Ka nisur shembja e digës së betonit pranë Kanionit të Holtës që ishte parashikuar që të bëhej HEC. Leja për ndërtimin e këtij HEC-i ishte anuluar në janar të 2019, por vetëm sot është marrë vendimi për prishjen e kësaj dige betoni që ishte ndërtuar në dalje të Kanionit të Holtës. Lajmin e ka bërë me dije kryetari i Bashkisë së Gramshit, Klodian Tace, i cili ndër të tjera falenderon ministren Belinda Balluku që i është përgjigjur shqetësimit të kësaj bashkie.
Të dashur qytetarët e mi, me kënaqësi dua t’ju njoftoj se është marrë vendimi për prishjen e digës së betonit pranë Kanionit të Holtës. Edhe njëherë doja të falënderoja të gjithë ata që reaguan dhe mbështetën, se bashku me mua, interesin e qytetarëve të Gramshit.
Falenderoj veçanërisht ministren përkatëse, zonjën e nderuar Belinda Balluku e cila u përgjigj pozitivisht shqetësimit tonë, spektrin politikë ku unë bëj pjesë që na mbështetën me reagimin e menjëhershëm, banorët e zonës, aktivistët e ndryshëm që dolën në mbrojtje të një kauze të drejtë dhe të gjitha mediat që i dhanë jehonë problemit të qytetarëve të Gramshit”, shprehet kryetari i bashkisë.
Më pas, Taçe ka thënë se “ka ikur koha kur qyteti i Gramshit përbuzej dhe pasuritë e shumta natyrore përdoreshin për përfitime personale të një grupi të caktuar personash”. “Nën drejtimin tim nuk do lejoj asnjë investim, sado strategjik të jetë nëse cenon pasuritë natyrore të zonës”, ka thënë ai.
Prej disa kohësh banorët e kësaj zone kanë protestuar kundër ndërtimit të këtij kanioni. Në përgjigje të banorëve, Ministria e Energjisë mori vendimin për prishjen e digës së betonit.
Këshilli Kombëtar i Territorit, me një vendim të datës 27 prill të vitit të kaluar miratoi lejen për ndërtimin e hidrocentralit të Strorit në përroin e Holtës dhe Seltës, degë e lumit Devoll në Gramsh, ndërsa me fillimin e këtij viti nisën punimet.
Ndërtimi i hidrocentralit u shoqërua edhe me akuza nga Partia Demokratike për ish-ministrin Gjiknuri se me firmën e hedhur për këtë HEC, po zhdukte bukuritë e rralla të natyrës në kanionet e Holtës dhe kërkonin ndaljen e këtij projekti.
b.b/dita
