partizanëve, veteranëve, pasardhësve dhe familjeve të dëshmorëve të Brigadës XVI Sulmuese.
Mesazhi i plotë
“Të dashur ish partizane dhe ish partizanë, veterane e veteranë të Brigadës XVI Sulmuese heroike,
Të nderuar pjestarë të familjeve të dëshmorëve,
Të respektuar pasardhës të veteraneve e veteranëve të Brigadës XVI dhe të luftëtarëve të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare,
Ju përshëndes të gjithëve në festën e bukur të 75 vjetorit të krijimit të Brigadës XVI të Ushtrisë së lavdishme të partizanëve shqiptarë.
Gushti i nxehtë i vitit 1944 mund të quhet edhe muaji i krijimit të Brigadave partizane: Brigadës së 14, 16, 18 dhe 19. Ndërkohë që në gushtin e vitit 1943 ishte krijuar famëmadhja Brigada e Parë.
Brigada XVI u inaugurua më 20 gusht 1944 në Therepel të Skraparit.
Ky formacion i fuqishëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare vërtet u përurua më 20 gusht, por pagëzimin e zjarrit të betejave e fitoreve partizanët e Brigadës suaj e kishin bërë gjatë viteve të luftës për liri.
Ky formacion i fuqishëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare vërtet u përurua midis skraparllinjve trima e patriotë të pashembullt, por në përbërjen e vet përfshiu edhe partizane e partizanë, vajza e djem të guximshëm e të sakrificës nga trevat e tjera atdhetare, Myzeqeja, Labëria e Mallakastra.
Brigada XVI u krijua nga bashkimi i ish formacioneve të njohura partizane: grupi i tretë i Skraparit, grupi i tretë i Mallakastrës, grupi i parë i Kurveleshit dhe grupi i Myzeqesë.
Përveç 200 partizanëve të Brigadës XVI-të, Myzeqeja u bë burim edhe për Brigada të tjera të Ushtrisë partizane: 52 partizanë myzeqarë u rreshtuan në Brigadën e I-rë , 120 në Brigadën e VII-të, 82 në Brigadën e VIII-të, 70 në në Brigadën e X-të etj.
Brigada XVI mund të quhet ndryshe edhe Brigada partizane e rinisë. Ndër 560 partizanet e partizanët e saj, më shumë se 85 përqind ishin në moshë të re, 15-30 vjeçarë dhe rreth 70 prej tyre ishin vajza.
Brigada XVI luftoi kryesisht në trekëndëshin Berat Lushnje-Fier dhe e shndërroi Myzeqenë në një arenë betejash të përgjakshme kundër nazistëve dhe kolaboracionistēve.
Brigada XVI luftoi me një ushtri armike të mirë-pajisur me armatimet më të rënda dhe bandat e bashkëpunëtorëve vendas në mbështetje të tyre.
Brigada XVI ngriti në altarin e lirisë 56 vajza e djem të bukur e trima, shumica e të cilëve ranë dëshmorë në lulen e rinisë.
Të dashura motra e vëllezër,
Ky vit është viti i 75 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë dhe kolaboracionistët shqiptarë.
Është viti të rikujtojmë se çlirimi i atdheut është rezultat i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të partizanëve shqiptarë, të organizuar në Ushtrinë Nacional-Çlirimtare.
Është viti të rikujtojmë se në rreth gjashtë vjet u ndeshën në beteja të përgjakshme dy ushtri të pabarabarta. Përmbi makinerinë e rëndë ushtarake të pushtuesve e tradhtarëve, përmbi topat, tanket e avionët e tyre, luftuan e triumfuan partizanët shqiptarë, të organizuar në ushtrinë e tyre që ushqehej e vesh-mbathej nga kasollet e varfra të Shqipërisë dhe bujaria e popullit liridashës.
Ushtria partizane ishte një legjion nderi i kombit shqiptar.
Unë shpreh respektin dhe mbështetjen time të fuqishme për Organizatën e Veteranëve të LANÇ dhe Organizatën Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e Tjerë të Atdheut në misionin dhe kontributin e tyre për të mbrojtura, lartuar e ndriçuar të vërtetat e pakundërshtueshme të LANÇ ndaj çdo përpjekje për t’i mohuar apo errësuar ato.
E kam thënē dhe po e përsëris: Për LANÇ, cilido mund të ketë pikëpamjet e tij, por jo faktet e tij. Dhe faktet flasin se fitorja e LANÇ dhe çlirimi i Shqipërisë janë vulosur me 68 muaj luftë dhe sakrificat e 70 mijë luftëtarëve dhe 28 mijë dëshmorëve.
Si Kryetar i Kuvendit, jam krenar, edhe pse kemi bërë thjesht detyrën si përfaqësues të popullit, që gjatë kësaj legjislature miratuam ligjin e ri “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, i cili këtë vit ka hyrë në fuqi.
Lavdi të përjetshme partizaneve dhe partizanëve të Brigadës XVI Sulmuese! Nderim e mirënjohje të pakufishme partizanëve, çlirimtarëve të Shqipërisë, familjeve të dëshmorëve, veteranëve e pasardhësve të tyre!”, shkruhet në mesazhin e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, drejtuar ish partizanëve të Brigadës XVI të Ushtrisë Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
b.b/dita
