Bankat në Shqipëri mbyllën zyrat dhe shkurtuan stafe gjatë këtij viti ndërsa volumi i kredisë dhe i depozitave qëndroi pa lëvizur, duke reflektuar gjendjen e ekonomisë shqiptare. Konkretisht mbyllën 28 degë dhe shkurtuan 180 punonjës.
Sipas Institutit të Statistikave, ritmi i rritjes ekonomike u ngadalësua në 2.2% nga 4.3% vitin e kaluar, ndërkohë të dhënat statistikore të sistemit bankar flasin për stanjacion në kredi dhe depozita.
Kështu, sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të qershorit, stoku i depozitave në banka ishte 1.14 trilionë lekë.
Depozitat e klientëve me pakicë u rritën me 1.3% ndërsa ato të sektorit korporativ u ulën me 6.7%.
Stoku i përgjithshëm i kredive ishte 562 miliardë lekë, me një rënie prej 3.5% në krahasim me qershorin 2018.
Kreditë e konsumatorit familjar mbetën të pandryshuara në 181 miliardë lekë ndërsa ato të klientëve korporativë ranë me 5.1%.
Fitimet neto të bankave për periudhën janar-qershor ishin 10.5 miliardë lekë, me një rënie prej 4.8% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu bankar pësoi ndryshime të forta gjatë vitit të kaluar kur tre banka dolën nga tregu përmes bashkimit apo blerjes nga banka të tjera në vend. Numri i operatorëve në këtë treg ra nga 16 në 13.
Kjo duket se u shoqërua edhe me mbyllje degësh dhe shkurtim punonjësish. Kështu, në qershor 2018, numri i degëve dhe agjencive të të gjithë sistemit bankar ishte 480 ndërsa deri në qershor të këtij viti, 28 degë u mbyllën.
Në mënyrë të ngjashme, numri i punonjësve u reduktua nga 6,868 vetë në 6,688 ose 180 punonjës më pak.
j.l./ dita
