Rishikohen pagesat e aftësisë së kufizuar. Duke nisur nga data 1 shtator e këtij viti, masa e përfitimit të pagesës mujore të aftësisë së kufizuar pëson rritje, jo vetëm për personat që janë mbajtës të statusit, por edhe për kujdestarët e tyre ndihmës. Udhëzimet e botuara gjatë ditës së djeshme në Fletoren Zyrtare të Qeverisë konfirmojnë se sa do të jenë pagesat e reja që do të marrin të gjitha kategoritë përfituese.
Kështu, masa e përfitimit për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë duke nisur nga 1 shtatori do të jetë 10.653 lekë në muaj, ndërsa për kujdestarët e tyre ndihmës, kjo pagesë shkon 11.190 lekë në muaj. Rritja është reflektuar edhe në pagesat që do të përfitojnë personat me statusin e të verbrit, si dhe ndihmësit personal për të gjitha kategoritë e tjera të aftësisë së kufizuar, të cilat i gjeni të detajuara në vijim të shkrimit.
“Efektet financiare, për zbatimin e pagesave të reja të përcaktuara në këto udhëzime fillojnë nga një shtatori i këtij viti dhe përballohen po me fondet e akorduara për vitin 2019 për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, saktësohet në udhëzim e zbardhur. Pagesa për shkak të aftësisë së kufizuar është një pagesë mujore e cila jepet në muajin pasardhës nga data e vendimit për përfitime, me qëllim përmbushjen e nevojave elementare, të lidhura me aftësinë e kufizuar, e cila përfitohet nga personat të cilët janë deklaruar si të tillë me vendim të komisionit shumëdisiplinor të vlerësimit të aftësisë së kufizuar.
Pagesat e reja për para dhe tetraplegjikët
Masa e përfitimit për personat të cilëve u është kufizuar aftësia si pasojë e dëmtimeve fizike, shqisore, të intelektit, psikiko/mendore, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje, të përkohshme apo të përhershme, që nuk vijnë nga shkaqe që lidhen me punësimin, e vërtetuar kjo nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), duke nisur nga muaji shtator do të bëhet 10.653 lekë në muaj.
Të njëjtën masë do të përfitojnë edhe kujdestarët e personit me aftësi të kufizuar. Ndërsa pagesat për personat para dhe tetraplegjikë, sikundër e theksuam edhe më lart, të cilët deklarohen, me vendim të Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP), se janë bërë të tillë, pavarësisht nga shkaku dhe mosha, shkon në 10.653 lekë. Për kujdestarët e tyre kjo pagesë bëhet dhe 11.190 lekë në muaj.
Pagesat për të verbrit
Masa e përfitimit për shkak të verbërisë duke nisur nga muaji shtator i këtij viti do të bëhet 12.092 lekë në muaj. Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i të verbrit. Efektet financiare, për zbatimin e këtij udhëzimi, fillojnë nga 1 shtatori i vitit 2019 dhe përballohen me fondet akorduara për vitin 2019, për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Kjo pagesë përfitohet pavarësisht nga mosha dhe të ardhurat e tjera që përfitohen nga shteti. Pagesat do të bëhen çdo muaj nga zyrat e përkrahjes sociale të bashkive dhe komunave ku të verbrit kanë vendbanimin e tyre të përhershëm.
Pagesat për kujdestarët
Në një tjetër udhëzim të shpallur po gjatë ditës së djeshme, janë detajuar edhe pagesat mujore që do të marrin ndihmësit personal të aftësisë kufizuar. Edhe në këtë rast për secilën kategori është reflektuar rritja e shumës mujore.
Sipas udhëzimit pagesa bazë për shkak të aftësisë së kufizuar e përcaktuar do jetë 10,871 lekë në muaj. Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar për ndihmësit që kujdesen për personat me kufizime të lehta bëhet 6,523 lekë në muaj. Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar për kujdestarët e personave mbi 18 vjeç që janë me kufizime mesatare do jetë është 8.697 lekë në muaj.
Ndërsa masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar të ndihmësit për personat mbi 18 vjeç që janë me kufizime të thella nga shtatori do të jetë 10.871 lekë në muaj.
Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar të ndihmësit për personat mbi 18 vjeç me kufizime të rënda bëhet 13,045 lekë në muaj. Po sipas udhëzimit, masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar të ndihmësit për fëmijët me kufizime të lehta që referohen për të përfituar shërbime ose në mungesë të tyre, do të jetë 4,892 lekë në muaj.
Gjithashtu bëhet e ditur se masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar për ndihmësit e fëmijëve me kufizime mesatare do jetë 6,523 lekë në muaj. Ndërsa pagesat mujore për kujdestarët e fëmijëve që janë me kufizime më të rënda shkojnë në 8,153 lekë në muaj. Ndërsa ndihmësit që kujdesen për fëmijët me kufizime të thella do të përfitojnë 9,785 lekë në muaj. Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar për shërbimet gjithëpërfshirëse të ndihmësit personal është llogaritur të jetë 13,045 lekë në muaj.
Po ashtu është vendosur që masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar për shërbimet e herëpashershme të ndihmësit personal të jetë në vlerën e 8,697 lekëve në muaj. Efektet financiare, edhe për zbatimin e këtij udhëzimi fillojnë nga 1 shtatori i vitit 2019 dhe përballohen me fondet e akorduara për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Pagesat për shërbime të ndihmësit personal jepen në muajin pasardhës pas vendimit të komisionit shumëdisiplinor të vlerësimit. Pagesa kryhet përmes shërbimeve bankare ose Postës Shqiptare.
Procedurat e ankimimit
Personat e pakënaqur me pagesat e përcaktuara kanë të drejtën e ankimimit. Sipas procedurave ligjore të përcaktuara në këtë rast, aplikuesi ka të drejtën e ankimimit në rastet e refuzimit të plotë, apo të pjesshëm të aplikimit për përfitime për shkak të aftësisë së kufizuar. Ankimimi bëhet me shkrim brenda dhjetë ditëve kalendarike nga data e marrjes së njoftimit të refuzimit nga Zyra Rajonale e Vlerësimit të Aftësisë së Kufizuar pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror.
Aplikuesi ka të drejtën e ankimimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror brenda dhjetë ditëve kalendarike nga data e marrjes së përgjigjes nga Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror. Më tej përcaktohet se aplikuesi mund të ankimohet edhe pranë Gjykatës Administrative në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 49/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”. Në rastet kur kërkesa pranohet, personit do t’i lindë e drejta e marrjes së përfitimeve që nga muaji pasardhës nga data e marrjes së vendimit për refuzim nga komisioni ose sipas përcaktimeve në vendimin e gjykatës.
Për marrjen e përfitimeve të aftësisë së kufizuar duhet të plotësohen këto kritere:
- Personi duhet të ketë një gjendje mjekësore të vërtetuar të një dëmtimi fizik, mendor, intelektual apo shqisor të lehtë mesatar, të rëndë ose të thellë.
- Të vërtetohen kufizime të lehta, mesatare, të rënda ose të thella, të shkaktuara nga dëmtimi.
- Të vërtetohen kufizime mesatare, të rënda, të thella për të kryer veprimtari domethënëse të jetesës së përditshme, të përshtatshme për moshën e personit dhe për të marrë pjesë në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike.
- Personi të përjetojë kufizime të konsiderueshme mjedisore dhe qendrimore, të cilat ndikojnë në aftësinë për të kryer veprimtari të jetesës së përditshme dhe pjesëmarrje të barabartë në shoqëri;
- Personi përfitues duhet të jetë mbi moshën 2 vjeç.
- Personit nuk i ka lindur e drejta për t’u trajtuar me pension sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, para datës së intervistës së vlerësimit.
- Personi nuk ka qenë në marrëdhënie pune, para lindjes të së drejtës për komisionim, dhe nuk përfiton nga ligji nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
- Dokumentacioni për përfitimin e aftësisë së kufizuar përfshin: “Kërkesën/formularin e aplikimit, formularin e plotësuar nga mjeku i familjes, formularin e plotësuar nga mjeku specialist/Qendra Komunitare e Shëndetit Mendor (QKSHM), kopje të kartës së identitetit ose certifikatë personale. Dokumentet e përcaktuara dorëzohen/postohen pranë zyrës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar, në Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shtetëror Tiranë.
p.k/dita
